Qeveria vuri në dispozicion një shumë prej 11 miliardë lekësh, në formën e garancisë sovrane, për t’u ardhur në ndihmë bizneseve në vështirësi, në mënyrë edhe që të mbajnë punonjësit në punë. Por sa të motivuar janë bizneset të aplikojnë për këtë lloj kredie dhe si e vlerësojnë ekspertët këtë formë të qeverisë për të ndihmuar këtë kategori?
Kryeministri Rama shpalli paketën ekonomike të qeverisë më datë 19 mars, në të cilën krahas mbështetjes sociale për shtresat në nevojë specifikohej edhe një garanci sovrane në masën e 100 milionë dollarëve, ose 11 miliardë lekë, për t’u ardhur në ndihmë bizneseve të mëdha. Ajo do të shërbente për pagën e punonjësve dhe shuma totale e huasë për çdo biznes nuk mund të tejkalonte vlerën e tre pagave mujore bruto të punonjësve të deklaruar, ku vlera mujore e një pagë nuk mund të ishte më shumë se 150 mijë lekë të reja. Huadhënia do të ketë një normë interesi, e cila në asnjë rast nuk do të tejkalojë masën 2.85%.
“Faktoje” bisedoi me ish-zëvendës Ministrin e Ekonomisë, zotin Ilir Ciko, i cili shpjegon:
“Garancia sovrane që jep shteti është një garanci që i ofrohet sistemit bankar në mënyrë që ai të kreditojë bizneset që kanë nevojë për të marrë një kredi duke qenë shteti garant për shlyerjen e saj. Pra, në vend që biznesi të vendosë një kolateral për shlyerjen e kredisë, në këtë situatë që kalojmë, është shteti që me anë të kësaj garancie del si garant për shlyerjen, pa patur nevojë për vendosjen e garancive të tjera nga ana e biznesit.”- tha ai.
“Faktoje” bisedoi gjithashtu edhe me Dekanin e Fakultetit Ekonomik të Universitetit Mesdhetar, zotin Adrian Civici, i cili shpjegon mekanizmin e funksionimit të garancisë sovrane.
“Kur ti shkon të marrësh kredi në bankë, banka nuk ta kërkon ty kolateralin, po merr kolateralin nga ky 100 milionëshi që ka vënë shteti dhe nëse ti e shlyen në rregull kredinë vazhdon, nëse nuk e shlyen në rregull banka ia merr shtetit paratë që duhet të kishe lënë ti kolateral. Edhe në këtë rast shteti nëse ti arrin në këtë gjendje, merr një pjesë edhe përkohësisht të aksioneve të tua, bëhet pronar shteti, sepse i ka paratë e veta që të ka lënë ty si kolateral.” – tha zoti Civici.
Thuajse dy javë pas shpalljes së paketës ekonomike, më 7 prill, qeveria shqiptare botoi në fletoren zyrtare vendimin e miratimit të garancisë shtetërore në vlerën e 11 miliardë lekëve. Në preambulën e këtij dokumenti specifikohet qëllimi i qeverisë, për të stimuluar huadhënien për pagesën e pagave të punëtorëve nga ana e bizneseve.
“Qëllimi i skemës së garancisë është që të stimulojë huadhënien për të mundësuar pagesën e pagave të punonjësve të shoqërive tregtare, veprimtaria e të cilëve është prekur nga masat e ndërmarra nga qeveria në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19.” – thuhet në dokumentin zyrtar.
Por sa stimuluese është marrja e kësaj huaje me garanci shtetërore?
Zonja Donika Mici, sipërmarrëse dhe pronare e kompanisë “Mici’s Shoes”, është shprehur më 20 prill në emisionin “Argument” se rregullat strikte të vendosura në garancinë sovrane krijojnë barriera të forta, të cilat nëse do të vazhdojnë mund të çojnë shumë biznese të këtij sektori në faliment.=
“Disa biznese mund të kenë hasur në vështirësi gjatë kësaj periudhe. Nëse bankat shohin se biznesi ka risk, ato nuk e akordojnë kredinë. Ky është hapi i parë dhe i rrezikshëm, që të filtrohen në këtë formë. Bizneset e mëdha punojnë me bankat dhe ky është një ngërç i madh pasi nuk do marrin dot as kredi për të paguar rrogat e punonjësve, jo të flasin për likuiditet për të vazhduar aktivitetin.” – tha zonja Mici.
Megjithatë zonja Mici shprehet se, pavarësisht interesit 2.8%, ka aplikuar për huanë në mënyrë që të paguajë punonjësit dhe të mos i heqë nga puna.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe menaxheri i kompanisë “ND Albania” dhe anëtar i Unionit të Fasonistëve Shqiptarë, zoti Florian Zekja.
“Kam aplikuar për garancinë sovrane, më është aprovuar, por pritet marrëveshja ndërmjet qeverisë dhe bankave të nivelit të dytë për heqjen e përqindjes së interesit. 2.8% ishte paketa e parë dhe me paketën e dytë do hiqet dhe do të përfitoj kredinë me garancinë sovrane.” – shprehet ai.
Zoti Zekja shton gjithashtu se kjo është masë lehtësuese pasi biznesi fason zakonisht nuk ka kolateral dhe pronarët detyrohen të vendosin shtëpitë e tyre si kolateral. Pavarësisht kësaj, sipas tij risku mbetet.
“Tani, të marrësh një kredi pa kolateral, pa lënë shtëpinë kolateral, risku ulet. Duke hequr edhe përqindjen, është edhe më e leverdisshme. Problemi është e ardhmja. Nëse unë e shoh që e ardhmja ime do jetë me ulje-ngritje, por do ketë të ardhme, ia vlen ta marrësh. Nëse unë e shoh që klienti im apo dy klientët e mi të ardhmen e kanë të vështirë, atëherë është e kotë.”, tha ai.
Megjithatë zoti Ciko shprehet se garancia sovrane si instrument është i pamjaftueshëm.
“Garancia është krejtësisht e pamjaftueshme. Një biznesi, po themi rastin më të keq, një biznes që është me humbje, që është me borxhe, që ka kredi të këqija në banka të tjera jo garanci shtetërore të jetë po çfarëdo garancie që të ofrohet, një bankë nuk mund t’i japë kurrësesi një kredi. Banka nuk niset thjesht nga pasja ose jo e një kolaterali, por së pari bën një vlerësim të kërkesës së biznesit, nëse ajo është e pajtueshme me parimet e dhënies së kredisë së bankës dhe pastaj një nga elementët që trajtohet në këtë proces është pjesa e garancisë ose e kolateralit. Por është gjithsesi e pamjaftueshme.” – tha zoti Ciko.
Në një intervistë për emisionin “Pa Protokoll” më 1 maj, zëvendës Ministrja e Financave, zonja Vasilika Vjero bëri me dije se deri tani janë bërë 408 aplikime, ndërsa 72 prej tyrë janë në proces miratimi.
“Deri tani 408 aplikime dhe 72 aplikime janë në proces miratimi për 455 milionë lekë kredi për të garantuar pagën e punonjësve”- tha ajo.
Biznesi fason zë rreth 40% të eksporteve në ekonominë shqiptare, çka i jep një peshë të rëndësishme në rolin që luan gjatë një momenti të vështirë financiar në vendin tonë.
*Foto e parë është marrë nga ATSH
JOEL ÇELA