.

.

BallinaFaktometerBiznesi i vogël, i mesëm dhe fasonët: Paketa e Ndihmës Financiare për “Covid-19” nuk mjafton

Biznesi i vogël, i mesëm dhe fasonët: Paketa e Ndihmës Financiare për “Covid-19” nuk mjafton

Qeveria akordoi fondin prej 53 milonë eurosh për nevojat urgjente, përfshirë këtu mbështetje për biznesin e vogël, atë të mesëm dhe fasonët, të goditur nga pasojat e masave shtrënguese kundër Covid-19. Por biznesi i vogël dhe fasonët ankohen se fondi i alokuar është i pamjaftueshëm dhe në rast se të mosndërhyrjes nga qeveria, rrezikohet mbyllja e shumë aktiviteteve.


Më 19 mars, kryeministri Edi Rama prezantoi Paketën e Ndihmës Financiare, si mbështetje e qeverisë për përballimin e krizës nga pandemia e “Covid-19”. Kryeministri Rama argumentoi se të punësuarit apo të vet1ëpuësuarit, aktivitetet e të cilëve ishin mbyllur për shkak të pandemisë “Covid-19” do përfitonin një “pagë lufte”.

Plani ynë, për adresimin  e nevojave për financim të atyre që janë prekur drejtpërdrejtë në ekonominë e tyre të përmuajshme…Ne mund, duhet dhe do të financojmë… ata që që pa biznesin e vogël ku janë punësuar familjarisht, nuk i mbijetojnë dot të nesërmes, nëse sot nuk ndihmohen të jetojnë ndërkohë që dyqani rri mbyllur,-tha Rama.

Qeveria alokoi 6.5 miliardë lekë (53 milionë euro) për nevojat më imediate:

o  Për shtresat më në nevojë;

o  Për biznesin e vogël;

o   Për personat e mbetur të papunë për shkak të luftës

Por për biznesin e vogël dhe të mesëm, Paketa e Ndihmës Financiare është e pamjaftueshme. Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm paralajmëroi përkeqësim të situatës në rast se qeveria nuk ndërhyn.

Të ndërhyjë qeveria urgjent dhe pa kurrfarë hezitimi për t’i paraprirë një epidemie në vend nga mijëra e mijëra subjekte që do falimentojnë dhe qindra mijëra qytetarë që do mbeten pa punë. Çdo ditë që kalon, gjendja përkeqësohet dhe fundi do jetë me pasoja të rënda si për biznesin edhe për ekonominë e vendit, thuhet në reagimin e Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm në Shqipëri.

Edhe bizneset e fasonëve pohojnë se janë në një situatë të vështirë për shkak të mospagimit nga kontraktorët, çka ia bën të pamundur vijimësinë e dhënies së pagave punonjësve. Ndaj edhe kjo kategori biznesi kërkon ndërhyrje emergjente të qeverisë.

Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve “Proeksport Albania”,  e cila përfaqëson dhe mbron interesat ekonomike të kompanive fasone, paralajmëroi një situatë të vështirë financiare të sektorit dhe pamundësi për të paguar pagat.

Kemi paguar dhe paguajmë, sipas ligjit, të gjitha detyrimet fiskale për muajt janar-shkurt. Por jemi në kushtet e bllokimit të plotë të veprimtarisë ekonomike, për shkak të mungesës së likuiditetit, për faj të administratës suaj, sepse një numër i konsiderueshëm i kompanive tona nuk kanë marrë rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, duke shkelur ligjin fiskal, si edhe shumë herë të tjera. Por edhe duke mos dhënë asnjë shpjegim, as në rrugë zyrtare për vonesa që penalizojnë sipërmarrjen. Ndërkohë që, nuk ndodh e kundërta: vonesat tona në pagesa ligjore penalizohen brenda 23 orëve! Bizneset tona kanë edhe nga 4-5 vite që nuk iu rimbursohet TVSH-ja!?, thuhet në reagimin e Shoqatës Kombëtare e Punëdhënësve “Proeksport Albania”.

Për ekspertin e ekonomisë Zef Preçi, masat e marra nga Qeveria për biznesin janë të pamjaftueshme. Preçi argumenton se mungesa e shtetit ligjor do vështirësojnë gjendjen.

Sa i takon ndikimit të masave që ka marrë qeveria të tilla si vetë-izolimi, ndërprerja e shërbimeve dhe e prodhimit në bizneset e vogla dhe të mesme, mbyllja e kufijve, etj., kuptohet se ato japin ndikimin e vet në përkeqësimin e situatës ekonomike në përgjithësi. Por argumenti se masat qeveritare nuk duhet të ndërpresin zinxhirin ekonomik sidomos në ato aktivitete ekonomike ku janë të punësuar një numër i madh punëtorësh dhe nga shtresat me status social ekonomik të ulët të shoqërisë sonë, meriton të respektohet dhe këto masa duhet të ndërmerren në bashkëpunim të ngushte me vetë komunitetin e biznesit, botën akademike, ekspertët e pavarur, etj, shprehet Preçi.

MARJO BRAKAJ

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img