Heqja e gjuhës shqipe nga tabelat e sinjalistikës rrugore, rindezi debatet në Maqedoninë e Veriut. Përplasje mes partive shqiptare në opozitë dhe atyre në koalicionin qeverisës. Incidenti koincidon me shqyrtimin në Gjykatën Kushtetuese, në fillim të tetorit të shfuqizimit të tre neneve të gjuhës shqipe nga “Ligji për zbatimin e gjuhëve”. Rreziku i rizgjimit të tensioneve etnike.
Nga Ben Andoni
Pak ditë më parë, pothuajse në mesin e muajit shtator, udhëtarët e parë, që do të përshkonin udhën për në Kosovë nga Bllaca e Maqedonisë së Veriut u gjendën të shokuar kur panë se ishte hequr tabela e sinjalistikës rrugore, shkruar edhe me gjuhën shqipe. Mbrëmjen e së premtes të 13 Shtatorit tabela e shkruar “Mirë se vini në Republikën e Maqedonisë së Veriut” rezultonte tashmë në vetëm tre gjuhë: në maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht.
Reagimi ishte i ashpër nga shqiptarët, kryesisht nga BDI, e cila nuk i kurseu sulmet ndaj kundërshtarëve të tyre të VLEN-it duke i cilësuar si të paaftë dhe shërbëtorë të VMRO-së, që po shkatërrojnë hapur arritjet kombëtare. “Aleanca për Shqiptarët” e Ziadin Selës ishte po në të njëjtën valë. Në fakt, reagimi i VLEN-it ishte i menjëhershëm dhe ata kërkuan hetime. Dhe, vërtetë, fill në fundjavë tabela ishte larguar dhe ishte rikthyer tabela e vjetër, ku figuronte edhe gjuha shqipe.
Edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski nuk i ka bishtnuar situatës por kuptohet se fajin e projektoi drejt opozitës. “Cili institucion është nuk e di, mendoj se nuk është institucion, por se është pjesë e atij planit për destabilizim të atyre strukturave kriminale që në vitet e kaluara u pasuruan në kurriz të qytetarëve”. Ai foli për kriminelë politikë “të frikësuar nga hetimet që po afrojnë” e që për pasojë”reagojnë në këtë mënyrë, tentojnë ta destabilizojnë shtetin por, nuk kanë sukses“, tha me një ton cinik kryeministri Mickoski.
Notat zbutëse erdhën fillimisht nga shqiptarët në pushtet. Arben Taravari, si një nga përfaqësuesit më të lartë nga VLEN-i, paskësaj pohoi se: rasti ishte dramatizuar pa nevojë, ndërsa kishte për qëllim vetëm heqjen e vëmendjes nga vendimi i Gjykatës së Apelit që i riktheu vulat e partisë, ashtu si konferenca e atyre ditëve, ku u shpalosën, sipas tij, parregullsitë e opozitës shqiptare, ish-funksionarëve të BDI-së. Madje, shkoi edhe më tej: Ajo tabelë është vendosur nga funksionarë të BDI-së me urdhrin direkt të ish-drejtorit të ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore, sipas tij.
Paradoksalisht, tabela të tilla ka me qindra në Maqedoni. Kështu, media, menjëherë ka dhënë referime të tjera, si për shembull një tabelë në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, e cila ishte po ashtu vetëm maqedonisht, por asnjëherë deri më atëherë s’ishte dramatizuar. “Thjesht ishte defokusim, por kaloi edhe kjo tabela u ndryshua dhe u vendos tjetër, e cila përsëri do të jetë edhe në gjuhën shqipe”, tha mes tjerash Taravari.
Pyetja e thjeshtë, që kureshton tashmë mbi publikun, është nëse kjo ishte paraparë në bisedimet për formimin e qeverisë, kur VLEN-i negocioi strukturën e qeverisë me z. Mickoski?! “Sipas informacioneve të mia, kjo çështje nuk është diskutuar në negociatat për formimin e qeverisë”, shprehet Despina Kovaçevska, studiuese në fondacionin “Metamorfoza” në Maqedoninë e Veriut për faktoje.al.
Zyrtarisht, përgjegjësia për tabelat ku shkruhet “Република Северна Македонија” dhe tjetra “Добредојдовте во Република Северна Македонија” të shoqëruara edhe nga shkrimi në anglisht dhe frëngjisht, ka rënë mbi Ndërmarrjen Publike “Rrugët Shtetërore”, e cila ka tagrin t‘i vendosë. Pikërisht, ishte kjo strukturë që edhe nisi ta heqë shqipen nga shenjat në rrugët me të cilët menaxhon kjo ndërmarrje. Tendenca për të minimizuar apo edhe më keq, për të hequr gjuhën shqipe nga përdorimi, ka filluar që me ardhjen e Qeverisë së re të VMRO-VLEN-ZNAM, referuar opozitës së sotme shqiptare.
Ndoshta i gjithë ky proces provokues do kalonte pa u bënë re, nëse nuk do përshtatej me kohën kur Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski të caktonte, për në fillim të muajit tetor, një mbledhje të institucionit më të lartë autoritativ, ku do të shqyrtohet për shfuqizimin e tre neneve të gjuhës shqipe nga “Ligji për zbatimin e gjuhëve”. I pyetur nga MIA se a do të arrijë Gjykata Kushtetuese të balancojë me mençuri pa i prishur marrëdhëniet politiko-etnike në vend, sidomos pas informimit të kryeministrit për sfida të mundshme të sigurisë këtë vjeshtë, Kostadinovski pohoi se: “Është një temë komplekse dhe e gjerë që përbëhet nga 13 nisma qytetare, parti politike, shoqata të ndryshme. Çështja është trajtuar nga disa gjyqtarë dhe unë jam kryetari i katërt i Gjykatës që do të kem mundësi ta prezantoj rastin në seancë. Për sa i përket rezultatit, do të përmbahem nga një opinion personal edhe pse kam një qëndrim për këtë çështje që kur na është shpërndarë raporti i parë. Argumentet për këtë rast do të mund t’i dëgjojë edhe opinioni sepse në javën e parë të tetorit do të jetë në rendin e ditës së Gjykatës”.
Në fakt ka një ndjesi se po hidhet baza për heqjen e gjuhës shqipe para vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e Ligjit për Gjuhët dhe kjo përkon me masën e heqjes së tabelave! Historia e hartimit të ligjit ka kaluar shumë caqe dhe daton që nga viti 2019.
“Hapja e kësaj teme në këtë moment kur situata politike është e tensionuar mes partive në pushtet dhe opozitës, për mendimin tim është bërë për debat dhe pikë politike. Kjo bëhet për pika propagandistike dhe politike në një kohë kur në vend paralajmërohen destabilizime të mundshme dhe ky mund të jetë një nga treguesit në këtë drejtim”, shprehet Despina Kovaçevska, studiuese pranë fondacionit “Metamorfoza” në Maqedoninë e Veriut, për faktoje.al.
Deklaratat e kreut të kushtetueses, sado të qeta, do t’i shqetësonin realisht partitë shqiptare. Por VLEN përballjen e ka me BDI, ndaj sipas tyre, nisma që vjen nga E Majta duhet të refuzohet. “Duke pasur parasysh faktin se iniciativa vjen nga një parti anti-NATO, që glorifikon regjimin komunist të Enver Hoxhës, më e pakta që presim është që kjo të refuzohet me konstatimin se është një përpjekje për grusht shteti. Kjo veçanërisht për faktin se bëhet fjalë për kontestimin e procesit të hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pa u thelluar në përmbajtjen e tij”, thonë nga VLEN.
Nga ana tjetër, për Frontin Evropian kundërshtaren e VLEN-it, shkelja e mekanizmave dhe të drejtave që dalin nga Marrëveshja e Ohrit, nuk është gjë tjetër veçse kthim para këtij dokumenti. “Ne duam t’i kujtojmë qeverisë aktuale se nuk ka dyshime për këto tema dhe janë mbyllur me ndryshimet kushtetuese dhe ligjet e tjera që janë në fuqi, të cilat janë votuar me shumicë të dyfishtë dhe absolute, nga përbërje të ndryshme parlamentare ku kanë marrë pjesë të gjitha partitë, numri më i madh, maqedonas”, citohen burime nga Fronti Evropian, tashmë në opozitë.
Kurse, kryetari i “Aleancës për Shqiptarët”, Zijadin Sela është i më direkt në përcaktimin e tij: “Nuk mundesh ti me Kushtetutë, dhe me ligj për gjuhët të krijosh dy kategori qytetarësh. Një qytetar, ja po i lemë shqiptarët, një maqedonas që ka një gjuhë zyrtare në Strumicë dhe një qytetar maqedonas që ka dy gjuhë zyrtare në Strugë”, është shprehur Zijadin Sela në ClickPlus.
Edhe pse për politikanët opozitarë, çështjen e gjuhës shqiper duket se po e fusin në një “Shtrat Prokrusti”, i pyetur rreth informacioneve për destabilizim të mundshëm pas paralajmërimeve nga Gjykata Kushtetuese se do ta shqyrtojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, kryeministri Mickoski tha se nuk pret një gjë të tillë.
“Nuk besoj se do të ketë mundësi për çfarëdo destabilizimi. Nuk pres që çdo kush që merr pagë në kurriz të qytetarëve të mos respektojë ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë. Ndoshta edhe mua më paraqet problem diçka, është bërë në të kaluarën në Kushtetutë dhe sa do që të jem kundër saj, siç është përdorimi i mbiemrit ‘e Veriut’, por unë derisa e mbaj këtë funksion do të qëndroj pas ligjeve, pasi nuk dua të ofendoj qytetarët dhe Kushtetutën e vendit”, tha Mickoski për median vendase.
Para gjykatësve kushtetues tashmë janë nismat për kushtetutshmërinë e ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe ajo për balancuesit, për të cilat këtij institucioni mbase do t’i duhet të debatojë jo pak në ditët e para të tetorit. Lënda e “Ligjit për Gjuhët” përbëhet nga 13 nisma nga qytetarë, parti politike, shoqata të ndryshme dhe është themeluar që nga viti 2019. Nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut kanë përcaktuar edhe zyrtarisht se: këtë muaj do të duhet të marrin vendim rreth iniciativës.
“Jemi të vetëdijshëm se Gjykata Kushtetuese mban barrën më të madhe për të vendosur për çdo çështje delikate, por për këtë ekziston Gjykata. Jo vetëm Gjykata jonë, të gjitha gjykatat kushtetuese herë pas here përballen me raste të ndjeshme shoqërore në të cilat vendimi mund të ketë implikime socio-politike dhe pikërisht për këtë në drejtësinë kushtetuese ekziston ai që quhet “vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të mos vendosja është një vendim”, është shprehur për publikun kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Veçse, sa më qetë duken maqedonasit, aq më të stresuar shfaqen shqiptarët. Rreziku i tensioneve është te pragu, duke pasur parasysh parashikimin se një vendim i Gjykatës Kushtetuese mund të ndikojë realisht në gjuhën shqipe. “Nëse Gjykata Kushtetuese merr një vendim që do të ndikojë negativisht në gjuhën shqipe, atëherë mund të presim trazira, kryesisht të nxitura nga opozita shqiptare, sepse çështja e gjuhës është një nga elementët më të rëndësishëm për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Mund të ketë protesta apo të ngjashme. BDI-ja nga ana tjetër e gjen fajin tek VLEN-i sepse vazhdojnë të shkatërrojnë gjithçka që është arritur për shqiptarët. Ata e shohin këtë si një hap drejt goditjes së radhës dhe më të rëndë për marrëveshjen e Ohrit, legjitimitetin etnik, barazinë në shtet dhe marrëdhëniet ndëretnike”, shprehet Despina Kovacevska, studiuese fondacion “Metamorfoza” në Maqedoninë e Veriut, për Faktoje.al. Në një deklaratë ata e kanë bërë të qartë këtë
Tendenca për të minimizuar apo edhe më keq, për të hequr gjuhën shqipe nga përdorimi, ka filluar që me ardhjen e Qeverisë së re të VMRO-VLEN-ZNAM. Në fakt, dhe përpara shikohen tendenca. Kështu, në një rast, hapja, me vendim të Ministrisë së Arsimit, të paraleles së parë me mësim në gjuhën shqipe në komunën e Çashkës, e cila ndodhet rreth 40 kilometra nga Shkupi, u kundërshtua shumë nga banorët maqedonas të kësaj komune.
Ajo që shihet qartë është se kryeministri Mickoski po mundohet të tregojë se nuk ka lidhje me incidentet ndërsa do respektojë vendimin e Kushtetueses për “Ligjin për gjuhën”. Por, publiku po kupton se ai dhe VMRO DPME po përfitojnë, pasi kjo lloj tollovie është tërheqëse për të larguar vëmendjen nga çështje të ndryshme. Në një farë mënyre, Ligji do jetë një si lloj rrufepritëse për kryeministrin Mickoski, lidhur me atë që do i kërkohet më vonë për ndryshimet kushtetuese, ku insistohet shumë për ndryshime nga Bullgaria. Pasojat: ndërsa partitë maqedonase mbesin me të njëjtin qëndrim, partitë shqiptare po i nxjerrin sytë njëra-tjetrës.
Ndërkohë problemi duket më i thellë. Shfuqizimi i ligjit ka të bëjë me të drejtën e përdorimit të gjuhëve në hapësirën publike, një e drejtë e madhe kushtetuese, që shqiptarët e arritën me shumë përpjekje. Ajo u sanksionua në Marrëveshjen e Ohrit me ligj të veçantë. Anipse paçka qëndrimit të Darko Kostadinovskit, gjyqtarit të Kushtetueses, ai personalisht duket se i referohet një mendimi të Komisionit të Venecias. Sipas Venecias, ky ligj përballet me shumë problematika dhe është konsideruar sikur tejkalon standarte “në fusha të caktuara, ligji shkon shumë larg duke i imponuar institucioneve publike detyrime joreale, në veçanti në procedurat gjyqësore. Obligimet janë joreale dhe të shtrenjta për t’u zbatuar”. Vetëm se falë ligjit, në kohën kur shqiptarët kishin bajagi fuqi, përdorimi i shqipes u ngrit në nivele të panjohura deri më atëherë. Këtu qëndron edhe problemi kryesor me ndërkombëtarët tashmë përballë një realiteti të ri në Maqedoninë e Veriut, kur nuk mund të flasin as kundër kryetarit të Gjykatës dhe as ndaj Komisionit të Venecias.
Me sa duket më e pranueshme dhe më e nevojshme është që të miratohet urgjentisht një ligj i ri i plotë, duke iu referuar ndonjë modeli vendesh, që ka strukturë shumë etnike, duke respektuar Komisionin e Venecias. Miratimi kësisoj është imponim i parimit të Badinterit: ligjet që prekin pakicën etnike, (term që kontestohet sepse shqiptarët nuk duan të konsiderohen pakicë), duhet të miratohen me shumicën e deputetëve të kësaj pakice, pavarësisht krahëve që i përkasin.
Ndërsa publikisht Shqipëria u duk se po rrinte në vëzhgim të situatës, pa u përfshirë në debat, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në vizitën e parë zyrtare të këtij niveli në Maqedoninë e Veriut, në javën e tretë të shtatorit ( 23 Shtator), theu heshtjen, duke qenë e drejtpërdrejtë. Në konferencën për shtyp me kolegun e saj, Afrim Gashi, ajo është shprehur se: vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të jetë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
“Një lloj siç jemi të interesuar, presim me besim dhe shpresojmë që të zbatohet plotësisht edhe Ligji për gjuhët. Gjuha shqipe, së paku për ne, është e shenjtë dhe ajo ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Cenimi i saj në çdo formë, padyshim se dhëmb shumë dhe cenon këtë identitet që ne ofrojmë në këtë botë të madhe në rajon e më tej si vlerën tonë”. Pastaj ajo ka shtuar se: “Njohim dhe mirëkuptojmë shqetësimet për mundësinë e ndryshimeve të mundshme varësisht vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese por presim që trazime të tilla të kenë zgjidhje sipas frymës së Marrëveshjes së Ohrit”, tha Elisa Spiropali.
Është ky realitet që bën koalicionin VLEN t’i bëjë thirrje Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut që të mos e hapë “Kutinë e Pandorës”. Dhe, çfarë konsiderohet realisht “Kutia e Pandorës” për pjesën shqiptare të koalicionit? “Do të thotë të mos “luajë me zjarrin”, pra me temat etnike, sepse këto prodhojnë konflikte ndëretnike, të cilat vendi i ka parë disa herë dhe pasojat. Në 7-8 vitet e fundit tensionet etnike mes maqedonasve dhe shqiptarëve janë ulur, kjo iniciativë dhe një vendim në dëm të gjuhës shqipe mund të çojë në “shpërthim bombë” dhe nxitje të konflikteve ndëretnike. Kjo nismë për koalicionin shqiptar është një thikë me dy presa, sepse nëse një vendim merret në dëm të gjuhës shqipe, koalicioni VLEN do të duket keq para votuesve të tij si i pafuqishëm dhe do të vërtetojë akuzat e shqiptarit. opozita kundër VLEN-it”, shprehet Despina Kovacevska, studiuese e fondacionit “Metamorfoza” në Maqedoninë e Veriut, për Faktoje.al.
Fjala e Spiropalit e ka trandur Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Mickoski është justifikuar, pas fjalët e kryetares së Kuvendit shqiptare duke thënë se: Gjuha shqipe nuk është e cenuar, përkundrazi po avancohet, duke aluduar qartë për paralajmërimet për rishqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për gjuhën shqipe. Po ashtu, Mickoski ka theksuar se: ai personalisht e respekton gjuhën shqipe dhe se vendi i tij s’ka çështje të hapura me Shqipërinë. Madje, “…kryetari i Manastirit i cili është nga radhët e VMRO-DPMNE-së i uroi mirëseardhje në Manastir kryeparlamentares së Shqipërisë pikërisht në një institucion të rëndësishëm për gjuhën shqipe kështu që jo vetëm që nuk është e cenuar, por është e avancuar”, tha Hristijan Mickoski.
Ndërkohë që partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut e mbështetën deklaratën e Spiropalit si të duhurën, Amar Mecinoviç për “Levica” ka qenë shumë i ndezur: “Zyrtarët e huaj, në fakt, nuk duhet të kenë kërkesë për politikën tonë të brendshme, kështu që sinqerisht nuk do të komentojmë sepse është jashtë të gjitha praktikave diplomatike”.
Kanë mbetur dhe pak ditë nga java e parë e tetorit, kur do merret në shqyrtim “Ligji për Gjuhën”, por sfida duket e madhe për të ardhmen e shqiptarëve dhe akoma më e madhe për unitetin e Maqedonisë së Veriut, që tashmë duket se gjendet mes dy parabolave të mëdha të Antikitetit, mes “Shtratit të Prokrustit” dhe “Kutisë së Pandorës”, kur flitet për të ardhmen e shqiptarëve shtetformues dhe presioneve të bullgarëve për ndryshimet kushtetuese.
Redaktoi Aimona Vogli