Në Konferencën Ndërparlamentare për zgjerimin e BE-së, kryeministri Edi Rama kërkoi një perspektivë të qartë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa ambasadorja e BE-së dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, u ndalën te reformat dhe zbatimi i tyre.
Rama kërkoi që këto vendime për zgjerimin e BE-së të mos shtyhen deri në fund të procesit, por të merren në kohën e duhur, ndërsa më pas secili vend kandidat të vlerësohet mbi bazën e përmbushjes së kritereve.
Sipas Ramës, Europa duhet të krijojë një perspektivë të qartë për vendet kandidate, duke i mbajtur ato “rreth tavolinës”, ndërsa përmbushja e detyrimeve dhe hapja apo mbyllja e kapitujve të vijojë në bazë të meritës.
“Europa duhet të thotë, hajdeni të gjithë rreth kësaj tavoline dhe pastaj se çfarë merr secili prej asaj tavoline kjo varet plotësisht nga merita.
Rama paralajmëroi se një dështim i procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor do të kishte pasoja më të gjera për vetë Bashkimin Europian.
“Ne debatojmë shumë gjëra këtu brenda, në vendin tonë. Çdo ditë e kemi kapacitetin për të gjetur arsye që të mos jemi dakord me njëri-tjetrin, ama për një gjë kemi rënë dakord, që duam të jemi pjesë e Europës.
Ndaj ne shpresojmë shumë, unë shpresoj shumë, që ju të mos na lini përsëri në baltë. Sepse në këtë kohë, po të lihemi ne në baltë, shkon përtej të lënit në baltë të një vendi, por është të lësh në baltë vetveten. Nëse Europa do të lërë në baltë Ballkanin perëndimor, nuk do jetë thjeshtë dështim, por do jetë dështimi më madhor”, tha ai.

Ambasadorja e BE: Miratimi i ligjeve nuk mjafton
Ndërsa Rama kërkoi një angazhim më të qartë politik nga BE-ja, ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, vuri theksin te faza ku ndodhet aktualisht vendi dhe te nevoja që reformat të mos mbeten vetëm në nivel legjislativ.
Kryediplomatja de Sousa theksoi progresin që Shqipëria ka bërë në disa fusha kryesore në kuadër procesit të anëtarësimit, duke nisur nga reforma në drejtësi, ekonomi e deri te mbrojtja e të drejtave të njeriut.
“Për Shqipërinë, ky projekt ka hyrë në fazë të re, duke hapur grupkapituj dhe mbyllur provizore 3. Shumë arritje të mira që tregojnë se ka një ecuri konkrete. Tregon që edhe e ardhmja evropiane e Shqipërisë po bëhet e prekshme. BE ka njohur ecurinë në fusha të ndryshme, reforma në drejtësi ka shndërruar panoramën e gjyqësorit. Procesi i vettingut, krijimi i fuqizimi i institucioneve të pavarura gjyqësore, barazia gjinore, mbrojtja ndaj dhunës, e drejta e fëmijëve, mbrojtja e të dhënave. Dhe reformat ekonomike po ecin përpara”, tha ajo.
Sipas ambasadores, zbatimi konkret i reformave është elementi i pazëvendësueshëm.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e institucioneve të pavarura, transparencës, mbikëqyrjes parlamentare dhe përfshirjes së qytetarëve në procesin e integrimit.
Ambasadorja e cilësoi ambicioz objektivin e Shqipërisë për të mbyllur negociatat deri në vitin 2027, duke theksuar se realizueshmëria e këtij objektivi lidhet me arritjet konkrete.
“Ambicia për të mbyllur negociatat deri në 2027 është impenjative, kërkon angazhim politike, reforma të mëtejshme të qëndrueshme dhe zbatim efikas të gjithë kapitujve.
BE mbetet mbështetës kryesor, por besueshmëria e kësaj ambicieje varet tek arritjet”, tha ajo.
Ndër të tjera, Sofia Moreira de Sousa tha se demokracia funksionale e një vendi matet jo vetëm me mënyrën e organizimit të zgjedhjeve, por dhe me rolin e Kuvendit si dhe respektimin e lirisë së fjalës e të drejtave themelore.
Sipas saj, qëllimi i procesit nuk duhet të jetë vetëm anëtarësimi formal, por që qytetarët të ndiejnë ndryshimin që sjellin reformat në jetën e përditshme.
Schieder: Shqipëria është “pararendësja” e zgjerimit
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, e cilësoi Shqipërinë si “pararendësen” e procesit të zgjerimit të BE-së dhe tha se vendi ka ende mundësi të mbyllë kapituj të tjerë dhe të realizojë objektivin e anëtarësimit brenda kësaj dekade.
Schieder bëri dallimin mes hapjes së kapitujve të negociatave dhe përmbylljes së tyre, duke nënvizuar se pas kësaj vjen një tjetër fazë: zbatimi i reformave dhe ndikimi i tyre në shoqëri.
“Pas gjithë këtyre negociatave… tani ndodhemi në fazën e fundit të garës. Ka ende disa kapituj që duhen mbyllur… S’është vetëm hapja e kapitujve, duhet edhe mbyllja. Pastaj vjen ndikimi që ka zbatimi i këtyre kapitujve dhe këto reforma të ndihen në shoqëri”, tha raportuesi.

Ai u ndal edhe te raporti i këtij viti për Shqipërinë, duke theksuar se ai është miratuar me vullnet dhe se procesi i integrimit duhet të shoqërohet me vëmendje ndaj të gjitha fushave të reformave.
“Duhet të shohim të gjitha çështjet, shtetin e së drejtës, ku Shqipëria ndërmori procesin e vettingut”, tha Schieder, duke përmendur edhe sistemet sociale, shëndetësinë dhe politikën e jashtme, ku sipas tij Shqipëria është në përputhje me qëndrimet e BE-së.
Schieder u shpreh se Shqipëria mund t’i mbyllë kapitujt e mbetur dhe tha se vendi “e meriton të jetë anëtare e re brenda kësaj dekade”.
McAllister: Më shumë rezultate në luftën kundër korrupsionit
Në konferencë foli edhe kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, David McAllister, përmes një videomesazhi.
Ai vlerësoi progresin e Shqipërisë, duke përmendur hapjen e të gjashtë grupkapitujve dhe mbylljen e tre kapitujve.
“Shqipëria i ka hapur të gjithë grupkapitujt, të gjashtë grupkapitujt e negociatave. Në maj ka kapur ato standardet e ndërmjetme. Në korrik i ka mbyllur tre kapituj në lidhje me shkencën, studimet, edukimin dhe kulturën dhe me marrëdhëniet me jashtë. Këto arritje pasqyrojnë një punë shumë të madhe të bërë nga qeveria, nga deputetët dhe nga shumë prej nesh që janë të angazhuar për ta parë të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
I duhet njohur kjo gjë Shqipërisë, i duhet vlerësuar”, tha ai.
Por McAllister theksoi se në vijim duhen rezultate të mëtejshme në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit.
“Detyra tani është që të fuqizohet pavarësia gjyqësore, të kemi më shumë rezultate ndaj korrupsionit dhe të sigurohemi që institucionet publike t’i shërbejnë mirë qytetarëve të vetë”, tha ai.






