Pretendimi: Imane Khelif është tërhequr nga karriera e boksit
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————
Një numër mediash shqipfolëse kanë raportuar se boksierja algjeriane Imane Khelif i ka dhënë fund karrierës duke u tërhequr nga boksi pas akuzave se “është burrë”.
Lajmi për tërheqjen e Imane Khelif nga boksi qarkulloi më 20 gusht, kur ish-menaxheri i saj, Nasser Yesfah, deklaroi në një intervistë me gazetën franceze Nice Matin se “Imane jo vetëm që është larguar nga Nice , por edhe nga bota e boksit.”
Po atë ditë, pak pasi u botua artikulli, Imane Khelif publikoi një postim në faqen e saj në Facebook, duke deklaruar: “Lajmi për tërheqjen time nga boksi nuk është i vërtetë, por bazohet vetëm në deklaratat e bëra nga ata që nuk më përfaqësojnë më në asnjë mënyrë.”
Statusi i Khelif
Boksierja algjeriane shkroi se nuk e kishte njoftuar kurrë tërheqjen e saj nga boksi dhe se po stërvitet rregullisht midis Algjerisë dhe Katarit në përgatitje për ngjarjet e ardhshme sportive.
“Thashetheme të tilla përhapen vetëm për të prishur dhe fyer karrierën time atletike dhe profesionale. Do të mbetem gjithmonë besnike ndaj sportit të boksit dhe atdheut tim,” përfundoi Khelif.
Prej Lojërave Olimpike të Parisit në 2024, Imane Khelif është bërë shënjestër e lajmeve të rreme. Këto pretendime të nxjerra nga konteksti qarkullojnë edhe në mediat shqipfolëse dhe janë verifikuar më parë nga Faktoje si të pabaza.