Pretendimi: Dy makina të ndryshme në aksidentin e Lady Dianës ngrenë dyshime
Verdikti: Mungon konteskti
Aksidenti tragjik i princeshës Diana është një nga ngjarjet që vijon të prodhojë dyshime e teori konspirative. Një prej tyre është dhe “misteri” i fotografive të dy makinave të ndryshme ditën e aksidentit në vitin 1997.
Në përshkrimin që shoqëron imazhet shkruhet:“Dy targat e makinës (1) ku hipi Ledi Diana pasi doli nga hoteli 10 min para aksidentit dhe (2) targa e makinës në aksidentin ku thuhet se ajo vdiq në tunel. Çka ndodhur vallë?!”
Postimi ka marrë qindra reagime teksa dhjetra komentues ndajnë të njëjtën teori konspirative duke shtuar se Princesha e Uellsit nuk ka vdekur.
Faktoje i është referuar informacionit zyrtar të publikuar nga The Independent në vitin 2005, ku për herë të parë u publikuan dokumente të Zyrës së Kabinetit Britanik në bazë të Ligjit për Lirinë e Informacionit. Këto dokumente, të dërguara menjëherë pas ngjarjes mes autoriteteve britanike dhe atyre franceze, hedhin dritë mbi çfarë ndodhi atë natë tragjike.
Sipas dokumenteve, Diana dhe Dodi Al Fayed fillimisht kishin planifikuar të largoheshin me një makinë me qira, por ajo nuk u ndez. Si rrjedhojë, ata hipën në një tjetër Mercedes të drejtuar nga Henri Paul, një shofer i hotelit Ritz. Ky ndërrim i makinës në minutë të fundit ishte pasojë e një defekti teknik dhe jo një skenar misterioz.
Pra, ishin dy makina të ndryshme, të parat me funksionin e makinave të eskortës, dhe të dytat në dispozicion të hotelit. Por ndryshe nga sa pretendohet vetëm një makinë mori pjesë në aksident, ajo me të cilën u larguan Diana dhe Dodi. Targa e kësaj makine është dokumentuar qartësisht nga autoritetet franceze dhe britanike, si dhe nga hetimet që pasuan.
Fotografitë e shpërndara në rrjete sociale tregojnë dy makina të ndryshme me dy targa të ndryshme, por kjo nuk provon një ndërrim të qëllimshëm për të fshehur të vërtetën, siç pretendojnë konspiracionistët. Është e logjikshme që makina e parë dhe makina e dytë të kenë targa të ndryshme, pasi bëhet fjalë për dy automjete të ndryshme.
Hetimet zyrtare në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë Operacionin Paget (2004–2008), i kushtuan vite të tëra analizës së çdo detaji rreth aksidentit dhe nuk gjetën asnjë provë që mbështet teorinë e një komploti të organizuar apo manipulimi të makinës apo targave. Të gjitha provat mbështesin faktin se aksidenti ishte rezultat i një kombinimi tragjik: një ndjekje nga paparacët, shpejtësi e lartë, shoferi i makinës Henri Paul nën efektin e alkoolit dhe një ndryshim i papritur i planit të udhëtimit.