Më 4 gusht 2025, pasi u paraqit në Prokurorinë e Posaçme SPAK për çështjen e 21 Janarit, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha iu drejtua gazetarëve me një deklaratë që zuri vend në titujt e të gjitha mediave. 21 Janari ishte krim shtetëror pa dashje, deklaroi Berisha për dhjetëra mikrofona gazetarësh që interesoheshin për procesin hetimor të SPAK lidhur me këtë ngjarje famëkeqe.
“A mund të lexosh fjalimet e Sali Berishës vite me radhë përpara, i cili e ka quajtur krim shtetëror. E kam quajtur unë përpara,” tha Berisha, duke shtuar se ka ndryshim mes krimit shtetëror me dashje dhe atij pa dashje. “Krim shtetëror pa dashje është kur ndodh nga rikosheta, ndodh nga detyra, sepse garda ka patur një ligj. Unë e kam thënë 5-6 vjet para, që është krim shtetëror, krim shtetëror pa dashje”, përfundoi Berisha.
Ngjarja e njohur nga të gjithë qytetarët e Shqipërisë, ku mbetën të vrarë katër qytetarë gjatë protestës së opozitës socialiste të kohës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 janar 2011, ka mbetur një nga momentet më të debatueshme të tranzicionit politik shqiptar. Berisha përsëriti atë që ka mbështetur gjithmonë, se nuk ka patur asnjë urdhër për të qëlluar mbi protestuesit dhe se viktimat u vranë nga armët e shtetit, por jo me qëllim. Ai gjithashtu kujtoi se viktimat ishin dëmshpërblyer dhe cilësoi përgjegjës kryesor për protestën e dhunshme të asaj dite kryeministrin Edi Rama.
Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje verifikoi pretendimin e Berishës se ai kishte pranuar “pesë a gjashtë vjet më parë” se ngjarja e 21 janarit ishte një krim shtetëror pa dashje. Një kërkim i zgjeruar në arkivat e fjalimeve dhe daljet publike të kryedemokratit nuk tregoi përdorim të termit “krim shtetëror” në lidhje me 21 janarin.
Në deklaratat e tij publike në janar të vitit 2020 në studio televizive Berisha është shprehur se “asnjëri prej tyre [viktimave] nuk janë vrarë me urdhër” dhe se “garda ka qëlluar në përputhje absolute me ligjin”. Këto deklarata mbeten në përputhje me vijën mbrojtëse që Berisha ka mbajtur për vite me radhë, duke theksuar mungesën e urdhrit dhe duke i atribuar veprimet e gardës si të ligjshme.
Kërkimi tregoi se termi “krim shtetëror” për ngjarjet e 21 janarit është përdorur nga kundërshtari i tij politik, Edi Rama disa herë dhe ndër vite.
Sa i përket kryedemokratit Berisha, ai termin “vrasje shtetërore pa dashje” sipas rekordeve në rrjet e ka përdorur në një kontekst tjetër.
Në vitin 2019, Berisha pranoi përgjegjësi morale për tragjedinë e Gërdecit të vitit 2008 dhe e cilësoi atë si një “vrasje shtetërore pa dashje”. “Kam shprehur keqardhjen më të madhe për Gërdecin dhe jam i vetmi që e kam quajtur vrasje shtetërore,” tha ai atëherë. Kjo tregon se koncepti është përdorur prej tij, por jo për ngjarjen e 21 janarit.
Faktoje iu drejtua edhe Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj me një kërkesë për të treguar një rast, dokument apo video, që mbështet pretendimin e Berishës.
“Deklarata ime është 100% e vërtetë në parlament, por mendoj edhe në studio televizive unë kam kërkuar që të njihet si krim shtetëror pa dashje, në mënyrë që familjet e viktimave të shpërblehen sipas këtij kategorizimi dhe këtë deklaratë kundërshtarët e mi e kanë përdorur më shumë se një herë kundër meje”, Sali Berisha për Faktoje.
Pavarësisht qëndrimit publik, zoti Berisha nuk ofroi asnjë provë të deklaratës së pretenduar dhe deri tani, në materialet publike të aksesueshme, nuk gjendet asnjë rast ku Berisha e ka quajtur më parë ngjarjen e 21 janarit “krim shtetëror pa dashje”. Për këtë arsye, deklaratën e tij se e ka thënë disa vite më parë se 21 Janari ishte krim shtetëror pa dashje do e kategorizojmë si të pavërtetë.