Pretendimi: Presidenti amerikan Joe Biden u largua nga 80-vjetori i D-Day, duke e lënë presidentin francez Macron vetëm me veteranët

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale duket se tregon presidentin amerikan Joe Biden dhe zonjën e parë Jill Biden duke u larguar nga një festë që shënonte 80-vjetorin e zbarkimit të trupave Aleate në Francën e pushtuar nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Video më pas tregon presidentin francez Macron duke folur me veteranët në turmë, në një moment duke treguar me gisht nga Biden.

Përdoruesit e rrjeteve sociale e kanë shpërndarë këtë video me pretendimin se Biden ‘braktisi veteranët’ apo u shkëput për të larguar në mes të eventit. 

Megjithatë, pretendimi se Biden u largua nga eventi herët dhe përbuzi veteranët është i rremë dhe duket se është dezinformata më e fundit që qarkullon në rrjet për ta paraqitur 81-vjeçarin Biden, si plak, konfuz dhe të paaftë për të udhëhequr kombin përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Videoja e mësipërme është montuar në mënyrë manipulative.

Video e plotë e ceremonisë nga gazeta britanike The Times, e cila zgjat më tepër se 4 orë, tregon se Biden shtrëngoi duart me disa persona në skenë përpara se të largohej me të shoqen.

Macron vazhdoi të përshëndetë disa të tjerë në turmë. Megjithatë, video e plotë nga The Times tregon se ai dhe e shoqja ndoqën presidentin amerikan dhe zonjën e parë, duke u larguar rreth një minutë pas tyre.
Biden ndërveproi gjithashtu me disa veteranë rrugës për në ceremoni dhe përsëri kur Macron nderoi disa prej tyre me Urdhrin Kombëtar të Legjionit të Nderit të Francës, dekorata më e lartë e vendit.