Dënimi me burg për mësuesin rebel irlandez jo për refuzimin transgjinor

4

Pretendimi: Mësuesi i krishterë irlandez që refuzoi ideologjinë transgjinore arrestohet sërish

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Lajmi për dënimin e ri me burgim të një mësuesi irlandez për shkak se kundërshton “ideologjinë gjinore” dhe refuzon t’i drejtohet një nxënësi të tij me përemrin “ata” është publikuar ditët e fundit në rrjetet sociale në gjuhën shqipe. Postimi shoqërohet me një video që pretendohet të tregojë arrestimin e mësuesit Enoch Burke më 19 janar 2026. Megjithatë, kjo narrativë keqinterpreton arsyen e vërtetë të burgosjes së tij.

Sipas një vendimi gjyqësor të datës 20 janar 2026, i cituar dhe nga Reuters, e cila ka verifikuar faktet e çështjes, Burke u burgos për mosrespektim të një urdhri gjyqësor që i ndalonte të hynte në ambientet e ish-shkollës së tij, Wilson’s Hospital School në Irlandën qendrore. Gjyqtari Cregan ka theksuar qartë në vendimin e tij se “Burke është burgosur për mosrespektim të gjykatës – jo për bindjet e tij fetare.” 

Çështja e Burke fillon në gusht 2022, kur ai u pezullua nga shkolla pasi ndërpreu një ceremoni përkujtimore dhe u konfrontua me drejtorin e shkollës. Burke pretendoi se konflikti kishte në zanafillën e tij çështjen e refuzimit të cilësimit me përemrin neutral “ata” të një nxënësi transgjinor. Megjithatë, kolegji nuk ndërmori zyrtarisht masa disiplinore ndaj tij deri në momentin që ndodhi përplasja në ceremoninë publike me drejtorin. 

Pas këtij incidenti publik, shkolla e pezulloi Burke dhe fitoi një urdhër gjyqësor që i ndalonte atij të hynte në ambjentet e shkollës. Megjithatë, Burke vazhdoi të paraqitej rregullisht në hyrjen e shkollës, duke shkelur vazhdimisht urdhrin e gjykatës. Për këtë arsye, ai u burgos për herë të parë në shtator 2022 dhe që atëherë ka hyrë e dalë disa herë nga burgu.

Siç e ka raportuar më herët Faktoje, Burke nuk është ndëshkuar me burgim për bindjet e tij mbi të drejtat e personave transgjinorë, por për mosrepektimin e përsëritur të vendimeve gjyqësore. Gjykata gjithashtu ka lëshuar gjoba kundër Burke, të cilat ai ka refuzuar t’i paguajë. Deri në shkurt 2025, ai i detyrohej gjykatës rreth 79,100 euro në gjoba të papaguara, gjë që çoi në pezullimin e llogarive të tij bankare.

Arrestimi më i fundit i Burke më 19 janar 2026 erdhi pasi ai u paraqit në ambjentet e ish-shkollës me 15 dhe 16 janar, vetëm disa ditë pasi ishte liruar nga burgu. Kjo është hera e pestë që Burke burgoset për mosrespektim të gjykatës. Shërbimi i Gjykatave të Irlandës ka konfirmuar se ai është burgosur specifikisht për shkeljen e urdhrit gjyqësor, jo për qëndrimet e tij ndaj transgjinorizmit.

Ekspertë ligjorë nga Universiteti i Dublinit kanë sqaruar se gjykatat irlandeze nuk kanë shqyrtuar asnjëherë meritat e debateve mbi çështjet gjinore në këtë rast. Çështja ka të bëjë ekskluzivisht me mosrespektimin e ligjit dhe urdhrave gjyqësorë. Postimet në rrjetet sociale që paraqesin rastin e Burke si një shembull të “persekutimit ideologjik” ose zbatimit të ashpër të “ligjeve për barazinë gjinore” keqinterpretojnë faktet dhe shtrembërojnë debatet ligjore.