Pretendimi: Bora mbuloi për herë në histori shkretëtirën e Arabisë Saudite
Verdikti: Mungon konteksti
Artikuj të shumtë të publikuar në mediat online pretenduan se bora mbuloi për herë të parë në histori shkretëtirën e Arabisë Saudite këtë dimër. (këtu, këtu, këtu, këtu).
Artikujt e shpërndarë në mediat online
Portalet publikuan foto dhe video ku pretendohej se shkretëtira Al-Jawf e Arabisë Saudite u shndërrua në një peizazh me dëborë. Në shkrimet e publikuara thuhej ndër të tjera ky fenomen i pazakontë është shkaktuar nga një përzierje e rrallë e ajrit të lagësht nga Deti Arabik dhe nxehtësia e madhe e shkretëtirës.
Por, çfarë ndodhi vërtetë në shkretëtirën Al-Jawf?
Rajoni I Al-Jawf, i vendosur në veriun e Arabisë Saudite, njihet për fenomene të pazakonta atmosferike gjatë muajve të dimrit. Megjithatë, bora është një dukuri jashtëzakonisht e rrallë në këtë zonë për shkak të klimës së saj zakonisht të thatë dhe shkretinore. Agjencia Saudite e Shtypit (SPA) sqaroi se ajo që dukej si një peizazh i mbuluar me borë ishte në të vërtetë rezultat i një stuhie të ashpër breshëri.
Gjatë disa muajve të dimrit, Gadishulli Arabik, veçanërisht rajonet e tij veriore mund të përjetojë rënie drastike të temperaturave dhe stuhi sporadike breshëri për shkak të masave të ftohta ajrore që zbresin nga veriu. Duke qene se breshëri është intensiv, kokrrizat e akullit mund të grumbullohen në tokë, duke krijuar një efekt vizual të ngjashëm me borën.
Shpjegimi i postimit viral se një kombinim i ajrit të lagësht nga Deti Arabik dhe nxehtësia e shkretëtirës shkaktoi borë është shkencërisht i gabuar. Në realitet, grumbullimi i breshërit është më i mundshëm si rezultat i përplasjes së masave të ajrit të ftohtë me ajrin e lagësht, gjë që shkakton stuhi intensive, herë pas here të shoqëruara me breshër, në rajonet shkretinore.
Fotot nga ngjarja tregojnë qartë sfera të vogla të bardha tipike të breshërit dhe jo strukturën kristalore të borës.
Në një kërkim të bërë online, konstatuam se raportimi për borën nuk është bërë nga mediat vendase saudite, por e ka origjinën nga postimet në rrjetet sociale të banorëve vendas.
Ndërkohë, një pjesë e fotografive të deveve të mbuluara nga bora që kanë qarkulluar në portale, janë shkrepur në një pjesë tjetër të rajonit, në malet shkëmbore të Algjerisë, ku bora është një fenomen më i rrahur.
Foto e deveve në dëborë qarkullon prej janarit 2023 në internet
Këto pretendime janë verifikuar edhe nga kolegë të tjerë të verifikimit të fakteve.