Në emër të transparencës, si taksapagues dhe si gazetarë të rinj, që përpiqemi çdo ditë me përulësi, të kryejmë detyrën si qytetarë e më pas si gazetarë, e ndjejmë për detyrë të sqarojmë publikun pas reagimit të ministres së Drejtësise, znj. Etilda Gjonaj mbi shkrimin investigativ të “Faktoje”, për shpenzimet e kryera prej saj gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit
“Faktoje” është një medium i ri i gazetarisë investigative i themeluar dhe mbështetur nga USAID, me qëllim të informojë qytetarët dhe taksapaguesit shqiptarë, sesi shpenzohen paratë e buxhetit të shtetit, sa të vërtetë janë politikanët në mbajtjen e premtimeve dhe në respektimin e ligjit gjatë ushtrimit të mandatit të tyre. Taksapaguesit amerikanë që kanë mbështetur deri më sot trajnimin e gazetarëve të rinj të “Faktoje” dhe media të tjera të ngjashme fakt-verifikuese në Evropë dhe Ballkan, janë të bindur se transparenca dhe vërtetësia e informacionit janë vitale për një demokraci të shëndetshme. “Faktoje” e mbështetet të gjithë punën në parimin e paanshmërisë dhe shërbimit me korrektësi ndaj qytetarëve shqiptarë.
Në lidhje me investigimin mbi udhëtimet e ministres Gjonaj, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se “Faktoje”, prej më shumë se një muaji, ka kërkuar informacion zyrtar pranë Kryeministrisë dhe të gjitha ministrive, bazuar mbi Ligjin për të Drejtën e Informimit, nr.119/2014. Më konkretisht, është kërkuar informacion mbi:
- Sa herë ka lëvizur në udhëtime zyrtare jashtë shtetit titullari i ministrisë në periudhën janar 2018- qershor 2019 dhe në cilat destinacione?
- Sa udhëtime ka kryer me avion dhe në çfarë klasi?
- Sa kanë qenë kostot e secilit prej udhëtimeve (bileta, akomodimi, dietat etj)?
- Sa ka qenë gjatë kësaj periudhe zëri në buxhet për udhëtimet jashtë vendit?
Ministria e Drejtësisë ka qenë e para, që vuri në dispozicion brenda afatit të parashikuar, informacionin e kërkuar dhe të detajuar. Faktet që kemi analizuar nga këto dokumenta janë publikuar tashmë dhe janë vetë lexuesit ata që mund të vlerësojnë nëse shifrat e hoteleve dhe biletave të përzgjedhura nga Ministria e Drejtësisë janë të pranueshme për një vend të varfër si Shqipëria.
“Faktoje” refuzon të bëjë komente mbi komentet e ministres apo ndonjë kolegu që shqetësohet nga mosha e re e gazetarëve tanë, për aq kohë sa ka në dorë faktet, të cilat meritojnë të gjithë vëmendjen dhe energjitë e tyre. Analiza mbi këto fakte është një detyrim i yni dhe askush nuk mund të na ndalojë të bëjmë transparencë bazuar mbi argumenta.
Pjesa më e madhe e redaksisë së “Faktoje”, përbëhet nga vajza, gra, nëna dhe bashkëshorte që çdo ditë, ashtu si ministret gra të kabinetit, përballen me vështirësi, sakrifica dhe paragjykime.
Detyra e një gazetari sot në Shqipëri, duke ruajtur integritetin është lufta e përditshme që duhet të bëjë edhe me pushtetin, në një klimë ku mungon një standard komunikimi i çliruar nga përçmimi e baltosja apo nga teoritë konspirative dhe armiqtë imagjinarë në mendet e politikanëve apo dikuj tjetër.
Së fundi, dëshirojmë të sigurojmë lexuesit tanë se në ditët në vijim do të bëjmë publike shpenzimet e ministrive të tjera. Për ato ministri që kanë shkelur afatet, përfshirë edhe Këshillin e Ministrave, “Faktoje” ka hartuar ankimimet përkatëse, pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe është e gatshme t’i drejtohet edhe gjykatave për të kërkuar respektimin e këtij detyrimi në interes të publikut.
Më poshtë keni linkun e plotë të shkrimit :
https://faktoje.al/700-euro-nje-nate-ne-rome-per-ministren-e-drejtesise/