.

.

BallinaPertejBashkia Durrës s’përballon as pagat për pastrimin e qytetit, menaxhimi i mbetjeve në dorë të qeverisë

Bashkia Durrës s’përballon as pagat për pastrimin e qytetit, menaxhimi i mbetjeve në dorë të qeverisë

Durrësi, një qytet me rreth 292 mijë banorë, rrezikon katastrofë mjedisore, nëse qeveria nuk ofron një zgjidhje financiare për menaxhimin e mbetjeve, pas mbylljes së landfillit të Porto Romanos. Me shpalljen e emergjencës mjedisore, në një qytet që prodhon mbi 75 mijë tonë mbetje në vit, iu dha zgjidhje e përkohshme duke i dërguar në landfillin e Sharrës deri më 15 korrik. Bashkia Durrës, e cila nuk mbulon dot as pagat për mbledhjen e mbeturinave, për shkak të arkëtimit shumë të ulët të taksës së pastrimit, i kërkon qeverisë mbulimin total të financimit për menaxhimin e mbetjeve për 10 vjet. Ndërkohë në planin rajonal të menaxhimit të mbetjeve 2010-2030, dakordësuar nga kjo bashki, planifikohet pesëfishimin i tarifës së pastrimit, për të përballuar situatën.


Sezoni i ri turistik, e gjeti edhe këtë vit qytetin e Durrësit të kërrusur  nga dy fatkeqësi të njëpasnjëshme, tërmeti 2019 dhe pandemia 2020, me një pamje dëshpëruese dhe me grumbuj mbeturinash të hedhura përgjatë rrugëve. Në lagje të tjera u raportua djegia e tyre, duke shtuar edhe më tepër ndotjen e qytetit. Problemi me mbetjet në bashkinë Durrës është një histori e vjetër, që nis në kohën kur ato depozitoheshin në Porto Romano, dhe që rishfaqet egërsisht vitin e kaluar, pas vendimit për mbylljen e këtij landfilli problematik në fillim të janarit 2020.

Në qershor të vitit të kaluar, Këshilli Bashkiak në Durrës shpalli emergjencën mjedisore,pas mbylljes së landfillit të Porto Romanos, ndërsa dërgimi i mbetjeve në Manzë, u kundërshtua ashpër nga banorët e zonës. Për pasojë u gjet zgjidhja e përkohshme, dërgimi i tyre në landfillin e Sharrës në Tiranë. Situata u përsërit një vit më vonë, duke e detyruar kryetaren e bashkisë në detyrë të deklarojë në 28 qershor se zgjidhja e situatës për menaxhimin e mbetjeve pritej nga pushteti qendror, në mungesë të burimeve financiare nga pushteti vendor.

“Prej një viti tashmë kemi depozituar mbetje në landfillin e Sharrës pa detyrime kontraktuale dhe pagesa nga ana e institucionit. Ndërkohë, në mes të muajt kemi bërë kërkesën drejtuar Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave,Agjencisë Kombëtare Ujësjellës Kanalizimeve si dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në mënyrë që të finalizohet kjo kërkesë e miratuar nga Këshilli Bashkiak, si dhe të financohet për 10 vite tarifa hyrëse për Bashkinë e Durrësit. Për të kaluar këtë ngërç që shpresoj që ka dhe impenjimin maksimal nga qeveria shqiptare për t’u mbyllur sa më shpejt, shpresoj që do të zgjidhet brenda një afati kohor shumë të shkurtër.”-u shpreh kryetarja e Bashkisë Emiriana Sako.

Përfaqësuesit e Landfillit të Sharrës i konfirmuan zyrtarisht Faktojes, pas një kërkese për informacion, se deri në 15 korrik do të pranonte me kosto zero depozitimin e mbetjeve të mbërritura nga Bashkia Durrës, por nuk dha një përgjigje shteruese nëse do të vijonte të ofrohej ky shërbim përtej kësaj date dhe me çfarë kosto.

Përgjigjja e kompanisë “Integrate Energy BV SPV”

Kërkesa zyrtare për informacion drejtuar Bashkisë Durrës

Përmes një kërkese zyrtare për informacion, Faktoje mori nga Bashkia e Durrësit, dokumentin përmes të cilit ajo i kërkon Qeverisë subvencionimin e plotë të tarifës hyrëse për 10 vjet, sipas planit afatgjatë të buxhetit për menaxhimin e mbetjeve, ashtu siç pohoi edhe kryebashkiakja Sako.

Screenshot nga vendimi i Këshillit Bashkiak Durrës, datë 10.06.2021

Por sa është qeveria e gatshme të miratojë subvencionimin e plotë për përpunimin e mbetjeve të kësaj bashkie për një dekadë?

Si përgjigje të kësaj pyetjeje, dërguar me anë të një kërkese për informacion nga Faktoje, kryeministria na dërgoi VKM e datës 15 korrik, ditën e përfundimit të marrëveshjes mes Bashkisë dhe landfillit të Sharrës.

Kërkesa zyrtare për informacion dërguar qeverisë

Screenshot nga vendimi për mbështetjen financiare për menaxhimin e mbetjeve në Bashkitë e Qarkut të Durrësit.

Sipas këtij vendimi, nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë përkatëse të Qarkut të Durrësit, atëherë bashkia duhet t’i drejtohet ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara

Bashkia Durrës nuk ka burime, apo kapacitete të përballojë menaxhimin e mbetjeve me buxhetin e vet. Faktoje shqyrtoi buxhetin e Bashkisë Durrës, të publikuar në faqen zyrtare  nga ku rezulton se ky institucion, veçanërisht pas tërmetit dhe pandemisë, nuk arrin të mbulojë shpenzimet për pastrimin e territorit, apo të grumbullimit të mbetjeve.

Screenshot nga buxheti i Bashkisë Durrës për vitin 2021

Bazuar në relacionin e Bashkisë për miratimin e analizës së opsioneve të menaxhimit të mbetjeve në qarkun Durrës, sipas skenarëve në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane në territorin e Bashkisë, theksohet se buxheti i saj e ka të pamundur përballimin e kostos për përpunimin e mbetjeve.

Screenshot nga relacioni i buxhetit i ndarë në vite (2017-2013)

Ekspertë financiarë, shpjegojnë se tarifat që mbledh Bashkia Durrës për pastrimin dhe menaxhimin e mbetjeve nuk mbulojnë dot shpenzimet për këtë funksion prej vitesh. Madje diferenca mbulohet nga fondet e tjera të bashkisë, të cilat mund të përdoreshin për shërbime të tjera, si më shumë investime në arsim etj.

“Skema financiare për menaxhimin e mbetjeve në Bashkinë Durrës nuk është e qëndrueshme. Të ardhurat nga tarifat e pastrimit nuk mbulojnë shpenzimet vjetore për menaxhimin e mbetjeve. Investimet kapitale, si krijimi i kapaciteteve të reja depozituese për menaxhimin e mbetjeve kanë qenë minimale gjatë këtyre viteve. Gjatë vitit 2020, viti i pandemisë, jo vetëm që nuk u realizua buxheti i planifikuar prej 256 milion lekë nga tarifat e pastrimit, por vlera faktike ishte 113 milionë lekë (ose 44% realizim) dhe më e ulët se vitet paraardhëse. Në 2019-n u mblodhën 170 milion lekë si të ardhura nga tarifat e pastrimit, që mbulonin 46% të shpenzimeve për menaxhimin e mbetjeve. Pra, në 2020-n ky tregues u përkeqësua, pasi u mbuluan vetëm 29% e kostove. Në vitin 2021 shpenzimet për menaxhimin e mbetjeve janë buxhetuar në rreth 418 milion lekë ose sa 14% e buxhetit total të Bashkisë Durrës.”- thotë eksperti i financave Azmi Stringa.

Sipas tij, zgjidhja e problemit kërkon fonde shtesë, sepse pjesa më e madhe e buxhetit prej 418 milion lekë është kosto fikse për Bashkinë Durrës si përshembull:pagesat e stafit, shpenzimet operative, grumbullimit të mbetjeve, etj.

“Vetëm për paga dhe sigurime të punonjësve në fushën e menaxhimit të mbetjeve vlera e shpenzimeve është rreth 258 milionë lekë. Kjo vlerë është më e lartë se të ardhurat e Bashkisë Durrës nga tarifa e pastrimit ndër vite. Si rrjedhojë Bashkia Durrës duhet të përmirësojë administrimin e skemës së mbledhjes së tarifave për pastrimin e cila vendoset tek fatura e ujit, të rrisë tarifat, ose të financojë defiçitin me burime të tjera duke ulur mundësitë për të investuar apo dhënë shërbime në fusha të tjera. Një mundësi tjetër është t’i kërkohet ndihmë financiare qeverisë, në kushtet e situatës  emergjente, por kjo nuk mund të jetë e përhershme, dhe cënon parime të decentralizimit financiar. Nëse kjo ndodh, detyrimisht Qeveria Shqiptare duhet t’i vendosë kushte të forta Bashkisë për të mirëmenaxhuar financat e veta, një plan veprimi si do kthejë gjendjen në mormalitet, dhe të garantojë mos përsëritjen e situatës. Çelësi në periudhë afatgjatë është administrimi i të ardhurave vendore nga Bashkia Durrës, duke i rritur zgjeruar bazën e vjeljes së taksës, ose rritjen e tarifave si prsh. asaj të pastrimit (kjo e dyta do të rëndonte më shumë familjet), dhe mirëmenaxhimi i fondeve duke ulur abuzimin dhe zgjedhur alternativat më financiarisht efektive. Ky problem, me sa kuptohet, është i mbartur ndër vite, çka tregon nivel të ulët të përgjegjshmërisë në administrimin financiar të kësaj Bashkie në të shkuarën. Ky është një rast tipik se si krizat si ajo e pandemisë dhe tërmetit nxjerrin në pah dobësitë  strukturale të institucioneve tona të pa adresuara ndër vite dhe për të cilat duhet të nxjerrim mësimet dhe marrim masa për një të ardhme me reziliente të komuniteteve tona.”-përfundon eksperti.

Faktoje i dërgoi një kërkesë zyrtare për informacion Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave si dhe Ministrisë së Turizmit. Përkatësisht kërkohej informacion mbi zgjidhjen përfundimtare që është menduar për manxhimin e mbetjeve në Durrës dhe sa do t’i kushtojë kjo buxhetit të shtetit për periudhën 10 vjeçare të kërkuar nga bashkia, etj.

Kërkesa zyrtare për informacion drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë

Në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sqarohet se deri në 15 korrik, përpunimi i mbetjeve të Durrësit do të kryhet në landfillin e Sharrës me tarifë 0 lekë. Për të mësuar cfarë do të ndodhte pas kësaj dite, MIE na orientoi t’i drejtoheshim Bashkisë Durrës, pasi ky funksion i është deleguar  këtij institucioni vendor.

Përgjigjja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë

Ministria e Energjetikës shkruan se në Planin Kombëtar për menaxhimin e Integruar të mbetjeve 2020-2035 është Ministria e Mjedisit që harton politikat e menaxhimit të mbetjeve.

Përgjigjja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë

Për kërkesat për informacion drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe asaj të Ekonomisë dhe Financave lidhur me këtë çështje, Faktoje është ende në pritje të përgjigjes.

Ne kërkuam të dhëna edhe në Planin Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve 2010-2030, ku Bashkia Durrës parashikonte disa skenarë për zgjidhjen e kësaj situate duke parashikuar, ndër të tjera, që deri në 2030 të pesëfishohej taksa e pastrimit, në krahasim me tarifën e vitit 2009.

Screenshot i faturës së ujit (viti 2021), ku përfshihet taksa e pastrimit 255.56 lekë.

Ndërsa theksohej domosdoshmëria e mbylljes së landifillit të Porto Romanos, (jo më vonë se viti 2015), në këtë plan, ndër skenarët e sugjeruar ishte ndërtimi i një landfilli të ri në rrethinat e Durrësit, ose një bashkëpunim në nivel rajonal me një landfill ekzistues. Ky i fundit është skenari i vënë në zbatim, teksa landfilli i Sharrës është ai që mori përsipër të përpunojë mbetjet e bashkisë Durrës.

          Screenshot me disa nga skenarët e sugjeruar nga Bashkia Durrës

Pas 15 korrikut, Landfilli i Sharrës i konfirmoi Faktojes se vijon të marrë dhe përpunojë mbetjet e bashkisë pa asnjë kosto.

Screenshoti përgjigjes nga Landfilli i Sharrës me datë 22 korrik

Edhe Bashkia e Durrësit konfirmon që mbetjet e bashkisë vazhdojnë të depozitohen në Landifillin e Sharrës.

Përgjigjja e Bashkisë Durrës me datë 29 korrik

Në kushtet kur Bashkia Durrës nuk arrin të vjelë taksat dhe ka një buxhet të pamjaftueshëm për menaxhimin e mbetjeve, hyn në funksion mbështetja financiare që qeveria do ti japë bashkisë sipas VKM së miratuar të datës 30 korrik . Ligjërisht, bashkia ka për detyrë ta kryejë vetë menaxhimin dhe për pasojë të gjejë zgjidhjen. Situata e krijuar, paralajmëron një katastrofë mjedisore për shkak të mbetjeve që mund të marrë përmasa edhe më të mëdha, pasi ashtu si bashkia e Durrësit, me mbylljen e landfillit të Porto Romanos (ashtu siç paralajmërohej edhe në planin lokal të menaxhimit të mbetjet 2010-2039) dhe bashkitë Kavajë e Shijak kërkojnë një zgjidhje emergjente për menaxhimin e mbetjeve.

Linku i videos:

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img