Pretendimi: Imane Khelif i është hequr medalja e artë olimpike dhe i është ndaluar të marrë pjesë në aktivitete sportive
Verdikti: E pavërtetë
————————————————
Megjithëse Lojërat Olimpike të Parisit përfunduan në gusht, dezinformimi lidhur me to vijon në rrjete sociale. Së fundmi, po qarkullon lajmi se boksieres algjeriane Imane Khelif i është hequr medalja e artë olimpike dhe i është ndaluar pjesëmarrja në aktivitete sportive “pasi WBO [Organizata Botërore e Boksit] konfirmoi identitetin gjinor, mashkull.”
Khelif fitoi medaljen e artë në kategorinë e peshës së lehtë për femra në Lojërat Olimpike të Parisit në gusht.
Pjesëmarrja e saj në Lojërat ringjalli debatin mbi pranueshmërinë e saj për të garuar pasi ajo u skualifikua nga Shoqata Ndërkombëtare e Boksit (IBA) nga Kampionati Botëror një vit më parë.
IBA tha se Khelif dështoi në një test kromozomi seksual. Komisioni Ndërkombëtar Olimpik (IOC), i cili në 2023 i hoqi IBA statusin si organi qeverisës global për boksin, e la Khelif të garonte në Lojërat Olimpike të 2024.
Vetë Organizata Botërore e Boksit (WBO) ka përgënjeshtruar pretendimin e mësipërm në një deklaratë për shtyp ta botuar më 10 tetor.
Organizata Botërore e Boksit (WBO) njoftoi se nuk kishte testuar dhe as e kishte ndaluar Khelif.
“Raportimet që pretendojnë se WBO e kishte ndaluar Khelif janë padyshim të rremë. Ne nuk kemi pasur asnjë komunikim me Khelif. Ne e përgëzojmë atë dhe i urojmë fat në të gjitha përpjekjet e saj të ardhshme”, tha këshilltari ligjor i WBO Gustavo Olivieri. “Çdo raportim që deklaron të kundërtën është padyshim i rremë dhe me qëllim të keq.”