Politikani polak Grzegorz Braun nuk po vepronte në përkrahje të Palestinës kur shuajti qirinjte e festës hebreje Hannukah në parlamentin e Polonisë. Verifikimi i Faktoje zbuloi se veprimet e tij u shtynë nga antisemitizmi i rëndomtë.

—————————————————-

Një video e politikanit polak Grzegorz Braun duke shuar qirinjtë e festës hebreje Hannukah në parlament me një fikëse zjarri po qarkullon në rrjet me pretendimin se veprimi i tij ishte reagim ndaj veprimeve të shtetit izraelit në Gaza. 

Video e mësipërme tregon deputetin e ekstremit të djathtë duke marrë një fikëse zjarri që më pas e përdor për të shuar qirinjtë e ndezur me rastin e festës hebreje të Hannukah në parlamentin polak, duke përhapur një re të madhe të bardhë në sallë.

Sipas Reuters, incidenti ndodhi më 12 dhjetor 2023, përpara një votimi kyç për miratimin e kryeministrit të sapozgjedhur pro-BE Donald Tusk.

Megjithatë, duket se ky veprim i Braun nuk ishte në shenjë proteste kundër veprimeve të shtetit të Izraelit në Gaza, por një shenjë e urrejtjes së tij ndaj hebrenjve.

Në 30 maj 2023, Braun ndërpreu një leksion mbi Holokaustin në Varshavë duke hyrë me forcë dhe duke shkatërruar mikrofonin dhe spikerët. 

Braun njihet për deklaratat e tij kundër hebrenjve dhe mbështetjen e tij për teoritë konspirative antisemitike. Ai i ka quajtur edhe më parë hebrenjtë “armiqtë e kombit polak”, duke i akuzuar se kanë për qëllim të “pushtojnë territorin [e Polonisë] dhe t’i dërgojnë polakët nëpër rezervate.”

Pas incidentit të 12 dhjetorit, Braun nuk përmendi Izraelin, Palestinën apo Gazën.

Sipas Reuters, ai u kthye në sallën e parlamentit ku, nga podiumi, e përkshkroi festën e Hannukah si “satanike” dhe tha se, duke fikur qirinjtë, po rikthente “normalitetin”:

“Motive raciste më janë atribuar mua këtu, ndërkohë, unë jam thjesht duke rikthyer gjendjen e normalitetit dhe ekuilibrit këtu, duke i dhënë fund veprimeve të triumfalizmit satanik, Talmudist, sepse ky është mesazhi i këtyre festave.”

Pyetur pas incidentit nëse i vinte turp, Braun tha: “Ata që marrin pjesë në adhurim satanik duhet të kenë turp.”

Kështu, është e qartë se motivet e Braun nuk ishin humanitare, por e kundërta. 

Në një kohë kur akuzat e antisemitizmit përdoren për të hedhur poshtë kritikat kundër veprimeve të shtetit të Izraelit ndaj palestinezëve në Gaza, radhitja e përkrahësve të Palestinës krahas antisemitëve të vërtetë mund të shërbejë vetëm për të zbehur ndryshimin mes të dyve.