Pretendimi: Imane Khelif është përjashtuar përjetë nga sporti pasi WBO e njohu atë si burrë, duke i humbur të gjitha medaljet dhe 25 milionë dollarë çmime

Verdikti: E pavërtetë

————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi dhe ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se boksierja algjeriane Imane Khelif është “përjashtuar përjetë nga sporti” pasi Organizata Botërore e Boksit (WBO) “e njohu atë si burrë, duke i humbur të gjitha medaljet dhe 25 milionë dollarë çmime.”

Duket se postimi i mësipërm është riciklim i një pretendimi të ngjashëm që qarkulloi më herët, gjatë vitit 2024.

Khelif fitoi medaljen e artë në kategorinë e peshës së lehtë për femra në Lojërat Olimpike të Parisit në Gusht 2024.

Pjesëmarrja e saj në Lojërat ringjalli debatin mbi pranueshmërinë e saj për të garuar pasi ajo u skualifikua nga Shoqata Ndërkombëtare e Boksit (IBA) nga Kampionati Botëror një vit më parë.

IBA tha se Khelif dështoi në një test kromozomi seksual. Komisioni Ndërkombëtar Olimpik (IOC), i cili në 2023 i hoqi IBA statusin si organi qeverisës global për boksin, e la Khelif të garonte në Lojërat Olimpike të 2024.

Vetë Organizata Botërore e Boksit (WBO) ka përgënjeshtruar pretendimin e mësipërm në një deklaratë për shtyp ta botuar më 10 tetor 2024.

Organizata Botërore e Boksit (WBO) njoftoi se nuk kishte testuar dhe as e kishte ndaluar Khelif. 

“Raportimet që pretendojnë se WBO e kishte ndaluar Khelif janë padyshim të rremë. Ne nuk kemi pasur asnjë komunikim me Khelif. Ne e përgëzojmë atë dhe i urojmë fat në të gjitha përpjekjet e saj të ardhshme”, tha këshilltari ligjor i WBO Gustavo Olivieri. “Çdo raportim që deklaron të kundërtën është padyshim i rremë dhe me qëllim të keq.” 

Pyetur sërish mbi çështjen nga Deutsche Welle në Mars 2025, WBO sqaroi se “ajo njihet si femër.” Deklarata gjithashtu shpjegoi se WBO “është në proces të vlerësimit të rregullave të ndryshimit të gjinisë dhe çdo ndryshim i mëvonshëm i rregullave do të bëhet në kohën e duhur.”

Deri më 30 maj 2025, nuk ka ndonjë njoftim nga WBO që deklaron se e njeh Khelif si burrë.

Ndërkaq, Imane Khelif po përgatitet t’i rikthehet ndeshjeve të boksit të femrave në Eindhoven në Qershor 2025. Përpara Eindhoven 2025, aktivistet holandeze për të drejtat e grave nga grupi “Let Women Speak” (Lejoni Gratë të Flasin) planifikojnë të protestojnë kundër pjesëmarrjes së Khelif në këtë garë.