.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookBastuni i kongresmenit të rebeluar ndaj Trump nuk përmban simbole pedofilie

Bastuni i kongresmenit të rebeluar ndaj Trump nuk përmban simbole pedofilie

Pretendimi: Bastuni i përfaqësuesit demokrat që u nxorr jashtë gjatë fjalimit të presidentit amerikan Trump në Kongres mban simbolin e pedofilëve

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————-

Incidenti me një ligjvënës demokrat gjatë fjalimit të parë të presidentit Trump përpara Kongresit, është shoqëruar në rrjet me akuza që synojnë të ngrenë dyshime mbi orientimin seksual të kongresmenit rebel. Ky pretendim ngrihet mbi “simbolet e shfaqura në dorezën e bastunit të përfaqësuesit amerikan demokrat, që konsiderohen “simbole të pedofilëve.”

Burri në foto është përfaqësuesi demokrat 77-vjeçar nga shteti i Texas, Al Green

Green u përjashtua nga seanca pasi ngriti zërin duke ndërprerë gjatë fjalimit presidentin Trump. Ky fjalim shpalosi axhendën legjislative të administratës Trump dhe përshkroi, për një orë e 40 minuta, vizionin e tij se si Kongresi duhet të fillojë ta zbatojë atë. Green u ngrit nga vendi i tij, ngriti bastunin në drejtim të Trump dhe bërtiti duke ndërprerë fjalën.

Green më vonë u tha gazetarëve se ishte “i gatshëm të vuante çfarëdo dënimi që ishte në dispozicion për [të]”. 

“Unë nuk jam duke luftuar dënimin,” tha Green. “Kjo ka të bëjë me njerëzit që po ndëshkohen për shkak të humbjes së kujdesit të tyre shëndetësor. Ky është vendi më i pasur në botë dhe ne kemi njerëz që nuk kanë kujdes të mirë shëndetësor. Ne duhet të bëjmë më mirë dhe tani jemi gati të shkurtojmë Medicaid, i cili është për të varfërit.”

Shkopi në foto është një shkop klasik që ndihmon të moshuarit për të ecur. Simbolet në dorezën e tij duken të jenë më pak “simbole” se sa spirale dekorative.

Duket se akuzuesit pretendojnë se spiralet e gdhendura në dorezë janë “simboli i pedofilëve” bazuar në një buletin të Byrosë Federale amerikane të Hetimit (FBI) nga viti 2007 me titullin “Simbolet dhe Logot e Përdorur nga Pedofilët për të Identifikuar Preferencat Seksuale.”

Një prej këtyre simboleve përshkruhet në buletin si “logo e Little Boy Lover (LBLogo), e cila gjithashtu tregon një trekëndësh të vogël në formë spirale brenda një trekëndëshi më të madh; megjithatë, qoshet e LBLlogo janë të rrumbullakosura për t’i ngjarë një shkarravitjeje nga një fëmijë i vogël.”

Siç vërehet edhe në përshkrimin e FBI, edhe në pamje të parë të simbolit, ai i përngjan më shumë një trekëndëshi se një spirali. Një krahasim pamor më poshtë tregon se ngjashmëritë mes këtij simboli dhe gdhëndjeve në dorezën e bastunit janë aq të përgjithshme sa të jenë jo domethënëse.  

Spiralet e gdhendura në bastunin e kongresmenit 77-vjeçar nuk sinjalizojnë preferencë seksuale për djem të vegjël. Nuk ekzistojnë deri në këto momente prova apo dëshmi të mëtejshme për të mbështetur një orientim drejt pedofilisë të kongresmenit demokrat. 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img