Deklaratat e Orbanit mbi Trumpin dhe luftën në Ukrainë janë spekulime

Deklaratat e Orbanit duhet të shihen me skepticizëm duke qenë se ai prej kohësh dhe në mënyrë rutinore ka minuar mbështetjen e BE-së për Ukrainën

291
Ne foto: Viktor Orban dhe Donald Trump

Nga Barbara Halla- Fitorja e Donald Trumpit gjatë zgjedhjeve presidenciale të datës 5 nëntor ka shkaktuar pasiguri, si dhe spekulime të shumta në mediat botërore dhe ato shqiptare. Është e kuptueshme që në qëndër të vëmendjes ka qënë sidomos politika e jashtme që Trump do të ketë ndaj zonave më në rrezik duke përfshirë Gazën, Ballkanin Perëndimor, dhe sidomos luftën në Ukrainë. Në javët e fundit mediat shqiptare kanë ricikluar një deklaratë të kryeministrit hungarez Viktor Orban, sipas të cilit, Trump do të tërheqë mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, duke aluduar për një fitore të Rusisë. Kjo deklaratë është përhapur si një fakt i kryer, por bëhet fjalë vetëm për një parashikim nga e Orbanit dhe jo një nismë konkrete nga Trump.

Deklaratat e Orbanit duhet të shihen me skepticizëm duke qenë se ai prej kohësh dhe në mënyrë rutinore ka minuar mbështetjen e BE-së për Ukrainën, duke u përpjekur të ulë ndihmën financiare që organizata ka çuar drejt Ukrainës. Për më tepër ai ka qënë kundër sanksioneve që BE-ja dhe SHBA i kanë vendosur Rusisë që prej fillimit të luftës. Në të shkuarën, Orban ka qënë një mbështetës i Ukrainës, por që prej ardhjes në pushtet në vitin 2010, kjo marrëdhënie është prishur. Nga një anë mendohet se kjo ka ardhur si rezultat i trajtimit që Ukraina ka pasur ndaj minoritetit Hungarez në vend, duke përfshirë një ligj që nuk do të lejonte mësimin e gjuhës hungareze në Ukrainë.

Megjithatë, arsyeja kryesore ka të bëjë me marrëdhënien e afërt që Orbani ka me Rusinë dhe Putin. Obrani e konsideron Rusinë një aleate të Hungarisë dhe e sheh Putin si një model edhe për veten: në 14 vitet që ka qënë në pushtet Orbani e ka shtyrë Hungarinë drejt autoritarizmit, gjë që i ka shkaktuar probleme dhe me Bashkimin Europian.

Përsa i përket Trumpit vetë, lufta në Ukrainë filloi dy vite pasi kishte ikur nga pushteti, megjithatë përgjatë dy viteve të fundit ai ka folur shpesh për këtë çështje. Që prej fillimit, ai është ankuar për ndihmën ushtarake që SHBA-ja ka çuar në Ukrainë, dhe përgjatë fushatës ka kërcënuar se do të ndalojë asistencën amerikane, duke e quajtur Zelenskin një “nga shitësit më të mirë në historinë e botës.” Për këtë arsye, Trumpi, i cili e sheh NATO-n me skepticizëm, e ka fajësuar Ukrainën për nisjen e luftës.

Që prej ardhjes së tij në pushtet Trumpi ka qenë shumë i afërt me Putin, i cili akuzohet se e ka ndihmuar përmes një fushate dizinformimi në Facebook në zgjedhjet e 2016-tës. Afërsia e Trumpit me Putin i ka shkuar ndesh politikave të influencuara nga Lufta e Ftohtë që e kanë parë Rusinë si armike të SHBA-së. Edhe sot, siç e diskuton revista amerikane Foreign Policy, ende nuk dihet nëse marrëdhënia e afërt që Trumpi ka me Putin vjen si pasojë e një admirimi personal që Trumpi ka për liderët autokrat, apo pasi Rusia ka informacione kompromentuese mbi të.

Gjatë fushatës, Trumpi ka premtuar se do të mbaronte luftën brenda një dite kur të vijë në pushtet, edhe pse nuk ka përmendur detaje specifike. Në shtator, J.D. Vance, i cili do të jetë zëvendës president i SHBA-s, tregoi disa nga detajet e planit. Kjo përfshin diskutime disa-palëshe midis Kremlinit, Ukrainës, Rusisë dhe BE-së, si dhe krijimin e një zone kufitare të demilitarizuar siç është vendosur midis Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut. Vance nuk diskutoi vendndodhjen ose shtrirjen e zonës së çmilitarizuar, por theksoi se ajo do të ishte “shumë e fortifikuar në mënyrë që rusët të mos pushtojnë përsëri”. Sipas Vance, Ukraina do të ruajë sovranitetin, por duhet edhe të nënshkruaj një marrëveshje neutraliteti, sipas të cilës nuk do të bëhet pjesë e NATO-s.

Me datë 13 nëntor, Trumpi i takua me Biden. Biden tha se mbështetja për Ukrainën ishte e mirë për sigurinë kombëtare të SHBA-së, sepse një Evropë e fortë dhe e qëndrueshme do ta pengonte një luftë të mëtejshme. Nga ana e tij, Trump është zotuar përsëri të përfundojë shpejt luftën Rusi-Ukrainë, pa thënë se si.

Për momentim, jemi ende ne një situatë spekulative. Politikat e Trump-it në përgjatë periudhës 2016-2020, si dhe deklaratat dhe kabineti që ka përzgjedhur, japin shenja treguese por nuk jemi të sigurtë se si do të zhvillohet politika e jashtme e Trump në momentin që do të rikthehet ne Shtëpinë e Bardhë. Një nga tiparet karakteristike të Trumpit si president ka qënë paparashikueshmëria e tij, si dhe aftësia për t’i kthyer krahun aleatëve dhe miqve nga një ditë në tjetrën. Për momentin, planet e Trumpit për Ukrainën janë të paqarta, dhe deklaratat bombastike për fundin e luftës nuk japin plane konkrete.