Një grup organizatash të medias dhe të të drejtave të njeriut (nënshkruar më poshtë) reagon me shumë shqetësim ndaj zhvillimeve të fundit, ku prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e serverit të Lapsi.al.
Standartet etike të gazetarisë përcaktojnë se një gazetar ka të drejtë dhe detyrë të mbrojë burimin e vet, të mos e vërë në rrezik dhe të mos e dekonspirojë atë. Investigimet bëhen për të ekspozuar problematika të ndryshme dhe detyra e prokurorisë është të ndjekë burimin e problemeve të investiguara, jo gazetarët që e investigojnë dhe bsurimet e tyre konfidenciale.
Për më tepër, sekuestrimi i serverit të medias Lapsi.al vë në rrezik jo vetëm burimin e këtij investigimi por dhe gjithë burimet e investigimeve të mëparshme të LAPSI.AL, duke dekonspiruar të gjithë burimet konfidenciale të mëherëshme të kësaj medieje.
Pasoja indirekte e këtij veprimi nga ana e Prokurorisë është frikësimi i çdo personi (whistleblower) që ka denoncuar dhe mund të denoncojë tek gazetarët në mënyrë konfidenciale abuzimet e pushtetit.
Organizatat tona konsiderojnë që ky veprim cënon drejtpërdrejtë lirinë e medias dhe i kërkon Prokurorisë që Kodin e Procedurës Penale ta zbatojë në frymën e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (nenin 10 që garanton lirinë e shprehjes) dhe standarteve te elaboruara në jurisprudencën e GJEDNJ-së, duke mos aplikuar nenin 159/3 të Kodit të Procedures Penale që detyron gazetarët të tregojnë burimin e informacionit, si dhe që çdo veprim hetimor apo mjet për sigurimin e provës në këtë fazë tepër të rëndësishme të hetimit, të mos identifikojë, dhe rrjedhimisht cënojë burimin e informacionit.
Për çështjen e rrjedhjes së të dhënave dhe dyshimin se është përdorur politikisht, kërkojmë që të zhvillohet një hetim i shpejtë, objektiv dhe i gjitheanshëm nga organi i Prokurorisë.
Organizatat tona i bën thirrje organizatave ndërkombëtare të gazetarëve dhe të dretjave të njeriut, Këshillit të Europës, OSBE-së, Ambasadorit të BE-së, Ambasadores Amerikane dhe ambasadave të tjera europiane në vend, të mbështesin këtë deklaratë në mbrojtje të standartit kryesor për një shtyp të lirë.
Organizatat nënshkruese
Association of European Journalists / Dega Shqipëri
AIS/Open Data Albania
Association of Professional Journalists of Albania
BIRN Albania
Citizens Channel
Civil Rights Defenders
Faktoje.al
Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut
Instituti Shqiptar i Medias
Këshilli Shqiptar i Medias
Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Media Look
Qendra Politico
Qendra Res Publica
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë