Deklarata e publikuar nga portalet, ku pretendohet se ish-kryeministri Sali Berisha është “tërbuar me ambasadorin britanik”, në fakt është një insinuim mediatik. “Faktoje” verifikoi se bëhet fjalë për një opinion pa autor të shkruar nga “Syri.net”, që mediat online e kanë servirur te lexuesit si një citim të Berishës.
Në një artikull që mban datën 9 nëntor, mediat online kanë publikuar një shkrim ku i referohen një deklarate që pretendohet se është bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha.
“Berisha tërbohet me ambasadorin britanik, pse mbrojti shqiptarët: Të hetohet, se paguhet nga Veliaj dhe më shpalli ‘non grata’ kot”, shkruan “Gazeta Tema”.
Screenshot, lajmi i publikuar nga ‘Gazeta Tema’
Në këtë artikull citohet ambasadori britanik në Tiranë Alastair King-Smith, i cili mbështet shqiptarët, pavarësisht gjuhës së urrejtjes nga mediat britanike. Ndërkohë, më pas në shkrim theksohet: “Kjo ka tërbuar Berishën”, duke mos afruar asnjë të dhënë apo provë të mëtejshme për këtë fakt.
Ndërkohë, në fund të citimit të gjatë që është përfshirë në artikull dhe akuzave që pretendohen në titull, të bëra personalisht nga ish-kryeministri, përmendet shkarazi se këto deklarata janë marrë nga një shkrim i portalit të familjes Berisha.
“Faktoje” vendosi të verifikojë më tej artikullin në fjalë, duke bërë fillimisht një kërkim në Google me fjalë kyçe. Gjatë kërkimit gjetëm që lajmi është publikuar fillimisht nga portali “Syri.net” po në datën 9 nëntor. Bëhet fjalë për një opinion, i cili ndonëse është një mendim personal, nuk ka autor. Mesa duket ky opinion ka shërbyer si burim për të vendosur si citim të Berishës këto akuza ndaj ambasadorit britanik. Pra, ndryshe nga çfarë shkruhet në titulli dhe në tekst në lajmin e Tema, rezulton se deklaratat kundër ambasadorit britanik dhe kryetarit të bashkisë, Veliaj, nuk janë bërë direkt nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Ajo që vihet re është se ky artikull është publikuar edhe nga disa portale të tjera, po me të njëjtin titull, si: “Shqiptarja.com”, “Tellalli.al”, “Ekskluzive.al”. Të gjitha këto portale e kanë marrë lajmin “copy-paste” nga “Tema” dhe nuk kanë bërë asnjë verifikim nëse kemi të bëjmë vërtetë me një deklaratë të Berishës.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin