Partia Demokratike është angazhuar të rrisë pensionet çdo vit me dyfishin e inflacionit, ose jo më pak se 5% nga viti në vit. Vlera kumulative në katër vite llogaritet në rreth 30 miliardë lekë ose 250 milionë euro. Ky premtim, sipas ekspertëve ekonomikë, rezulton real dhe brenda parashikimeve të FMN-së, në rast se do të merret i shkëputur nga premtimi tjetër i kreut të PD Basha, për uljen e kontributeve për sigurime shoqërore nga 24.5% në 18% të pagës. Një element tjetër që mund të ndikojë negativisht në përmbushjen e premtimit për rritjen e pensioneve, janë pasojat ekonomike dhe sociale që ka prodhuar tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia Covid-19.
Gjatë prezantimit të programit elektorat të PD për zgjedhjet e 25 prillit, kryetari Basha u shpreh:
“Angazhohem se do të rrisim pensionet me të paktën dyfishin e normës së inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5% në vit me synimin që në fund të mandatit tonë të parë pensionet mesatare shqiptare të kenë kaluar pensionet mesatare të rajonit.”
Cila është kostoja financiare në buxhetin e shtetit për përmbushjen e këtij premtimi?
Vitet e fundit fundit zëri për pensionet zë rreth 7.7 % të PBB-së. Në periudhën 2020-2021 ky rezultat shkon në 8.5% të PBB-së, si rezultat i krizës dhe politikave të reja të pensioneve që qeveria aktuale parashikon në 2021.
Më poshtë paraqitet ecuria e Fondit të Pensioneve të Buxhetit të Shtetit për vitet 2013-2021, sipas të dhënave të FMN dhe Ministrisë së Financave.
Bazuar në parashikimet e FMN për inflacionin në Shqipëri për vitet 2021-2025, kemi llogaritur sa do jetë rritja e pensioneve sipas premtimit të PD për çdo vit.
Rritja nominale e pensioneve sipas premtimit të PD do jetë midis 5-6% në vit, pra më e lartë se rritja mesatare nominale e pensioneve të qytetit dhe fshtatit gjatë viteve 2013-2019. Po kështu me këtë premtim, rritja reale mesatare e pensioneve do të jetë mesatarisht 2.74% në vit gjatë periudhës 2022-2025, pra më e lartë se rritja mesatare nominale e pensioneve të qytetit dhe fshtatit gjatë viteve 2013 -2019.
Për të analizuar koston në vlerë monetare të këtij premtimi në buxhet (sepse me rritjen ekonomike reale dhe nominale, një pjesë e kësaj kostoje bëhet më e përballueshme), do të përdorim të dhënat e parashikimit të inflacionit dhe PPB-së për vitet në vijim nga FMN.
Të njëjtën gjë e kemi analizuar edhe për modelin ekonomik të PD, me një rritje reale 5.5% dhe deflator 2.5%. Kuptohet kjo merr në konsideratë që reformat e nevojshme të skemës do vijojnë, numri i pensionistëve në skemë do jetë i ngjashëm, dhe çështjet demografike që cënojnë skemën do menaxhohen.
Nga llogaritjet në tabelën ilustruese, duke marrë në konsideratë që rritja e parë do ndodhë në mes të vitit 2022, impakti financiar buxhetor në vitin e parë është diku tek 30 milionë euro, dhe rritet deri në rreth 80 milionë euro në 2025. Vlera kumulative në 4 vite llogaritet në rreth 30 miliardë lekë ose 250 milion euro.
Por sa e përballueshme është kjo rritje nëse marrim në konsideratë ecurinë ekonomike sipas FMN por edhe PD. A i cënon ajo parametrat fiskalë?
Siç mund ta shohim në grafikun më poshtë pesha e buxhetit të pensioneve në fund të 2025, sipas premtimeve të PD dhe të parashikimit të FMN mbi ekonominë, është 7.9% e PBB-së (7.6% e PBB-së sipas parashikimeve ekonomike të PD). E thënë ndryshe, në të njëjtat nivele të 2019.
Kuptohet që sa më lart nuk merr në konsideratë çështje të tjera aktuale që mund ta ekspozojnë skemën gjatë këtyre viteve, si dëmi ekonomik nga pandemia, rindërtimi, por edhe premtimi që zoti Basha ka bërë për uljen e kontributeve për sigurimet shoqërore nga 24.5% në 18% të pagës, çka do të ndikonte në deficitin e skemës së pensioneve dhe buxhetin e shtetit, një tregues tjetër i rëndësishëm në qendrueshmërinë e skemës së pensioneve.