Deklarata e trazuar e Albin Kurtit mbi gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut

Deklarata e Albian Kurtit solli kritika në mediat shqiptare

287
Ne foto: Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti

Nga Barbara Halla – Në muajt e fundit, përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar debate të shumta si në Shqipëri, dhe përtej kufirit. Mediat vendase, duke iu referuar  portaleve maqedonase, kanë shkruar për mënyrën sesi qeveria maqedonase nuk po përmbush detyrimin për të komunikuar në nivelin kombëtar si në gjuhën shqipe dhe në atë maqedonase. Kjo narrativë është përdorur në një kohë kur qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, e cila ka tendenca nacionaliste, po synon të ndërmarrë edhe politika kundra-shqiptare përgjatë mandatit të saj.

Tema e debatit për gjuhën shqipe u ngrit edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili përpara një takimi me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, bëri një deklaratë mbi gjuhën shqipe nga Prishtina. Deklarata e Kurtit solli kritika në mediat shqiptare

Nga ana tjetër, partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim e kritikoi Kurtin duke thënë se po shpërndante deklarata të pavërteta. Kreu i BDI-isë, Ali Ahmeti, tha se “është për keqardhje që një Kryeministër i Kosovës jep deklarata që përputhen me narrativat që synojnë të minojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”

Por, cfarë tha Albin Kurti konkretisht? Ai foli specifikisht për mënyrën sesi zyrtarizimi i gjuhës shqipe në ligjet maqedonase është e cunguar, dhe e lë gjuhën shqipe në situatë të rrezikshme.

Deklarata e plotë e Kurtit është si më poshtë:

“Nuk ka në Maqedoni të Veriut Ligj për përdorimin e gjuhës shqipe dhe nuk ka patur as në të kaluarën. Ekziston ligji për përdorimin e gjuhëve që e përmend shifrën 20%. Po ai nuk është ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, por përdorimin e gjuhëve,” ka thënë ai mbi këtë çështje.

BDI-ja iu kundërvu kësaj deklarate duke cituar ligjin. Në ligjin mbi përdorimin e gjuhëve shkruhet:

 Burim: Ligji për përdorimin e gjuhëve

Në pikën e parë të këtij neni, ky ligj përcakton se gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare e vendit. Në pikën e dytë, shkruhet se gjuhë tjetër zyrtare do të jetë gjuha e folur nga të paktën 20% e popullsisë, në këtë rast kjo është gjuha shqipe. Kjo specifikohet edhe në Kushtetutën maqedonase: Neni 1 shpall maqedonishten si gjuhë zyrtare, dhe në amendamentin e pestë shkruhet se gjuhë tjetër zytare do të shtohet nëse flitet nga të paktën 20% e popullsisë.

Burim: Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut

Por në ndryshim nga gjuha maqedonase, e cila është gjuha zyrtare e vendit pa kushte të tjera, gjuha shqipe do të mbetet gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut për aq kohë sa flitet nga të paktën 20% e popullsisë.

Përfshirja e gjuhës shqipe me këto parametra ka ardhur si pasojë e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, të firmosur nga qeveria maqedonase dhe përfaqësues shqiptarë në vend pas luftës atje. Në pikën 6 të dokumentit në anglisht, shkruhet po ashtu se gjuha zyrtare do të jetë maqedonishtja, si dhe gjuha e folur nga 20% e popullsisë.

Burim: Marrëveshja e Ohrit

Sipas censusit të vitit 2022, 24.3% e popullsisë së Maqedonisë së Veriut janë shqiptarë

Burim: Enti Shtetëror i Statistikës së Maqedonisë së Veriut

Por pse e evidentoi Albin Kurti këtë fakt në takimin e tij të zhvilluar në Prishtinë me Kryeministrin Mickoski? Dihen lidhjet e afërta politike që Kryeministri i Kosovës ka me koalicionin ‘Vlen’ që është pjesë e qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Aktualisht në Maqedoninë e Veriut ka një debat të hapur politik lidhur me gjuhën shqipe kryesisht mes BDI-së që është në opozitë dhe koalicionit qeverisës.

Koalicioni Fronti Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, më 8 dhjetor njoftoi nisjen e iniciativës “Roja e Gjuhës”, një veprim që, sipas organizatorëve, synon të ndalojë “tendencat politike që minojnë Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit”.

Nga ky koalicion u deklarua se do të qëndrojnë para Gjykatës Kushtetuese në Shkup, deri në shqyrtimin e Ligjit për gjuhët.

Kushtetuesja pritet ta shqyrtojë Ligjin e shumëpërfolur për gjuhët gjatë një seance këtë të mërkurë.  Kryeministri Mickoski, më herët, është shprehur se gjatë kësaj seance në Kushtetuese “nuk do të ndodhë asgjë”.

Ai akuzoi BDI-në për krijimin e tensioneve ndëretnike. Edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mxhiti, nga koalicioni shqiptar VLEN, pjesë e Qeverisë, tha se gjuha shqipe nuk është cenuar, por shtoi se “pasuritë e paligjshme të BDI-së, po”.