Pretendimi: CEO i Pfizer përballet me burgim të përjetshëm për mashtrim të miliarda të vaksinuarve kundër COVID
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————–
Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se kreu i Pfizer, Albert Bourla, mund të dënohet me burgim të përjetshëm sepse ka mashtruar miliarda të vaksinuar me vaksinën anti-Covid.
Ky pretendim, si zakonisht, nuk shoqërohet me ndonjë burim apo referencë. I vetmi detaj identifikues është përmendja e “një gjykatës holandez.”
Duket se ky pretendim e ka zanafillën në një padi civile të depozituar në një gjykatë të Leeuwarden, Hollandë, e cila përshkruhet në një artikull të gazetës hollandeze Volkskrant.
Në padinë e depozituar nga fondacioni Recht Oprecht, 7 paditës akuzojnë 17 të paditur, përfshi këtu shtetin hollandez, ish-kryeministrin Mark Rutte, Bill Gates dhe drejtorin e Pfizer Albert Bourla për dëme nga vaksina anti-Covid. Faqja e Recht Oprecht thekson se padia është civile.
Të gjithë të pandehurit deri më tani kanë dorëzuar një mbrojtje me shkrim. Shefi i Pfizer Bourla i kërkoi një firme ligjore të respektuar të hartonte një deklaratë mbrojtëse prej 54 faqesh. Njëmbëdhjetë zyrtarë të qeverisë holandeze u përfaqësuan nga avokati i shtetit. Mbrojtja argumenton se paditësit nuk kanë pësuar dëme si rezultat i vaksinës. Për më tepër, të gjithë kishin zgjedhjen të mos vaksinoheshin.
Seanca e parë gjyqësore mbi këtë çështje do të mbahet më 27 Nëntor.
Siç shpjegohet nga një nga kanalet e para që raportuan mbi çështjen, ligji civil kompenson dëmin e bërë ndaj një personi, zakonisht duke dhënë dëmshpërblim monetar. Nëse gjykata konstaton se Bourla dhe të pandehurit e tjerë kanë shkelur detyrat e tyre qytetare, atyre do t’u kërkohet t’i paguajnë dëmet paditësve.
Si rrjedhim, pretendimi se Bourla dhe të pandehurit e tjerë në këtë çështje përballen me burg të përjetshëm është i pavërtetë.