Pretendimi: Qeveria britanike shpall ‘krizën shëndetësore të kancerit turbo’ ndërsa me mijëra të vaksinuar diagnostikohen çdo ditë.
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————
Një lajm që po qarkullon në hapësirat konspiracioniste pretendon se qeveria britanike ka shpallur një “krizë shëndetësore të kancerit turbo” ndërsa mijëra të vaksinuar diagnostikohen çdo ditë.
Si zakonisht, ky postim nuk shoqërohet me ndonjë burim apo referencë. Mediat ndërkombëtare dhe britanike nuk raportojnë ndonjë lajm të tillë.
Megjithatë, Faktoje gjeti një artikull nga duket se e ka origjinën ky pretendim, të botuar më 18 tetor në portali amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch.
Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.
Artikulli i The People’s Voice i referohet një artikulli të tabloidit britanik The Daily Mail, i cili mban titullin “Rastet e kancerit në Angli kapin numra rekord me gati 1000 persona që diagnostikohen çdo ditë.”
Ndërkaq, artikulli i The Daily Mail i referohet shifrave të publikuara nga Shërbimi Kombëtar Mjekësor (NHS) britanik më 17 tetor.
Njoftimi për shtyp i NHS nuk përmend termin “emergjencë shëndetësore.” Termi “turbo kancer”, që nuk është term mjekësor apo shkencor, aq më pak nuk përmendet nga NHS. Njoftimi gjithashtu deklaron se 950 persona diagnostikohen në ditë, pa specifikuar nëse ata janë të vaksinuar apo jo.