Debat PS-PD në Kuvend për futjen e ligjeve për qëllime elektorale  

PD akuzoi PS-në se po përdor draftin për paketën e maleve për interesa partiake. Debat edhe për diasporën

48
Foto nga seanca parlamentare e te enjtes. Foto e marre nga LSA

Në seancën parlamentare të së enjtes, deputetja e PD-së Ina Zhupa kritikoi mazhorancën për futjen në kalendar të projektligjeve me qëllime elektorale, përfshirë Paketën e Maleve, të cilën e quajti klienteliste dhe në shkelje të Kodit Zgjedhor. Ajo akuzoi PS-në se po përdor ligjet për interesa partiake, në vend që të adresojë çështje të tjera aktuale si përmbytjet.

“…Paketën e maleve e keni futur pa datë sepse kishit parashikuar një datë boshe në Protokollin e Kuvendit për t’i vënë datën 10 janar në mënyrë që sipas jush te mos futej në periudhë zgjedhore. Por futen në periudhën zgjedhore sepse keni falsifikuar së pari kohën dhe së dyti do e miratoni brenda afatit katër mujor që e ndalon Kodi Zgjedhor…Po e përdorni si aset elektotral. Po kthehen deputetët në firmosës të dhënieve të fondeve publike me qëllim votën për PS-në… 100 grante parashikon Paketa e Maleve”, tha ndër të tjera deputetja e PD-së, Ina Zhupa.

PS

Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Niko Peleshi, iu përgjigj se ligjet miratohen pas shqyrtimit në komisione. Ai mohoi që “Paketa e Maleve” të ketë qëllime elektorale, duke theksuar se drafti synon zhvillimin e zonave malore.

“Ligjet që kalojnë në komisione shqyrtohen. Nëse deputetët e opozitës do të vërejnë ndonjë element që bien ndesh me Kodin Zgjedhor në lidhje me fushatën parazgjedhore do të mbahet qëndrimi në komision. Nuk kemi pse paragjykojmë cdo vendimmarrje. Paketa e maleve nuk synon të shpërndajë grante siç u tha këtu për fermerët apo për socialistët e zonave malore, por u shërben të gjithëve dhe hap një hapësirë të re. Eshtë aty për tu vënë në zbatim para apo pas zgjedhjeve deri sa të implementohet. Nuk është për partinë, por për Shqipërinë”, tha Peleshi

Edhe Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin, Taulant Balla, mbrojti “Paketën e Maleve”, duke theksuar se ajo është mirëpritur nga diaspora. Sipas tij, projekti synon zhvillimin e turizmit malor, duke përfshirë më shumë përfitues nga sa pretendoi deputetja Zhupa.

“Ju ka lënë Luli (Basha) mbrapsht, do jenë 500 jo 100 leje…”, tha Balla.

Projektligji

Projektligji për paketën e maleve përcakton procedurat për shpalljen e zonave malore si “zona prioritare zhvillimi”, ku poseduesit pa titull pronësie mund të aplikojnë si “posedues jopronarë” dhe ta blejnë pronën me një tarifë simbolike 1 euro për investime zhvilluese. Një zonë shpallet e tillë bazuar në potencialin ekonomik, industrial apo turistik dhe përfituesit duhet të kanë poseduar pronën e palujtshme shtetërore për të paktën 10 vjet.

Procedura administrohet nga bashkia, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe institucionet përkatëse. Nëse ka pretendime nga palë të treta, përparësi u jepet poseduesve që plotësojnë kriteret ligjore.

Drafti parashikon lehtësira fiskale për 500 subjekte për një periudhë 10-vjeçare, nëse realizojnë projektet e deklaruara.

Diaspora

Në Kuvend u zhvilluan debate edhe për votën e diasporës. PD dhe PS akuzuan njëra-tjetrën për sabotim. Gjatë fjalës së mbajtur, Sali Berisha por edhe Oerd Bylkykbashi kërkuan që emigrantët të votojnë me dokumente biometrike të vendeve të BE-së. Berisha e akuzoi Ramën për frikë nga vota e diasporës, ndërsa Balla kërkoi që përmes këtij qëndrimi opozita të mos kushtëzojë votën për kalimin e projektligjit të propozuar për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor që lidhen me mbulimin e plotë të kostos së postës nga shteti për emigrantët si dhe afrimin e afateve për rregjistrimin e kandidatëve në zgjedhje

Artikulli paraprakTitujt për klikime mbajnë gjallë aksidentin e rremë të Lulzim Bashës
Nevila Gjata
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.