.

.

BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriBashkia e Dropullit bëhet me ekskavator pas kërkesës së guximshme nga fermeri

Bashkia e Dropullit bëhet me ekskavator pas kërkesës së guximshme nga fermeri

Mbi 6000 hektarë ose 18% e territorit të bashkisë Dropull është tokë bujqësore, megjithatë kjo zonë nuk kishte një ekskavator për shërbimin e rrjetit të kullimit dhe atë vaditës. Ky mjet mbërriti në Dropull dy muaj pas vizitës së kryeministrit Rama të cilit një fermer i paraqiti shqetësimin në emër të bashkëfshatarëve. Por kur i njëjti fermer kërkoi një tjetër mjet, të domosdoshëm për shoqërimin e ekskavatorit, nuk mori një premtim të dytë se do t’i sigurohej njëlloj si i pari.

Raimond Kola

Gati dy muaj më parë Jorgo Loli një fermer nga Dropulli i kërkoi Kryeministrit Edi Rama gjatë një takimi mbajtur në Dervician me fermerët, një ekskavator për mirëmbajtjen kulluese dhe vaditëse të sipërfaqeve të mëdha bujqësore të kësaj Bashkie.

“Jemi e vetmja bashki në Shqipëri që nuk e kemi një të tillë”, tha Jorgo Loli nga Jorgucati i Gjirokastrës që ka mbjellë rreth 8,5 hektarë me arra në zonën e tij dhe si shumë bashkëfshatarë kërkoi që sipërfaqet bujqësore të mirëmbaheshin përmes kullimit në dimër dhe sigurimit të rrjetit të vaditjes në verë”.

Jorgo Loli gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin në Dropull, tetor 2022

Kryeministri Rama, i mësuar në takime të tilla të marrë dhjetëra kërkesa, premtoi se do ta sillte vetë ekskavatorin në Dropull.

“Do vij vetë ta sjell ekskavatorin para vitit të Ri në Dropull”, tha Rama gjatë takimit. Gjatë vizitës shoqëruese të Kryeministrit grek në Dervician, Kyriako Mitsotakis më 22 Dhjetor, Kryeministri Rama përfshiu në axhendën e ngjeshur me homologun nga Greqia edhe një takimi tjetër, atë me fermerin e Dropullit dhe “dorëzimin” simbolik të ekskavatorit.

Dorëzimi i ekskavatorit në Dropull, 20 dhjetor 2022

Krahas falenderimit për premtimin e mbajtur, kryeministri mori nga Jorgo Loli një tjetër kërkesë, për një mjet shkarkues të tonazhit të rëndë për të shoqëruar ekskavatorin në punën mirëmbajtëse, edhe ky i munguar për Bashkinë e Dropullit dhe i domosdoshëm për të shoqëruar ekskavatorin në punën e tij.

“E kisha në mend që herën e parë ta thoja, i tha Loli kryeministrit, por shokët më thanë se mos kërkoja shumë!” Por kësaj here Kryeministri Rama iu shmang premtimit për ta realizuar edhe këtë kërkesë.

Bashkia e Dropullit me mjete të amortizuara për shërbimet, sidomos në bujqësi

 Një raport i Bashkisë së Dropullit i vitit 2019 flet për nevoja të mëdha për mjete për të mbuluar shërbimet.

“Me transferimin e funksioneve specifike në Bashki një nga këto funksione është edhe kullimi. Bashkisë i është transferuar nga Bordi i Kullimit të Gjirokastrës me shkresë të Ministrisë së Bujqësisë një eskavator me vlerë 13 milionë lekë në vlerën fillestare në inventar, i pashoqëruar me kartelën e mjetit ku të jetë vlera fillestare, viti i blerjes, amortizimi dhe vlera e mbetur. Eskavatori ishte totalisht i amortizuar dhe nuk është në gjendje pune” thuhet në raportin e tre viteve më parë.

Bujqësia përbën një nga degët kryesore të zhvillimit ekonomik të Bashkisë së Dropullit. Rreth 18.3% e sipërfaqes së përgjithshme të kësaj bashkie është tokë bujqësore.

Vetë Bashkia e Dropullit zotëron një sipërfaqe tokë bujqësore prej 6’000 hektarë nga e cila merren të ardhura. Bashkia e Dropullit realizoi këtë vit ndërhyrje për 3 ujëmbledhës dhe me fonde të qeverisë u bë përmirësimi rrjetit nga Liqeni i Doftisë në zonat e Dropullit të Poshtëm.

Të dhënat për shërbimet bujqësore, burimi Bashkia Dropull

 

Kjo ndikoi që për herë të parë këtë vit sipërfaqet bujqësore të nisin të kultivohen dhe me misër në Dervician pas gati 30 vitesh, pasi është siguruar vaditja e tokave.

Sipërfaqe e mbjellë me misër në bashkinë Dropull

Fusha e Dropullit ne Luginën e Drinos në Gjirokastër është sistemuar e bonifikuar tërësisht gjatë viteve 1966-1977 dhe është ndërtuar një rrjet i gjerë kanalesh kulluese dhe ujitëse disa qindra km si dhe disa ujëmbledhësa ndër të cilët ai i Doftisë është më kryesori.

 

 

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img