Pretendimi: Presidenti Biden shfaqet i hutuar në samitin e G7, ndërhyn Meloni
Verdikti: Mungon konteksti
Vjolanda Peca
Shfaqjet publike të presidentit amerikan Joe Biden shoqërohen gjithmonë me video të copëtuara që shpërndahen masivisht në media dhe rrjetet sociale duke theksuar moshën e tij. Pavarësisht se mund të duken qesharake, këto video virale të “gafave” të presidentit amerikan, që rikandidon në zgjedhjet e nëntorit të ardhshëm, janë pjesë e manipulimit të publikut nga rivalët dhe aktorë të tjerë botërorë në dezinformim.
I tillë është dhe rasti i videos së ndarë më 13 qershor, gjatë një ceremonie publike gjatë takimit të krerëve të G7 në Itali. Në video duket Biden, i cili ishte larguar disa hapa nga krerët e tjerë të shteteve dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni që e tërheq prej krahu.
Në tituj që shoqërojnë videon theksohet se Biden shfaqet i hutuar në ceremoni dhe shpëtoi falë ndërhyrjes së Melonit.
Ky episod është pjesë e tendencës më të gjerë të dezinformimit që e përshkruan Joe Biden si një njeri të papërshtatshëm për rolin e presidentit të Shteteve të Bashkuara për shkak të moshës së tij dhe mungesës së qartësisë që lidhet me këtë.
Duke verifikuar videon e plotë të ceremonisë në kanalin e YouTube të Palazzo Chigi, mund të sqarojmë se kemi të bëjmë me një përmbajtje të paraqitur në mënyrë mashtruese.
Në këtë version të gjatë do shohim që presidenti nuk largohet pavetëdijshëm apo i hutuar ng grupi, por për të parë shfaqjen e një parashutisti të ushtrisë italiane duke hequr përkrenaren e tij pas një hedhje me parashutë.
Filmi i plotë tregon performancën me parashutë të departamentit të aktiviteteve sportive të Folgore të ushtrisë italiane, në përfundim të punimeve të ditës së parë të Samitit të G7 që u mbajt në Itali nga data 13 deri më 15 qershor. Parashutistët zbarkuan me radhë, secili me një flamur të vendeve pritëse, në një fushë golfi dhe u përshëndetën me duartrokitje nga udhëheqësit e G7. Kryeministrja Meloni ftoi Biden që të ndiqte shpjegimin që po bënte një tjetër parashutist që zbriti në drejtimin e kundër të tij.
Fushatat dezinformuese kanë si qëllim të nxisin audiencën për të besuar atë çka media thotë dhe duke tjetërsuar me anë të titujve video apo foto të ndryshme.