.

.

BallinaPertejDështimi i KQZ me transmetimin e të dhënave të 30 qershorit ka një shpjegim

Dështimi i KQZ me transmetimin e të dhënave të 30 qershorit ka një shpjegim

MERXHAN DACI

Zgjedhjet e 30 qershorit dëshmuan regresin e bërë në menaxhimin e një prej aspekteve më bazikë dhe të rëndësishëm, përcjelljen e të dhënave. Ajo i përngjau lojës “telefoni i prishur”, e papranushme për një institucion si KQZ në 2019-n, ndërkohë që në zgjedhjet e 2013-s ky proces u krye elektronikisht përmes serverit të krjuar me fondet e donatorëve të huaj.

————————————————————————————————————————————————————

Përtej konfliktit politik që vazhdon edhe sot, zgjedhjet e 30 qershorit u mbajtën. Përveçse pa opozitën në garë, këto zgjedhje do të mbahen mend edhe për pasaktësitë e mëdha në raportimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke nisur që nga numri i votuesve që morën pjesë në këtë proces. Në shumë bashki rezultuan më shumë vota në kuti sesa votues të cilët ishin paraqitur për të shprehur verdiktin e tyre për procesin e 30 qershorit.

KQZ u bë objekt kritikash, sidomos nga opozita jashtëparlamentare e cila bojkotoi zgjedhjet vendore dhe vuri në dyshim vërtetësinë dhe integritetin e këtij procesi.

KQZ përditësoi disa herë të dhënat që zotëronte për pjesëmarrjen në faqen e tyre të internetit por siç u pranua nga vetë ky institucon, pati një mospërputhje të konsiderueshme të shifrave që përkthehet në mijëra vota më shumë nëpër kuti sesa personat që kishin votuar.

Precedent shënoi bashkia e e Urës Vajgurore, ku pjesëmarrja ishte 19,18% ose 5900 votues, por kandidatja e Partisë Socialiste fitoi me 7672 vota ose 1772 vota më shumë. Raste të ngjashme u identifikuan në në Durrës, Lushnje, Divjakë dhe disa bashki të tjera.

Pas gjithë amullisë së krijuar, KQZ reagoi duke pranuar gabimet në shifra pasi transmetimi i të dhënave nga KZAZ-të në KQZ, ishte bërë me telefon.

Është theksuar disa herë se, këto nuk janë rezultate përfundimtare, dhe si të tilla mund të ketë edhe mospërputhje, të cilat me seriozitetin më të madh do të adresohen nga KQZ në momentin e nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të votimit”, tha zëdhënësja e këtij institucioni duke shtuar se kjo është një vendimmarrje e legjislatorit shqiptar përmes Kodit Zgjedhor dhe e KQZ-së ndër vite. Në dilemën për të mos dhënë asnjë informacion apo për të dhënë një informacion paraprak, përmes këtyre vendimevë është zgjedhur, që të japë të dhëna mbi rezultatet, por pa pretenduar saktësinë absolute.

Kjo problematikë e mbarsur mund të zgjidhet vetëm në rast se procesi i votimit bëhet tërësisht përmes teknologjisë”, nënvizoi KQZ.

Si ka funksionuar në zgjedhjet e mëparshme?

Meqë ngërçi i krijuar mbi saktësinë e shifrave për pjesëmarrjen ishte një “risi” për 30 qershorin, “Faktoje” u interesua për mekanizmin e plotë të transmetimit të rezultateve nga KZAZ-të në KQZ dhe precedentët e mëparshëm.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve argumenton në përgjigjen zyrtare për “Faktoje” se mënyra telefonike është përdorur në mungesë të sistemit elektronik të përcjelljes së të dhënave.

Transmetimi i informacionit për pjesëmarrje në votime përmes telefonit celular është përdorur edhe në zgjedhjet e mëparshme në kushtet e mungesës së modulit për realizimin e transmetimit të tij”, tha KQZ në përgjigjen e saj .

Por nga verifikimet e raporteve për zgjedhjet e mëparshme “Faktoje” zbuloi se në vitin 2013 sistemi elektronik i përcjelljes së të dhënave, ka funksionuar.

“Faktoje” pyeti edhe Denar Bibën, ish-kryetar, aktualisht anëtar i KQZ i cili konfirmoi se donatorë të huaj para disa vitesh financuan disa qindra mijëra dollarë për një software për të realizuar transmetimin e të dhënave elektronikisht nga KZAZ-të në KQZ.

Në vitin 2013, transmetimi i të dhënave u bë përmes këtij sistemi elektronik dhe çdo gjë shkoi mirë, sipas anëtarit Denar Biba (pjesë e trupës së KQZ që prej vitit 2012).

Kjo konstatohet edhe në raportin vjetor të KQZ të paraqitur në Kuvend në shkurt të vitit 2014. Edhe në raport konfirmohet se në zgjedhjet e vitit 2013 është përdorur një sistem elektronik raportimi, për të cilin KQZ përgatitej ta përshtaste edhe për zgjedhjet lokale të 2015.

Megjithatë kjo nuk ndodhi, sipas Bibës prej kostos së lartë të përshtatjes së sistemit për zgjedhjet lokale që kërkonte të paktën disa dhjetëra mijëra dollarë.

Duke iu rikthyer raporteve të KQZ të këtyre tetë viteve, bie në sy një informacion i bollshëm mbi trajnimet konstante të stafit të këtij institucioni dhe vizitat studimore në Europë, si psh Slloveni dhe në botë, rasti i Koresë së Jugut, shtete me modele të suksesshme në menaxhimin e zgjedhjeve. Në realitet, procesi i 30 qershorit, jo vetëm që nuk tregoi ndonjë standard të arritur për shkak të këtyre trajnimeve, por përkundrazi, dëshmoi regres në një prej aspekteve më bazikë për zgjedhjet, atë të saktësisë së të dhënave.

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img