Ulja e borxhit publik nën 60% të prodhimit kombëtar ishte një nga angazhimet kryesore të programit qeverisës të socialistëve katër vite më parë. Në fund të 2024 niveli i borxhit publik rezultoi 54,7 % në raport me prodhimin e brendshëm. Por ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se pas përmbushjes së këtij angazhimi qendron zhvlerësimi i euros në raport me lekun.
Esmeralda Topi
Katër vite më parë, teksa kërkonte mandatin e tretë për të drejtuar vendin, kryeministri Edi Rama ricikloi premtimin për uljen e borxhit publik. Një nga shënjestrat e programit qeverisës 2021-2025 ishte konsolidimi i përshpejtuar fiskal që synonte uljen e borxhit nën 60 % të prodhimit kombëtar.
Fakt
Pasi shënoi nivele rekord në periudhën e pandemisë, borxhi publik është futur në një trajektore rënëse. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se niveli i borxhit publik në 2024 rezultoi 54,7% e prodhimit të brendshëm bruto nga 74,5% që ka qënë në 2021. E përkthyer në vlerë borxhi i vendit përllogaritet në 13,6 miliardë euro.


Këtë vit, qeveria ka parashikuar në buxhet që të mbajë të njëjtin nivel të borxhit, teksa planifikon që në 2026-2027 niveli i borxhit të arrijë në 54% dhe 53,2% në raport me prodhimin kombëtar.
Euro ndihmoi uljen e borxhit
Rënia e ndjeshme e borxhit publik ka ardhur kryesisht prej zhvlerësimit të valutave, pasi borxhi i jashtëm që merret në monedhë të huaj është në rënie me 3% krahasuar me vitin 2023, ndërsa borxhi i brendshëm që merret në Lekë, është rritur lehtë.
Vitet e fundit, euro ka pësuar një zhvlerësim të fortë dhe qeveria ka përfituar pasi ka paguar më pak për borxhin e jashtëm.
Refruar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, nga 118.9 lekë që këmbehej 1 euro në vitin 2021, sot jemi nën 100 lekë.
Kursi i këmbimit euro/lek
Edhe ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se kursi i këmbimit është një nga faktorët kryesor që ka ndikuar në trajektoren rënëse të borxhit.
“Borxhi publik ka njohur një rënie të konsiderueshme gjatë viteve të fundit për shkak të disa faktorëve. Ndër të cilat janë vlerësimi gati me 13% i monedhës vendase që ka një impakt të rëndësishëm në këtë pjesë.”, argumenti Gent Beqiri.
Një tjetër argument sipas tij është rritja ekonomike.
“Vitet e fundit që ka qënë 3-4% e PBB-së e cila kontribon në uljen e borxhit. Gjithashtu ka dhe një lloj mirëmenaxhimi fiskal si dhe riskedulimi i borxhit.”, arsyeton ai.
Zhvlerësimi i euros ka ndikuar ndjeshëm në uljen e stokut të borxhit, duke përmbushur objektivin e qeverisë, pa shumë mundim prej saj.
Po ashtu, ky nivel ndonëse zyrtar nuk pasqyron realitetin e detyrimeve që qeveria i ka qytetarëve, biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë. Në stokun e borxhit publik nuk janë të përfshira kontratat e Partneritetit Publik Privat; vendimet e Gjykatave ndërkombëtare; borxhet e qeverisë qendrore dhe bashkive apo borxhet e shoqërive publike.
Përfundim
Nisur nga verifikimi i kryer dhe të dhënat e mbledhura, angazhimin e qeverisë se borxhi publik do të ulej nën 60% të prodhimit kombëtar, e kategorizojmë të mbajtur.