Nga Sebi Alla

Fotografitë Atdhe Mulla

 Faktoje ka udhëtuar në Delvinë për të sjellë rrëfimet e banorëve që në pak orë humbën shtëpitë, vreshtat, mijra pemë ullinjsh dhe cdo investim e kursim të bërë gjatë jetës.  Rrëfimet tronditëse të banorëve që duket sikur kanë marrë ngjyrën e hirtë të një qyteze të djegur dëshmojnë pafuqinë e strukturave shtetërore për të minimizuar dëmet katastrofike të zjarrit që përpiu cdo gjë në pak orë.

Nën një oaz të vogël poshtë pjergullave të zhuritura, bashkëshortët, Luan dhe Monika Muho shfaqin emocione të përziera; gëzim që shpëtuan jetët e tyre dhe frikë e panik se ai zjarr katastrofik nuk do u shuhet në kujtesë, këtu e më pas. “Shpëtuam, por këtë tmerr që jetuam nuk do e kalojmë lehtë, as ne e as fqinjët”-thotë 73-vjeçari Luan Mara për Faktoje. Në Delvinë asgjë nuk është si më parë! Qindra banorë të traumatizuar, fëmijë e gra të larguar në panik e sipër nga vatra e tmerrit, gjashtë banesa të djegura, mijëra ullinj të shkrumbuar, vreshta të kthyera në thengjinj dhe bimësi e zhdukur. Ajo që ka mbetur pas mes hirit të zi, është dalja në “dritë” e pafuqisë së strukturave shtetërore, mungesës së mjeteve dhe sakrifica njerëzore e efektivëve të ushtrisë, zjarrfikësve dhe policisë, të cilët punuan pa pushim, të paktën të shpëtonin jetët e qytetarëve, dhe ia arritën…

Tmerri në prag

“Vatra më e madhe e zjarrit ndodhi në shtatë e gjysmë në darkë (shënim e martë 12 gusht). Kjo erdhi si pasojë e zjarrvënies në Leshnik dhe nuk u parapri që të ndërhyhej dhe shpëtonim edhe ne nga e keqja që na erdhi. Duhet të ishin marrë masa më përpara që ta përballonin”-thotë për Faktoje.al, 73-vjeçari Luan Mara, një nga ata banorë të rrezikuar seriozisht, banesa e të cilit është buzë kodrinës e cila u shkrumbua plotësisht. “Erdhën policia dhe na largoi”-ndërhyn bashkëshortja e tij, ndërsa herë pas here kur kujton çdo moment të forcës së zjarrit para pafuqisë së tyre që për pak u mori jetën. Përlotet…“Nuk merrnim dot frymë, afshi i zjarrit, tymi, paniku na përfshiu të gjithëve”-tregon 65-vjeçarja

“Nuk merrnim dot frymë, afshi i zjarrit, tymi, paniku na përfshiu të gjithëve”-tregon 65-vjeçarja

ndërsa qan teksa kujton çastin ku dy vajza fqinje të saj bërtisnin e mundoheshin të shuanin zjarrin që i shkoi në pragun e shtëpisë. “Situata e rëndë filloi në shtatë e gjysmë. Erdhi nga mali përbri. Unë isha në oborr kur shpërtheu flaka. Filluan të bërtisnin vajzat poshtë, nuk dilnin nga shtëpia. Zjarrfikësit kishin vajtur tek pusi i naftës. Një tmerr, luftë. Erdhën zjarrfikëset dhe policia, nuk ishin pak erdhën 50 policë. Na tërhoqën edhe ne. Dëme kemi në ullinj, po shpëtuam kokën”-thotë 65-vjeçarja Monika Moho për Faktoje.al. Edhe fqinji i saj Liro, që sapo ka ardhur i drobitur nga qafa e malit pranë, me një pompë të vogël në krahë, thotë se tashmë po ndihmon sa të mundet forcat zjarrfikëse për të shuar trungje pemësh të larta të cilat janë ende aktive nga zjarri dhe mund të bëjnë dëm sërish.  

Të gjithë në “sheshin e panikut”

“Sheshi para Bashkisë u mbush me shumë njerëz, ishte i vetmi vend që nuk rrezikohej përkohësisht nga zjarri. Kaos i madh e frikë, njerëzit pyesnin për të afërmit nëse i kishin parë dikush.

Me keq nuk kish ku shkonte”-thotë Gëzim Lame, banor i Delvinës dhe pronar i një lokali aty pranë Bashkisë. “Me thënë të drejtën angazhim pati për të shpëtuar shtëpi e njërëz, por duhet të ishte ndërhyrë më parë nga ajri”-këmbëngul një tjetër qytetar, i cili vetë thekson se  nuk ka pësuar dëme, por shumë familje të tjera kanë lënë katandi, kryesisht ullishte të dëmtuara thujase plotësisht.

Duart në kokë

Bimësia, ullishtet, vreshtat, pishat e buta, gështenjat, pemët frutore dhe shkurret, janë shkruambuar thuajse plotësisht, duke lënë pas një pamje të trishtë, pasojat e së cilës do jenë aty, për shumë dekada. Vetëm 14 orë…kaq mjaftuan që Delvina dhe rrethinat e saj sot të duket si pas apokalipsit. “Bo bo ullinjtë e mi. Bo bo c’qenka bërë…”-qe reagimi i parë i një banori të Delvinës sapo u ngjit në kodrën e qytetit, kah Mali i Sopotit. Poshtë saj, në një pllajë të madhe ndodheshin mijëra pemë ullinjsh, disa shekullorë dhe tjerë më të rinj.

Asgjë nuk ka mbetur, shkrumb e hi gjithçka, zi kudo, me përjashtim të ndonjë gropëze që zjarri nuk ka mundur të jetë aq i fuqishëm duket ndonjë pemë e përcëlluar, ende e pakallur. “Ke dëgjuar ‘vaj Delvine’? Ja këtu bëhej. A sheh më ullinj t’i, a sheh si janë bërë”-flet, pyet sikur gjithkush ka përgjegjësi (edhe ne), e më pas po vetë jep përgjigje. I kërkojmë të flasë me emër e para kameras, por mesoburri që nuk do dhe gjithkush do i jepte të drejtë teksa gjithë kohës shfaq një lloj traumatizimi. “Çfarë të flas unë? Shihni çfarë bëhet. Kujt t’ja vë fajin për këtë nuk e di”-vjon të përsërisë, duke shtuar pas çdo fjalie të shkurtër vetëm:.. “Bo, bo, bo,”- me duart në kokë.

Një zjarrefikëse e Delvinës prodhim i vitit 1963

Një grup i vogël ushtarësh gatiten disi përtueshëm sapo shohin se po fotografohen dhe mediat janë përqark. Mundohen të mbajnë qëndrim drejt, edhe pse këmbët i lëshojnë. Duart të nxira nga shkrumbi i zi i zjarrit që la lënë pas, fytyra e sterrosur, ndonëse këta njerëz i zbardhën faqen Delvinës, shpëtuan jetë njerëzish.

Secili prej tyre është hero I gjallë në vetvete, sepse kanë bërë që sot të mos numërohen të vdekurit, po ashtu edhe një grup zjarrfikësish ca më tej dhe disa efektivë policie po aq të dërmuar. Ti pyesësh në u lodhën duket sikur i fyen… Lodhjen, mundin, problemet me frymëmarrjen dukshëm e shfaqin. Mjetet që kanë në duar një pirg lopatash, ndonjë shkurre dhe pak pompa krahu që shërbejnë për neutralizimin e vatrave të vogla. Një zjarrfikëse e Delvinës, nga dy të vetmet që ka qëndron paksa pushim… Vitprodhimi është 1963…! “Mbahet ende dhe ishte mirë se futej në terren të thyer”-thotë një burim në kushtet e anonimitetit. Sa për veshje speciale është luks të kërkohet. Po ashtu edhe zjarrfikëse moderne që kanë fuqi hedhëse të ujit në distancë të largët. Një tjetër problem me pjesën logjistike ishte se zjarrfikëset nuk shoqëroheshin me autobote në vendin ku ndërhynte dhe u duheshin të ktheheshin për furnizin në qendrën e tyre. Zjarrfikës të paguar keq, po ashtu edhe ushtarë, veçanërisht të repartit të xhenios që futen të parët mes flakëve. Sanduiç dhe ujë… Kjo qe dreka dhe darka e forcave ushtarake, zjarrfikëse dhe policore që morën pjesë për gati 24 orë në shpëtimin e zonës urbane të Delvinës. Shpëtuan njerëz e shtëpi, pasi gjithçka tjetër këtu është shkrumbuar.

Zjarri një javë përqark…

Gati një ironi therëse edhe e natyrës u luajt në trekëndëshin Vlorë-Delvinë-Finiq. Ndërsa qyteti i Vlorës një javë më parë përmbytej nga shtrëngata shiu, në Finiq dielli përvëllues dilte e humbte nga re të dendura duke shkarkuarr shumë rrufe. “Një rrufe ra në majën e Malit pranë Finiqit duke ndezur një varët zjarri fillimisht të vogël, por që me kalimin e kohës pati përhapje”-thotë për Faktoje.al, Prefekti i Vlorës, Plator Nesturi, i cili gjithashtu shton se “terreni ishte mjaft i thyer dhe ishte e pamundur ndërhyrja me forca njerëzore”. Ndërsa për ndërhyrje nga ajri erdhi por vonë, shumë vonë zjarri shkatërroi gjithçka gjeti përpara.

Dy avionë canader të ardhur nga Italia dhe dy helikopterë shuan një pjesë të zjarrit aktiv në mëngjesin e së mërkurës. “Duket që situata është përmirësuar ndjeshëm megjithëse kanë qenë orë shumë të ethshme nga zjarri kërcënues. Zjarri shkoi në tre anët e Delvinës dhe u bë shumë problematik”-thotë për Faktoje.al, Prefekti i Vlorës Plator Nesturi, i cili pohon gjithashtu se situata ishte mjaft serioze. “Gjëja e parë ishte evakuimi i banorëve dhe më vonë filloi ndërhyrja shtëpi më shtëpi e rrugë, pikërisht në segmentet që vinte zjarri. Sipër Delvinës ndodhen pikat e puseve të naftës dhe këtu kishte vëmendje të shtuar si dhe një depozitë gazi”-thotë ai, ndërsa shton se ka pasur ndihmë nga të gjithë bashkitë e qarkut Vlorë me mjete zjarrfikëse, por edhe nga Gjirokastra dhe Fieri.

“Ka pasur një ndihmë të shtuar nga forcat e ushtrisë mbi 120 efektivë, kjo e shoqëruar me 60 efektivë të zjarrfikësve nga njësitë vendore. Në të gjithë atë luftë që u bë mund të themi që dëmet jo se janë të vogla, por kemi shpëtuar me efektivitet një dëm që do ishte shumë herë më të mëdha. Së pari kemi shpëtuar jetë njerëzore”-thotë Nesturi.  Ai gjithashtu zbulon për Faktoje.al se është në plan hartimi krijimi i dy qendrave zjarrfikëse që do të shërbejnë për ndërhyrjet me efikase në të ardhmen. “Kemi menduar të kemi krijimin e dy zonave, që do jenë të tilla që të përmbushin kapacitetet, të jenë të varura nga ushtria. Njëra do jetë në Bonavi, afër Vlorës, dhe tjetra në Finiq. Do ketë një pozicionim zjarrfikëseve në dy zona më problematike. Efikasiteti është më i madh madh jo vetëm bashkitë e zjarrfikësve që punojnë në terren, por në situata emergjence do ketë ndërhyrje me shtim kapacitetesh të këtyre dy stacioneve”-tha Nesturi. Bilancet e dëmeve ende nuk janë bërë, një për një, porn ë fund do shfaqet një shifër katastrofike. Delvina dhe rrethinat e saj janë shkrumbuar. Bimësia, gjallesat pemët frutore, ullishte dhe vreshta nuk janë më, qindra hektarë janë shndërruar në pluhur e hi, e bashkë me të zbuluam mangësitë e mëdha të mjeteve dhe burimeve njerëzore në kohë ermërgjancash.