MERXHAN DACI
Disa ditë më parë “Faktoje” publikoi një vëzhgim mbi përdorimin personal të makinave të blinduara në Shqipëri. Lajmi ngriti alarmin se sa lehtë mund të blihen “online” mjetet e blinduara dhe se numri i shtuar i blerësve për përdorim personal, jo për shkak të detyrës si psh., njerëz me funksione të veçanta, dëshmon për mungesë të sigurisë në vend.
Këtë konkluzion të “Faktoje” e përforcojnë shifrat e publikuara nga vetë institucionet shtetërore. Sipas shifrave të Policisë së Shtetit, veprat penale nga viti 2015-a në 2018-ën janë rritur.
Në 13 qytete të Shqipërisë, ka rreth 120 persona që përdorin makina të blinduara për të qarkulluar. Shifrat tregojnë se Tirana ka më shumë makina të tilla, ndjekur nga Durrësi, Vlora dhe Laçi.
Në vëzhgimin paraardhës “Faktoje” vërejti se në listën e siguruar nga burime konfidenciale pranë Minstrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë gjenden emra personash me rekorde kriminale. E megjithatë, janë pikërisht ata që edhe pse të skeduar, lëvizin me mjete të blinduara, një mesazh jo vetëm ndaj atyre që u frikësohen por edhe si një sfidë, duke bërë “prova force” nëpër rrugët ku kalojnë bashkë me ta edhe makinat jo gjithnjë të blinduara të policisë.
“Faktoje” iu referua edhe një studimi të Open Society Albania për krimin në Shqipëri, që ka krijuar një hartë sipas qyteteve më problematike me grupet kriminale dhe që nga një krahasim i thjeshtë, korrespondon me të dhënat tona për shpërndarjen e makinave të blinduara.
Harta tregon me ngjyrë të kuqe qytetet si Tirana, Elbasani, Durrësi, Shkodra apo Vlora të cilat janë të njohura për nivelin e lartë të kriminalitetit. Numri më i lartë i makinave të blinduara është pikërisht në qytetet më shifrat më shqetësuese të kriminalitetit, një raport logjik që sjell alarmin për situatën e sigurisë.
Tjetër provë në këtë analizë të “Faktoje” për domethënien e makinave të blinduara në vend, duke të të kujtuar një situatë guerrile është edhe raporti i Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2018, raport ky që pritet të prezantohet në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas raportit, bandat dhe grupet kriminale në 2018-ën janë dyfishuar.
Përqëndrimi i veprave penale mes të cilave trafiku i drogës, krimi kundër personit dhe vjedhjet janë pikërisht në zonat ku është dhe numri më i lartë i pronarëve të makinave të blinduara.
Kjo “justifikon” edhe përballimin pa problem të një kostoje të ekzagjeruar që ka blerja e mirëmbajtja e një mjeti të tillë, në një vend si Shqipëria ku ende diskutohet për mbijetesën për shkak të çmimeve të larta për ushqim dhe veshje.
Duke qenë se çështja e sigurisë dhe rendit mbetet një nga më të ndjeshmet dhe me interes publik, “Faktoje” ka vendosur të bëjë publikë mbiemrat e personave të cilët kanë një automjet të blinduar.