Pretendimi: 80% e ligjeve italiane vijnë nga Brukseli. Nën BE nuk ka sovranitet
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Para zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, të cilat u zhvilluan midis datës 6 dhe 9 qershor të këtij viti, në rrjetet sociale shqiptare qarkulloi një deklaratë e politikanit italian Antonio Tajani, sipas të cilit “80% e ligjeve në Itali përshtaten nga ligjet e bëra në Bruksel nga Parlamenti Evropian”. Sipas kësaj narrative, vendet e Bashkimit Evropian kanë hequr dorë nga sovraniteti i tyre dhe tashmë kontrollohen nga BE-ja. Në fakt, sipas të dhënave të publikuara nga institucionet italiane, vetëm 2,64% të ligjeve italiane vijnë direkte nga Parlamenti Evropian.
Antonio Tajani, i cili i përket partisë së djathtë Forza Italia, e bëri këtë deklaratë për mediat më 29 maj 2024. Deklarata e Tajanit u shpërnda së pari në mediat italiane, ku italianët ftoheshin të mos votonin në zgjedhjet evropiane, e më pas mbërriti dhe në Shqipëri.
Por, sipas verifikuesve italianë këtu bëhet fjalë për një narrativë e cila ka qarkulluar në Europë prej vitesh. Ajo ka nisur nga deklarata e lëshuar në vitin 1998 nga ish-Presidenti i Komisionit Evropian Jacques Delors, i cili ka thënë se: “Brenda rreth 10 vitesh, 80% e legjislacionit për çështjet ekonomike, e taksave apo për çështjet sociale do të vijë nga BE-ja.”
Pra bëhet fjalë për një parashikim 26-vjeçar, i cili nuk është kthyer në realitet. Sipas studimit të proforeshës gjermane Annette Elisabeth Töller, e cituar nga Euroneës në italisht, influenca e BE-së varjon nga sektori në sektor. Agrikultura apo politikat e mjedisit varen më shumë nga rregulloret e nxjerra nga BE-ja, ndërkohë që çështjet si punësime apo siguria e brendshme kanë ndikim më të ulët.
Për shkak edhe të sistemit kompleks që lidh vendet e Bashkimit Evropian me instituciont e BE-së, është e vështirë të konfirmosh me shifra të sakta sa ndikim ka Brukseli në ligjet individuale. Por shifrat e diskutuara nga Töller tregojnë se bëhet fjalë për diku tek 20-25% në mesatare, dhe jo 80%.
Në rastin e Italisë, faqja italiane Pagella Politica tregoi se nga 315 ligje të aprovuara në Itali midis vitit 2018 dhe 2022, vetëm 5 prej tyre janë “ligje evropiane.” Në periudhën 2013-2018, vetëm 10 nga 379 ligje bënin pjesë të kësaj kategorie.
Pra, shifra është gjithnjë diku tek 2% në rastin e Italisë. Nëse vende të tjera të Bashkimit Evropian mund të kenë më shumë ligje të tilla, për momentin nuk ka asnjë provë se ato i afrohen shifrës së 80%.