Me afrimin e fushatës elektorale shtohen edhe deklaratat e zyrtarëve për punët e mira që kanë bërë në dobi të komunitetit. E tillë është deklarata e kryebashkiakut të Elbasanit, Gledian Llatja për një çerdhe të përuruar gati dy vite më parë, por jo me paratë e bashkisë, por me një financim prej 150 mijë eurosh të donatorëve.
Bardha Nergjoni
Në nëntor 2022, kryetari i bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, në një prej takimeve të programit Buxhetim me Pjesëmarrje që zbaton bashkia Elbasan, të zhvilluar në mjediset e shkollës Onufri, deklaroi:
“Mbrapa kësaj godine është çerdhja më e re që ne kemi bërë. Një nga çerdhet e vetme në Shqipëri, me numrin e nxënësve, një çerdhe me standarde dhe me një staf shumë të mirë. Këtë bëjmë ne. Nuk shohim vetëm rrugët, nuk shohim vetëm shkollat, shohim zhvillimin ekonomik”.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe banorë të zonës ku është ndërtuar edhe çerdhja e re.
Nisur nga kjo deklaratë e kryetarit të bashkisë Llatja, ne i dërguam një kërkesë për informacion se sa ishte fondi i vënë në dispozicion nga bashkia për ndërtimin e çerdhes dhe nëse ishte investim i donatorëve apo i bashkisë.
Deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje nga bashkia e Elbasanit.
Megjithatë nga verifikimi i kryer rezulton se çerdhja të cilën kryebashkiaku Llatja e konsideron një investim të bashkisë, në fakt është bërë me financimin e donatorëve. Më poshtë disa fakte në lidhje me këtë Investim.
Nga një verifikim në buxhetin 2019-2020 të bashkisë Elbasan nuk ekziston asnjë zë investimesh për çerdhen nr. 4 si në ndërtim ashtu edhe në pajisjen e saj me mjete didaktike.
Çerdhja numër 4 ku qëndrojnë rreth 20 fëmijë të moshës 0-3 vjeç, u përurua në 14 shkurt të vitit 2020. I pranishëm në ceremoninë e përurimit ishte dhe ambasadori italian Fabrizio Bucci i cili e konsideroi projektin, fryt të punës së përbashkët të disa organizata. “Investimi tek fëmijët është fondamental dhe ndjehem krenar që kontributi italian është fokusuar edhe në këtë sektor, si një ndër sektorët më të rëndësishëm në edukim. Këta fëmijë janë ata, që me hapjen e negociatave së shpejti, nesër do të jenë qytetarë të Europës”-citohet ambasadori nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Foto e ceremonisë së përurimit të çerdhes nr.4, Elbasan / Burimi ATSH
Një projekt i mbështetur nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim ka marrë jetë në pjesën jugore të qytetit pranë shkollës “Ali Agjah”. E ndërtuar në kushte bashkëkohore, Çerdhja nr. 4 për herë të parë ka në zbatim një kurrikul të përshtatur me vendet evropiane, që pilotohet për herë të parë në Elbasan dhe Korçë.
Sipas burimeve nga organizata Save the Children Shqipëri, çerdhja e re ka kushtuar rreth 150 mijë Euro të investuara nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe Save the Children Itali. Projekti u zbatua nga Save the Children në Shqipëri.
Bashkia Elbasan vuri në dispozicion truallin e ndërtesës dhe e lehtësoi duke hequr taksën e infrastrukturës.
Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar vendosëm që deklaratën e kryebashkiakut të Elbasanit ta kategorizojmë gjysmë të vërtetë.