Ina Allkanjari
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi premtoi se duke filluar nga janari i 2022, punonjësit e Policisë së Shtetit që ushtrojnë detyrën larg vendbanimit, do të përfitojnë shpërblim deri në 150% të pagës. Në fillim të muajit shkurt, nga një verifikim i Faktojes rezulton se rritja e premtuar nuk u reflektua në pagat e muajit janar 2022. Sindikata e policisë dhe efektivë që punojnë në drejtoritë larg Tiranës, konfirmojnë se jo vetëm që nuk kanë pasur rritje, por jo zyrtarisht u është komunikuar se rritja nuk pritet të ndodhë para muajit korrik.
————————-
“Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, punonjësit e Policisë së Shtetit që punojnë larg vendbanimit do të përfitojnë një shpërblim sipas distancës ku ato ushtrojnë detyrën, që shkon një pagë deri në 150 % më shumë sesa ç’marrin sot”.
Kështu deklaroi Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi gjatë mbledhjes në Komisionin e Sigurisë të mbajtur në 5 nëntor 2021, ku po diskutohej mbi projekt-buxhetin e vitit 2022.
Në datë 17 janar Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, ku kërkoi informacion se sa variojnë pagat aktuale të punojësve të policisë që punojnë jashtë vendbanimit të tyre dhe si do jetë efekti në paga pas rritjes së përcaktuar.
Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Policisë së Shtetit, datë 17.01.2022
Në përgjigjen zyrtare të mbërritur në 25 janar, Policia e Shtetit konfirmon se në total efekti financiar për këtë projekt-vendim është në shumën 300,687 mijë lekë në vit.
“Miratimi i këtij projektvendimi sjell efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit. Për vitin 2022 ky efekt do të përballohet nga fondi shtesë i miratuar në Ligjin nr. 115/2021 Për buxhetin e Vitit 2022 ne shumën prej 200,000 mijë lekë, ndërsa diferenca do të mbulohet nga fondet qe do të krijohen të lira gjatë vitit 2022.”- shkruhet në përgjigjen e Policisë së Shtetit, e cila na vendosi në dispozicion një tabelë ku paraqiten kategoritë e punonjësve përfitues, sa punonjës përfitojnë shtesë në pagë dhe sa do të jetë konkretisht vlera e kësaj shtese.
Tabela e vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit me kompesimin që përfitojnë punonjësit e policisë
Në tabelën e mësipërme tregohet se në vitin 2022 do të përfitojnë 20% shtesë mbi pagë 384 punonjës policise, 30% shtesë mbi pagë 352 punonjës policie dhe 50% shtesë mbi pagë 443 punonjës policie të cilët ushtrojnë detyrën e tyre larg vendbanimit.
Policia e Shteti thekson se me miratimin e VKM aplikohet në mënyrë të menjëhershme rritja e pagës.
Screenshot, pjesë nga përgjigja e Policisë së Shtetit datë 25.01.2022
Deri në publikimin e këtij artikulli nuk figuron asnjë VKM e publikuar për shtesën në pagë që përfiton kjo kategori punonjësish.
Ndërkohë përgjigjja e ardhur nga Ministria e Brendshme përfshinte të njëjtën tabelë që dërgoi edhe Policia e Shtetit (të publikuar më sipër). Ky institucion tregon gjithashtu se si do të jenë përfitimet e punonjësve të Policisë së Shtetit që ushtrojnë detyrën larg vendbanimit.
Screenshot, përgjigja e Ministrisë së Brendshme datë 26.01.2022
Më datë 3 shkurt, Faktoje komunikoi me kreun e Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta për të mësuar nëse është zbatuar premtimi për rritjen e pagës për punonjësit e policisë të cilët ushtrojnë detyrën jashtë vendbanimit. Ndonëse Ministri i Brendshëm premtoi se ky shpërblim do të hyjë në fuqi në janar të vitit 2022, Fishta tregon se kjo kategori nuk ka marrë asnjë pagesë shtesë.
“Nuk janë hedhur shpërblimet për punonjësit e policisë që punojnë jashtë vendbanimit, pasi nuk është zbardhur ende vendimi. Mesa kam informacion vendimi do të zbardhet në 1 korrik pasi është planifikuar me buxhetin e ri. Rrogat e muajit janar kanë kaluar, po nuk ka kaluar asnjë pagesë shtesë për këtë kategori punonjësish”- u shpreh Fishta.
Faktoje komunikoi me efektivë policie të cilët punojnë mbi 100 kilometra larg vendbanimit, në një nga drejtoritë në veri të vendit dhe që sipas parashikimit do të duhet të përfitojnë shtesë prej 30% të pagës.
“Nuk kemi marrë asnjë shtesë në pagën e muajit janar, siç u premtua. Kemi pyetur eprorët dhe na kanë thënë se nuk do kemi shtesë deri nga korriku.”-konfirmoi për Faktoje një grup punonjësish të policisë, të cilët kërkuan të mos identifikohen.
Ata i përcollën Faktojes një tjetër shqetësim që lidhet me pagesën e orëve shtesë:
“Prej kohësh ne na paguhen vetëm 16 orë punë shtesë, edhe pse gjatë një muaji mund të punojmë shumë më tepër, në varësi të ngjarjeve dhe kohës që kërkojnë në terren. Nuk kemi një urdhër të shkruar për këtë, por na është përcjellë gojarisht nga eprorët dhe e kemi marrë të mirëqenë. Ka ngjarje kriminale që na marrin me ditë të tëra, ndaj shumë orë na mbeten të papaguara.”
Nisur nga verifikimi i kryer, vendosëm që deklaratën e Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, se duke filluar nga janari i vitit 2022, punonjësit e Policisë së Shtetit që punojnë larg vendbanimit do të përfitojnë shpërblim, do ta kategorizojmë “Të Pavërtetë”.