Bashkia e Kavajës nuk po e jep bonusin mujor për bebet e sapolindura në këtë qytet, pavarësisht premtimit të kandidatit fitues për kryebashkiak, Fisnik Qosja në fushatën për zgjedhjet e 14 majit. Vetë bashkia konfirmon se bonusi prej 5 mijë lekësh në muaj nuk është shpëndarë për asnjë nga familjet që ka sjellë në jetë bebe pas zgjedhjeve vendore.
“Do të ofrojmë bonuse mujore në vlerën 50 mijë lekë në muaj për çdo lindje të re në Bashkinë Kavajë në vitin e parë të jetës”, premtoi Qosja më 23 shkurt të këtij viti, në një intervistë për Panorama, duke shtuar se kjo do të realizohej brenda 6-mujorit të parë në krye të këtij institucioni.
Edhe më 10 mars 2023, ai e përsëriti premtimin: “Do japim bonuse mujore në vlerën 5000 ALL (5 mijë lekë të reja në muaj) për çdo lindje të re në Bashkinë Kavajë, në vitin e parë të jetës”.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Kavajë, 6 shtator 2023
Për të verifikuar premtimin e kryebashkiakut Qosja, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë Kavajë. Ne e pyetëm këtë institucion, nëse po e shpërndan bonusin 5 mije lekë në muaj për lindjet e reja në këtë qytet.
Zyrtarisht, më 9 tetor, Bashkia informoi Faktojen:
“Përsa i përket lindjeve të reja, Bashkia Kavajë nuk jep bonuse”.
Kajavë, 20 tetor 2023
Ne pyetëm edhe pranë Gjendjes Civile nëse kanë informacione në lidhje me këtë bonus, por konfirmuan se nuk kishin dijeni për dhënien e tyre. Të njëjtat burime njoftojnë për shifra shumë të ulëta të lindjeve në maternitetin e kësaj bashkie.
“Nga data 03 janar 2023 deri më datë 20 tetor 2023 ka pasur vetëm 11 lindje në Spitalin Obsetrik-Gjinekologjik Kavajë, pothuajse 1 lindje në muaj mesatarisht. Për të njëjtën periudhë janë regjistruar 63 lindje të tjera të banoreve që jetojnë në Kavajë, por që kanë zgjedhur spitale në rrethe të tjera për të sjellë në jetë bebet.
Gjendja Civile nuk na informoi se sa është numri i bebeve të lindura pas 14 majit, ndërkohë që vetë bashkia konfirmon se nuk është dhënë bonus mujor për bebet e reja.
Nisur nga verifikimi i kryer, vendosëm që premtimin për dhënien e bonusit për lindjet e reja ta kategorizojmë deri tani të pambajtur.
* Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.