.

.

BallinaAktualitetBllokimi i “Focus Media News”, gazetarët në protestë

Bllokimi i “Focus Media News”, gazetarët në protestë

Pas bllokimit të sinjalit të televizionit News 24 nga ndërhyrja e policisë dhe forcave ushtarake, dhjetëra gazetarë protestuan duke kërkuar lirimin e ambientëve dhe funksionimin normal të medias.

Sebi Alla

Ora 07.36, dt 09.08.2025, sinjali televiziv u shkëput, kur forca të shumta policore dhe ushtarake, bllokuan ambientet e televizionit News 24, agjencisë së lajmeve Balkanëeb, Gazetës Panorama, Gazetës Panorama Sport dhe Radio Rash. Mbyllja u bë pas një urdhri të lëshuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Invovacionit e cila sipas saj, duke iu referuar vendimeve gjyqësore, kaloi hapësirat e marra në shfrytëzim nga “Focus Media News”, tek Agjencia Shtetërore e Prodhimit dhe Tregtimit të Armëve KAYO.sha. Ndërsa pretendimet e palëve shtet-subjekt privat janë të ndryshme, 230 punonjës të medias, gazetarë, operatorë dhe staf mbështetës teknik, kanë mbetur pa punë prej tre ditësh dhe nuk lejohet që të futen në zyrat e tyre, duke mos kryer misionin parësor: “informimin e publikut”.

Protesta

Ditën e sotme dhjetëra gazetarë të “Focus Media News” dhe shumë kolegë nga media të tjera protestuan me parkarta në duar ky binte në sy disa të tilla si: “Media nuk mbyllet, por mbrohet”; “Ne s’jemi kriminelë që na sillni polici dhe ushtri”, apo “Liria e medias nuk është negociatë”. … “Të shtunën në mëngjes, pa paralajmërim, u ndërpre sinjali ynë dhe u bllokua hyrja e gazetarëve në vendin e tyre të punës. Na u tha se ishte një çështje kontrate qiraje, por të gjithë e dimë se marrëdhëniet kontraktuale nuk mund dhe nuk duhet të shërbejnë si pretekst për të mbyllur një zë të lirë informimi. Konfliktet civile zgjidhen në gjykata, jo duke fikur ekranin e një televizioni që i shërben publikut”-tha drejtoresha e informacionit në News 24, Anila Jole. Ndërsa shtoi se “…kjo që ndodhi nuk është vetëm një çështje e News24, është çështje që prek çdo media dhe çdo gazetar në Shqipëri, pasi sot është News24, nesër mund të jetë çdo zë tjetër kritik”.

Konflikti

“Focus Media News” prej më shumë se dy dekadash është vendosur në godina shtetërore nëpërmjet kontratave të qirasë të nënshkrruara në disa vite me kohë zgjatje të ndryshme shfrytëzimi. Një nga godinat është me kontratë të përfunduar që në vitin 2023, por në procese të vazhdueshme gjyqësore, ndërsa godina tjetër me kontratë qiraje në fuqi deri në vitin 2033. “Nëse shoqëria Kayo do të kishte një vendim gjyqësor për lirimin e godinës do të kishte një njoftim paraprak nga përmbaruesi dhe më pas lirimin e ambienteve e bën përmbaruesi. Në këtë rast nuk ka asnjë vendim gjyqësor dhe asnjë përmbarues”, u shpreh avokati i kompanisë, Erjon Kanxheri. Ndërsa në përgjigjen e saj zyrtare, Ministria e  Ekonomisë, Kulturës dhe Invovacionit thotë se ka ndjekur të gjithë procedurat ligjore. “Pretendimi i shoqërisë se kontrata e saj e qirasë ka afat deri në vitin 2033 lidhet me një pasuri tjetër shtetërore, e ndryshme dhe pa asnjë lidhje juridike apo faktike me pasurinë e kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a”. Mësohet se IKMT ka prishur në orët e para të mëngjesit të sotëm një tunel lidhës mes dy objekteve, godinës A që është sekuestruar dhe pretendohet se i ka përfunduar kontrata dhe godinës B e cila ka leje shfrytëzimi deri në vitin 2033. “Focus Media News” shprehet se gjatë ndërhyrjes janë dëmtuar një pjesë e teknikës, duke rrezikuar arkiven dhe serverat. Megjithëse institucionet shtetërore nuk kanë sekuestruar godinën B, sërish punonjësit nuk lejohet të futen brenda atyre ambienteve, me pretendimin se për të shkuar deri aty “shkelin në pronë shtet”. Përvecc forcave të policisë që qëndrojnë në perimetrin e jashtëm të objeteve, në brendësi janë forcat ushtarake të cilët janë udhëzuar për të mos lejuar asnjë punonjës të futet.  

Reagimet

Organizatat mediatike vendase dhe të huaja reaguan me shqetësim në lidhje me bllokimin e sinjalit të transmetimit të “Focus Media News”, duke e cilësuar ndërhyrjen me forca policore dhe ushtarake si të papranueshme dhe cënim i lirisë së medias. Qëndrime pati sot edhe nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Rrjeti Global për Mediat e Pavarura (IPI). Në reagimet e tyre theksohet se nevojiten veprime të menjëhershme nga autoritetet shtetërore për rikthimin e plotë të funksionimit të mediave, përfshirë sinjalin e News24, dhe për të ofruar arsyetim ligjor për pengimin e aksesit të publikut në përmbajtjen mediatike. Edhe Faktoje.al bashkohet me qëndrimin se bllokimi, cënimi i lirisë dhe veprimet që lënë të papunë dhe në pasiguri mbi 200 punonjës të medias, gazetarë dhe staf mbështetës, janë të papranueshme, pavarësisht konflikteve dhe pretendimeve institucione shtetërore-subjekt privat.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img