Pretendimi: Shqipëria merr goditjen e parë nga raketat Izrael-Iran
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————–
Ndërsa Izraeli dhe Irani shkëmbejnë sulme me raketa prej gati një jave, një botim i portalit 5pyetjet.al jep lajmin se “Shqipëria merr goditjen e parë nga raketat Izrael-Iran.”
Lexuesi i vëmendshëm do të konfuzohet fillimisht nga togfjalëshi “raketat Izrael-Iran,” që të bën të mendosh se raketat janë në bashkëpronësinë e dy shteteve që në fakt kanë disa ditë që hedhin raketa kundër njëri-tjetrit.
Video 7-minutëshe duket se është një intervistë lidhur me çfarë pritet nga ky konflikt. Portali ka përdorur një titull bombastik, që nuk lidhet aspak me përmbajtjen e intervistës.
Ajo të cilës i referohet intervista duket të jetë një ‘goditje’ e mundshme ekonomike për shkak të rritjes së çmimit të naftës apo produkteve të tjera dhe në asnjë moment një goditje e parë nga raketat e Izraelit apo Iranit.
Megjithatë, titulli i vendosur me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve e bën lexuesin të mendojë se Shqipëria ndodhet në rrezik si pasojë e një konflikti që po ndodh mijëra kilometra larg, duke shkaktuar alarm dhe panik të panevojshëm tek publiku shqiptar.