Arrestimi i Charles McGonigal, ish-shefit të FBI në janar 2023 shkaktoi po aq kureshtje mediatike në Shqipëri sa dhe në Shtetet e Bashkuara. Në Shqipëri, kjo kureshtje u justifikua prej faktit se në padinë kundër McGonigal përmenden tre figura shqiptare: kryeministri shqiptar, i ashtuquajturi personi A dhe personi B (që janë identifikuar në dokumentat e gjykatës respektivisht si Agron Neza dhe Dorian Duçka.
Megjithatë, faktet e padisë dhe të marrëdhënies midis kryeministrit Edi Rama dhe Mcgonigal, në disa raste u shtrembëruan nga portalet shqiptare. Në fluksin e vazhdueshëm të artikujve mbi këtë çështje që janë publikuar vetëm në dy javët e fundit kjo çoi në shpërndarjen e spekulimeve të paverifikuara që e bënë të vështirë të ndahet e vërteta nga thashethemet.
Në këtë artikull, do të verifikojmë disa nga pretendimet e sjella nga mediat shqiptare, dhe t’i ballafaqojmë ato me mënyrën sesi arrestimi i Mcgonigal u mbulua nga mediat më të mëdha amerikane. Artikujt e këtyre të fundit përfshijnë po ashtu detaje dhe fakte të bazuara në punën hetimore të gazetarëve të Mother Jones dhe New York Times.
Pretendimet e Portaleve Shqiptare
Burim: Syri
Që me lajmet e para të arrestit të McGonigal më 23 janar, ai u portretizua si një mik i afërm me Edi Ramën. Vetëm në portalin Syri, ka mbi dhjetë artikuj me këtë titull. Por tituj te ngjashëm gjenden edhe më tej, si ky artikull tek Ora News, apo Dosja. Sipas padisë, është e vërtetë që McGonigal vendosi raporte miqësore me Ramën, si për të ndihmuar kryeministrit, por edhe për ta përdorur këtë marrëdhënie për të krijuar përfitime ekonomike në Shqipëri për ortakun e McGonigal, biznesmenin Amerikano-Shqiptar Agron Neza. Megjithatë, padia dhe hetime nga gazetarët amerikanë tregojnë së McGonigal dhe Rama janë takuar disa herë për çështje biznesi.
Me këtë rast, Lapsi dhe Syri shkruan se gjatë takimit të tyre të parë, McGonigal i dhuroi Ramës një “pajisje përgjimi kundër opozitës.” Por padia nuk thotë gjë për pajisje spiunazhi. Në fakt, aty shkruhet se “Defendant McGonigal provided FBI paraphernalia to the Prime Minister of Albania in the presence of Person B.” Në këtë rast, fjala “paraphernalia” nuk do të thotë pajisje, por thjesht dhurata të vogla me logon e FBI-së (si për shembull kapele, stilolapsa, apo blloqe) të cilat i janë dhënë Ramës gjatë takimit me McGonigal dhe Nezën.
Në tjetër aspekt i rëndësishëm i mbulimit mediatik shqiptar është fokusuar tek lidhjet midis McGonigal dhe Rusisë, që më pasë ka çuar në spekulime se Rama dhe McGonigal duan të rrisin ndikimin e Rusisë në Shqipëri.
Burim: Klan TV
Padia nuk thotë asgjë të tillë përsa i përket ndikimit rus në Shqipëri. Në fakt, është e vërtetë që, duke filluar nga viti 2017, McGonigal ishte vënë në kontakt me oligarkun rus Oleg Deripaska që ka qënë pjesë e rrethit të afërm të Putin dhe është sanksionuar nga SHBA për rolin që ka luajtur në regjimin rus. McGonigal ka përfituar një shumë prej $218,000 nga Deripaska, shumë e cila është transferuar drejt SHBA-ve përmes llogarisë bankare të Agron Nezës, i cili mohon te ketë qënë në dijeni të prejardhjes.
Marrëdhënia midis Deripaskës dhe McGonigal duket të ketë qënë një marrëdhënie reciproke: McGonigal paguhej për të ndihmuar Deripaskën të hiqej nga lista e sanksioneve. Megjithatë, për momentin nuk ka asnjë provë që McGonigal të jetë përpjekur të shtrijë ndikimin rus në Shqipëri, qoftë edhe atë të Deripaskës.
Mbulimi Mediatik Amerikan
Edhe përse artikujt në mediat amerikane kanë dhenë detaje të shumta mbi marrëdhëniet midis McGonigal dhe figurave të ndryshme shqiptare, titujt dhe fokusi ka qënë më shumë tek tradhëtia e McGonigal, shitja e sekreteve amerikane, si dhe marrëdhëniet e tij më oligarkun rus Oleg Deripaska. Megjithatë, artikujt e publikuar nga media të besueshmë përmbajnë përmbledhje dhe detaje edhe mbi marrëdhëniet midis Mcgonigal, Nezës, dhe kryeministrit Rama.
Në një artikull të datës 3 shkurt, New York Times jep faktet e situatës së McGonigal duke u bazuar si tek padia, edhe tek hetimet e ndërrmara nga gazetarët e saj. Sipas NYT, marrëdhëniet e McGonigal me Shqipërinë janë si mëtej: që para se të ikte nga FBI-ja në 2018, McGonigal kishte filluar të përdorte ndikimin dhe aksesin që i jepte pozicioni si shef i zyrës në avantazhin e tij personal. Në gusht 2017, sipas prosekutës, McGonigal takoi Agron Nezën, një biznesmen me origjinë shqiptare që jeton në shtetin e Nju Xhersit. Për momentin, Neza nuk është akuzuar për asnjë krim nga prokuroria amerikane.
NYT shkruan se Neza i pagoi McGonigal $225,000, ky i fundit bëri disa udhëtime në Evropë së bashku me Nezën, ku McGonigal me sa duket përdori pozicionin e tij në përpjekjet për të gjeneruar lidhje biznesi për Nezën. Në një nga këto takime, që ndodhi në shtator 2017, Neza prezantoi McGonigal me Dorian Duckën, një këshilltar të kryeministrit Rama dhe më pas Ramën vetë. Takimet me Ramën sipas prestigjozes amerikane duket të jenë bërë për të bindur kryeministrin ti japi një liçensë nafte një kompanie nën pronësinë e Duckës dhe Nezës.
Për më tepër, aktakuza amerikane mendon se, pas një takimi me Ramën në nëntor 2017, McGonigal ka nisur proçedurat për një hetim mbi opozitën shqiptare dhe paratë e paguara nga Lulzim Basha për të lobuar tek ish-Presidenti Donald Trump. Gjatë 2018, Neza bashkëpunoi me McGonigal (duke përdorur informacione nga zyra e Ramës) për të marrë më shumë informacione mbi personin që PD-ja kishte paguar për të lobuar në Uashington. McGonigal u përpoq të ndihmonte Nezën edhe duke e vënë në kontakt me figura politike dhe të biznesit në Bosnie.
Po sipas NYT, gjatë kësaj periudhe McGonigal kishte filluar të afrohej me oligarkun rus Oleg Deripaska. Në 2018, Deripaska u sanksionua nga SHBA pasi kishte ndihmuar regjimin e Putinit. Si fillim, ai ndihmoi vajzën e një bashkëpuntoir të Deripaskës me një internship në New York. Në 2019, Deripaska pagoi $25,000 McGonigal si këshilltar, pasi ky i fundit e vuri në kontakt me një firmë ligjore që ta ndihmonte me heqjen e sanksioneve. Në total McGonigal përfitoi $218,000 të cilat u paguan përmes një llogarie të bazuar në Qipro, dhe u transferuan në SHBA përmes llogarisë së Nezës. Ky i fundit i ka thënë prokurorëve amerikan se nuk ishte në dijeni për marrëdhënien midis McGonigal dhe Deripaska.
Këto të dhëna të New York Times janë konfirmuar po ashtu nga Mother Jones (e cila qe e para që shkroi për paratë e shpenzuar nga Rusia drejt Partisë Demokratike, si dhe paratë që PD ka paguar për lobim në Uashington), si dhe media të tjera të besueshme. Megjithatë, situata është ende në zhvillim, ndërsa prokuroria amerikanë në Uashington DC ndërton padinë kundër McGonigal. Siç u përmend mësipër, as Rama dhe as Neza nuk janë paditur.
*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor
Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli