ESMERALDA KETA
Nga planifikimi për të transferuar të gjitha shërbimet spitalore në godinat e reja, ndërtesa gati njëshekullore që shërbente si urgjenca e ish-kirurgjisë, në QSUT, u shndërrua papritur në spitalin Covid 3. Kjo ndërtesë u mbyll pjesërisht në 2013-n për shkak të amortizimit dhe në vazhdim, shërbimet kaluan njëri pas tjetrit në godinat e reja. Dëshmitë e mjekëve për amortizim dhe mungesë të sistemit të ngrohjes, por edhe vetë deklaratat e qeverisë në fillim të këtij viti, nxjerrin zbuluar sigurinë e rreme që autoritetet sot përpiqen të garantojnë, duke përsëritur se gjithçka është nën kontroll.
Kujtimi është një nga pacientët e shtruar në katin e parë të spitalit Covid 3, i përshtatur në spital për sëmundjet e mushkërive, pas shndërrimit të “Shefqet Ndroqit” në spital Covid 1. I ardhur nga Berati prej thuajse dy javësh, Kujtimi ndihet i frikësuar që kati i dytë i këtij spitali është kthyer në spital Covid.
“Sigurisht që kam shumë frikë. A futemi nga i njëjti oborr, a kalojmë nga të njëjtat dyer, pavarësisht se ata janë në kat të dytë? Unë vuaj nga sëmundje e mushkërive e normalisht që kam edhe më shumë frikë”, – thotë ai teksa vëzhgon nga dritarja lëvizjet në oborrin e përbashkët të këtij spitali.
Gjatë një vëzhgimi në terren për “Faktoje”, se si po shkonte puna për hapjen e këtij spitali në ditët e fundit të tetorit, ende nuk ishin shtruar pacientët e parë, por ishte kufizuar lëvizja përreth kësaj zone. Një automjet po shkarkonte materiale mjekësore për t’i futur në spitalin Covid 3.
Pas shumë përpjekjesh, “Faktoje” arriti të depërtonte në mjediset katit të parë të këtij spitali, për të shkrepur disa foto. Pamjet e siguruara dëshmojnë gjendjen e amortizuar të ndërtesës, në katin e dytë të të cilit tashmë është hapur Covid 3.
Mjediset e spitalit Covid 3, kati I (ish-urgjenca e kirurgjisë)
Mjekët që shërbejnë në këtë spital, thonë për “Faktoje” se aktualisht ky kat ka pësuar një përmirësim pasi është lyer dhe është ndërhyrë, por testi i vërtetë nëse do ketë probleme, do të jetë në dimër.
Mjediset e spitalit Covid 3, kati I (ish-urgjenca e kirurgjisë)
“Unë nuk di të them nëse funksionon ngrohja apo jo, pasi deri në këto momente nuk ka qenë e nevojshme. Kështu në pamje duket mirë, me çfarë ka qenë, pasi i kanë dhënë një bojë dhe janë bërë disa ndërhyrje. Dihet prej vitesh që kjo godinë ka probleme me tarracën, me nyjet hidrosanitare, me sistemin e ngrohjes, pasi është një godinë e pamirëmbajtur dhe e planifikuar për t’u shembur. Por unë mendoj se më shumë se për muret, në këto momente kemi nevojë për profesionistë”- na thotë mjeku, i cili kërkoi të mos identifikohet.
Por epidemiologu Ilir Alimehmeti e sheh më pozitivisht zgjedhjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Unë mendoj se për çfarë ka pasur nevojë është ndërhyrë, dhe nga ana infrastrukturore unë e konsideroj edhe më të përshtatshëm se Covid 1. Ka dhoma më të mëdha, me dritare të gjitha, pra me ajrosje natyrale. Sa i përket sistemit të ngrohjes, le të kujtojmë që gjatë verës nuk rekomandohej të ndizeshin dhe nuk janë vënë në punë as në dy spitalet e tjera”- shpjegon ai.
I konceptuar si strukturë mbështetëse për pavionin e Infektivit dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, Covid 3 është ngritur në një nga ndërtesat e ish-urgjencës së kirugjisë, që u mbyll në muajt e parë të 2013-s për shkak të amortizimit. Vendimi u mor asokohe nga drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe ky shërbim u zhvendos në godinën e re të urgjencave të QSUT.
Godina dykatëshe e ndërtuar që në 1932, nga italianët si spital ushtarak, është një ndër më të vjetrat dhe prej vitesh diskutohet të mbyllet krejtësisht, për shkak të amortizimit dhe kostos së lartë që do të kishtë një ndërhyrje rehabilituese. Është kjo arsyeja që pjesa më e madhe e shërbimeve që dikur ofroheshin në këtë godinë, janë transferuar në mjediset e ndërtesës së re të urgjencave në QSUT dhe në spitalin e ri “Frederik Shiroka”.
Në fillim të këtij viti, gjatë ceremonisë për zhvendosjen e shërbimit të kirurgjisë, kryeministri Rama tha:
“Pas 90 vitesh, në godinën e vjetër në QSUT, kirurgjia shqiptare ka një tempull të ri, ku gjithçka është fjala e fundit e teknologjisë dhe po ashtu organizimi në funksion të pacientit është në nivelin më të lartë bashkëkohor”.
Por ndërsa kishte nisur puna për zhvendosjen e të gjitha shërbimeve nga ky spital, pandemia “e detyroi” ministrinë që ndërtesën 90-vjeçare ta kthente në spitalin Covid 3.
Si rregull, pacientët shtrohen fillimisht në spitalin Infektiv dhe më pas ekipi mjekësor vendos se cilët prej tyre do të kalojnë për trajtim në spitalin Covid 3, drejtimi i të cilit i është besuar mjekut të njohur Arjan Harxhi.
Mjediset e spitalit Covid 3, kati I (ish-urgjenca e kirurgjisë)
Teksa inspektoi mjediset e këtij spitali, në fund të muajit tetor, ministrja e Shëndetësisë, e shoqëruar nga kryeministri Edi Rama u shpreh se gjithçka është brenda çdo standardi.
“Është rikonstruktuar totalisht dhe janë shtuar edhe shtretër, duke vënë në dispozicion rreth 150 vende. Spitalet Covid 3 dhe Covid 4 janë gati, të pajisur me çdo mjet të nevojshëm, si dhe me personel mjekësor të trajnuar.”, – informoi ministrja Manastirliu, në fund të tetorit, teksa së bashku me kryeministrin Rama, inspektoi ambientet e Covid 3.
Edhe pse ka deklaruar në mënyrë të përsëritur, se i kanë gati të dy strukturat Covid 3 dhe Covid 4 me apartura, personel mjekësor, por edhe me numër shtretërish, vetë mjekët që punojnë aty pranojnë se në të vërtetë stafi nuk është i kompletuar. Burime pranë spitalit Infektiv dhe mjekë që punojnë në sistemin e urgjencës i treguan “Faktojes” se Covid 3 ende ka probleme me stafin dhe me numrin e shtretërve.
Mjediset e spitalit Covid 3, kati I (ish-urgjenca e kirurgjisë)
I pari që e denoncoi “propagandën” me numrin e shtretërve ishte mjeku imazherist pranë infektivit, Renato Osmenaj.
“Sot më datë 1 nëntor spitali Covid 3 ka 50 shtretër dhe jo 150 siç serviret nga ju”, – ka shkruar mjeku i njohur në një status në rrjetet sociale.
Disa ditë më vonë, mjeku i urgjencës Ilir Allkja bëri një tjetër denoncim, ndërsa shkruante se po trajtonte në autoambulancë të sëmurin, pasi në spital nuk kishte më shtretër të lirë.
Një foto që qarkulloi të dielën e kaluar, e ndjekur nga të tjera që u publikuan në media, ku duket një numër i madh autoambulancash në radhë tek Infektivi, e përforcoi edhe më shumë dyshimin për mungesën e vendeve.
Një tjetër mjek brenda spitalit infektiv thotë për “Faktoje” se situata është e tillë prej ditësh.
“Ka disa ditë që pacientët vonohen të shtrohen në pavion. Presim të lirohet ndonjë krevat, ose bëjmë një konsultë të gjendjes së pacientit. Ka ende disa shtretër të lirë tek Covid 3” – na thotë ai.
“Faktoje” u interesua pranë zyrës së shtypit të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila mohon të ketë mungesë vendesh.
“Sipas informacioneve që kemi marrë nga spitali Infektiv, janë autoambulancat që marrin dhe dërgojnë pacientë, sepse është rregull që edhe pacientët që dalin nga spitali transportohen me autoambulancë.”- sqaruan burimet zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë për “Faktoje”.
Ne iu drejtuam me disa pyetje edhe mjekut Arjan Harxhi që po drejton Covid 3, në lidhje me kapacitetet e shtrimit dhe personelit të Covid 3, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk morëm përgjigje.
Vetë Ministria e Shëndetësisë, zgjodhi t’u përgjigjej akuzave se nuk ka shtretër dhe staf, nëpërmjet një videoje të postuar në Facebook. Ndërsa disa mjekë denoncojnë se pacientët nuk kanë vende ku të mjekohen, ndaj mbahen për orë të tëra në autoambulanca, në pamjet e servirura nga Ministria e Shëndetësië, dallohen shtretër bosh.
“Këto pamje janë sot, tani, brenda spitalit Covid 3, ku siç e shihni ka shtretër të gatshëm dhe mjekë e infermierë në gatishmëri, po pamje krejt të ngjashme sallash e shtretërish të gatshëm, së bashku me trupa të gatshme bluzash të bardha, mund të shihen në spitalin Covid 4 që ende nuk është hapur – ndërkohë që në bazë të strategjisë së vjeshtë/dimrit jemi gati të hapim edhe struktura rajonale nëse do të jetë nevoja” – ka shkruar, ndër të tjera, krahas videos, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Pavarësisht asaj që shfaqet në rrjetet sociale të institucioneve zyrtare, bluzat e bardha që janë në vijë të parë të kësaj lufte, dëshmojnë për një situatë ndryshe.
Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë, e konsideron skandal kthimin e ish-kirurgjisë në spital Covid.
“A mund të gënjehet kaq hapur me çdo gjë? Po spitali Covid 3, ish-godina e vjetër e Kirurgjisë në QSUT a mund të promovohet si spital me standarde për pacientët Covid? Sigurisht që jo, sepse para disa kohësh u tha se duke qenë se është godinë e vjetër dhe e amortizuar nuk mund të kryejë më funksionin e një spitali, prandaj e gjithë kirurgjia u transferua në spitalin e ri.
“Çuditërisht, sot për shkak të mungesës së mjediseve për t’u shërbyer pacientëve të sëmurë me Covid, kjo godinë del e përshtatshme për spital. Përveç lyerjes që i është bërë kësaj godine, çfarë është investuar në të? A ka kushtet për të qenë spital Covid, a ka shtretërit e duhur, a ka oksigjen mjaftueshëm për çdo pacient në cdo dhomë dhe çdo shtrat, a ka staf, mjekë reanimatorë, infermierë, ndihmësa, sanitarë mjaftueshëm për këtë spital? Po transferohen pacientë nga spitali Infektiv dhe nga pavione të tjera për ta deklaruar si funksional, por a është realisht i përshtatshëm?”- thuhet në reagimin e shoqatës së infermierëve.
Ylli Ziçishti, që ka drejtuar ish-urgjencën kirurgjikale për vite me radhë dhe që një pjesë të konsiderueshme të jetës profesionale e ka kaluar në këtë spital, thotë për “Faktoje”:
“Ajo sigurisht që është një godinë e amortizuar, sepse është lënë pas dore dhe nuk është mirëmbajtur. Të sëmurëve nuk u është shërbyer si duhet, por ama është një ndër spitalet më të mira. Për mua i vetmi problem i madh i atij spitali është mungesa e sistemit të ngrohjes”.
E megjithatë personeli i vijës së parë, vazhdon të jetë skeptik.
“Të kesh një godinë gati, nuk do të thotë se je gati për spital. Sidomos kirurgjia e vjetër që nuk ka as kushtet minimale për trajtimin e këtyre pacientëve!”- na thotë një infermier, që ka ushtruar profesionin për disa vite me radhë tek ish-kirurgjia e vjetër.