Pretendimi: Mushkonjat e modifikuara gjenetikisht po vaksinojnë njerëzit
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se njerëzit po vaksinohen nga mushkonja gjenetikisht të modifikuara. Ky pretendim shoqërohet me një imazh të gjeneruar me AI që duket se tregon miliarderin amerikan Bill Gates duke komanduar një tufë mushkonjash.
Pretendimi me gjasa buron nga konfuzioni rreth projekteve reale shkencore që përdorin mushkonja të modifikuara gjenetikisht. Megjithatë, këto projekte nuk kanë për qëllim të vaksinojnë njerëzit, por të luftojnë sëmundjet që transmetohen nga mushkonjat. Ata funksionojnë duke ulur popullatat e mushkonjave dhe duke krijuar mushkonja që nuk mund të përhapin sëmundje si malaria te njerëzit.
Imazhi i Gates me gjasa i referohet Programeve të Mushkonjave Wolbachia, të financuara pjesërisht nga Fondacioni Bill dhe Melinda Gates dhe të përdorura në Australi. Siç Faktoje ka shpjeguar dhe më parë, këto programe lëshojnë mushkonja të infektuara me bakteret Wolbachia, gjë që ul aftësinë e tyre për të përhapur viruse, duke reduktuar rastet e sëmundjeve.
Mushkonjat e modifikuara çiftohen me mushkonjat femra dhe transmetojnë një ndryshim gjenetik që do ta bënte çdo pasardhës femër të paaftë të mbijetonte, duke ulur kështu popullsinë e insekteve që transmetojnë sëmundje.
Malaria vret miliona çdo vit dhe paraziti P. falciparum që e shkakton atë është një armik i ndërlikuar. Vaksinat e nxisin sistemin imunitar të njohë pjesë të patogjenëve infektivë (shpesh proteina që gjenden në sipërfaqe). Megjithatë, parazitët ndryshojnë formën shpesh ndërsa lëvizin përgjatë ciklit të tyre jetësor, duke i bërë ato shënjestra lëvizëse.
Një studim paraprak njerëzor i një imunizimi eksperimental të parazitit të malaries të dobësuar gjenetikisht u krye në 2022 nga shkencëtarët e University of Washington School of Medicine, Seattle Children’s Research Institute, dhe Kaiser Permanente Washington Health Research Institute. Për të krijuar imunizimiun e tyre eksperimental, studiuesit fshinë tre gjene në patogjenin që shkakton malarien. Duke eliminuar këto gjene, shkencëtarët donin të prodhonin një version të çarmatosur të parazitit që mund të trajnonte imunitetin e trupit për të shmangur infeksionet e malaries.
Një tjetër studim i botuar në 2024 në New England Journal of Medicine modifikoi gjenetikisht parazitin P. falciparum në mënyrë që ai të vdesë gjashtë ditë pasi një pickim mushkonje e fut atë në trup, kur ai është ende në fazën e parë të ciklit të tij jetësor në mëlçi. Normalisht, paraziti kalon nga kjo fazë e mëlçisë në qarkullimin e gjakut, ku shkakton infeksion dhe fillojnë simptomat. Por duke qenë se paraziti vdes përpara se të infektojë qelizat e gjakut dhe të evoluojë në fazën e tij vdekjeprurëse, ai vepron si një mënyrë për të forcuar sistemin imunitar, siç bën zakonisht një vaksinim.
Një grup (8 veta) u pickuan nga mushkonjat me parazitë të modifikuar GA1, një grup i dytë (9 veta) me një version tjetër paraziti të modifikuar GA2 dhe grupi i tretë (3 veta) ishin në grupin placebo (u pickuan nga mushkonja të pa infektuara). Pas tre javësh, të gjithë pjesëmarrësit u ekspozuan ndaj mushkonjave që mbartin malarien për të testuar efikasitetin e vaksinës.
Përpara se të ekspozoheshin ndaj mushkonjave që mbartin malarien, të dy grupet që ishin pickuar me mushkonja të modifikuara treguan nivele të rritura të antitrupave. Efektet e vetme anësore të raportuara ishin kruajtjet e vogla nga pickimi i mushkonjave. Studiuesit vunë në dukje se megjithëse ky ishte një studim shumë i vogël dhe kjo qasje do të ketë nevojë për hetime të mëtejshme, efikasiteti i imunizimit dhe mungesa e infeksioneve të reja ishin premtuese.
Kështu, megjithëse imunizimi ndaj malaries me anë të mushkonjave është një metodë që po studiohet dhe testohet seriozisht nga studiuesit, ajo ende nuk është gati për t’u përdorur tek njerëzit, dhe ende nuk ka ndonjë program që përdor mushkonjat si mjet vaksinimi.