BallinaAktualitet“COVID-19 do të ndikojë në ekonominë tonë familjare”- thonë mbi 90% e ndjekësve të Faktoje

“COVID-19 do të ndikojë në ekonominë tonë familjare”- thonë mbi 90% e ndjekësve të Faktoje

MERXHAN DACI

Me 18 mars, në vazhdën e angazhimit të publikut në situatën e koronavirusit COVID-19, “Faktoje” përmes një sondazhi në rrjetet sociale pyeti audiencën nëse kjo situatë ndikon në ekonominë e tyre familjare.

20 orë pas këtij sondazhi, 93% e audiencës së “Faktoje” në Facebook vlerësonte se situata e koronavirusit do të ndikojw në ekonominë familjare.

Në sondazh votuan 264 persona dhe përqindjet ishin respektivisht 93% për përgjigjen “PO” dhe 7% për përgjigjen “JO”.

Audienca e Facebookut u angazhua edhe për të komentuar më shumë mbi këtë cështje.

Në të njëjtën linjë ishte edhe audienca e “Faktoje” në Instagram. 95% e votuesve mendonin se koronavirusi COVID-19 do të ndikojë në ekonominë e tyre familjare.

Cfarë ndikimi mund të ketë COVID-19 në ekonomi

Ndikim të madh pritet të ketë në hoteleri ku disa struktura kanë raportuar për anulime të shumta, pas situatës së përhapjes masive në Europë të koronavirusit COVID-19.

Për Zërin e Amerikës, Kliton Gërxhani, Përfaqësues i Turoperatorëve shqiptarë tha më herët se këto kohë anulimet kanë qenë të shumta.

“Partnerët evropianë po anulojnë të gjitha turet, sepse dhe në Evropë askush nuk po lëviz. Një grup turistësh në një javë ne i çojmë në 7 hotele në 14 restorante, pra janë gati 20 biznese familjare, të vogla dhe të mëdha, që ushqehen prej kësaj lëvizjeje, prej një turi të vetëm. Nëse anulohen 10 ture nga një kompani e vetme, do të thotë që 200 biznese dëmtohen. Po nëse janë 10 kompani që sjellin po kaq ture, kjo bëhet 2 mijë. Efekti negativ është shumë i madh” – tha Gërxhani.

Eksperti i ekonomisë, Ardian Civici tha në një intervistë telefonike për “News 24” se vendi rrezikon të kalojë një emergjencë ekonomike. Më të rrezikuarat sipas tij, do jenë fasoneritë dhe call center.

“Fasoneria dhe call center kanë nevojë për një paketë ndihme ekonomike. Situata ku ndodhemi do prekë edhe bankat, përballimi i situatës ka një kosto. Në këtë fazë, duke pasur parasysh se cfarë po bëjnë edhe vendet e tjera, kërkohet ndërhyrje emergjente për të mos e lënë që dëmi ekonomik ta tejkalojë dëmin shëndetësor”,- tha Civici.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img