.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaBashkia Dropull: Brenda një kohe të shkurtër nisin procedurat për linjën e transportit urban

Bashkia Dropull: Brenda një kohe të shkurtër nisin procedurat për linjën e transportit urban

Raimond Kola

Fshatrat e zonës së Dropullit të Sipërm prej tre vitesh po penalizohen nga mungesa e transportit urban. Komuniteti më i prekur janë pensionistët, të cilët duhet të paguajnë 3 mijë deri në 5 mijë lekë të reja taksinë, për të përshkuar distancat. Në dhjetor të vitit të kaluar u premtua zgjidhja e këtij problemi, por nga një verifikim i Faktoje, rezulton se deri më sot itinerari Jorgucat-Vrisera dhe drejt fshatrave të tjerë të Dropullit të Sipërm nuk mbulohet nga transporti urban. Bashkia Dropull i konfirmoi Faktojes se në 25 nëntor 2021, Këshilli Bashkiak miratoi linjën rrethqytetëse që zgjidh problematikën, procedurë që duhet të kalojë edhe në prefekturën Gjirokastër.

Në bashkinë e Dropullit, prej disa vitesh mungon transporti urban. Në Janar të vitit 2017, bashkive iu hoq e drejta për liçensimin e subjekteve të transportit të udhëtarëve dhe këtë kompetencë e mori Ministria e Transporteve.

Bashkia e Dropullit u vu në vështirësi gati dy vite më vonë, në prill të vitit 2019 kur u ndërpre shërbimi i transportit urban drejt fshatrave të Dropullit të Sipërm pasi subjektet fizike u detyruan nga autoritetet shtetërore të ndërprisnin aktivitetin.

Oraret e linjës para heqjes së shërbimit të transportit urban që mbulonte Dropullin e Sipërm

Kjo situatë bëri që banorë të fshatrave të kësaj bashkie të protestonin dhe t’i kërkonin institucionit vendor të merrte masa për t’u siguruar shërbimin e munguar nga qendra e bashkisë Jorgucat drejt fshatrave të thella.

Banorë të Dropullit të Sipërm, në protestë për mungesën e shërbimit të transportit urban

“Brenda një kohe sa më të shkurtër do fillojnë procedurat për përzgjedhjen nëpërmjet konkursit të hapur të subjektit që do licencohet në linjën e re të sapo- miratuar nga Këshilli Bashkiak”- citohet të ketë thënë Kryetari i Bashkisë së Dropullit Dhimitër Toli për Report TV, në 5 dhjetor të vitit 2020.

Jorgucati është aktualisht stacioni i fundit i linjës Gjirokastër – Dropull dhe banorët do të duhet të përshkojnë me këmbë apo me taksi distanca deri në 15 kilometra për të arritur drejt fshatrave të tyre. Dropulli i Sipërm është njësia më e madhe ndër tri njësitë administrative të Bashkisë së Dropullit dhe përfshin 18 fshatra me 9.559 banorë nga të cilët rreth 89%, sipas raporteve zyrtare, kanë emigruar kryesisht në Greqinë fqinje. Disa nga fshatrat më të thellë të Dropullit të Sipërm si Bodrishta, Kërra, Vodhina, Klishari, Selo, Likomili, Llovina, Krioneri, Sotira, Llongo, Koshovica e sigurojnë transportin me mjete private apo taksi, me kosta mjaft të larta për banorët të cilëve udhëtimi nga Gjirokastra deri në fshatrat ku banojnë, u kushton 3-5mijë lekë të reja.

Një nga protestat e banorëve të Dropullit të Sipërm për mungesën e transportit urban, Prill 2019

“Faktoje” iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Dropullit lidhur me shqetësimin e banorëve i cili nuk po gjen zgjidhje prej vitesh, ndërsa një vit më parë u premtua marrja e masave për funksionimin e linjës që do zgjidhte këtë problematikë.

Kërkesë për informacion dërguar Bashkisë Dropull, 19 nëntor 2021

Bashkia e Dropullit, brenda dy ditëve iu përgjigj kërkesës për informacion, duke konfirmuar se Këshilli i Bashkisë së Dropullit ka vendosur lejimin e Linjës rrethqytetëse Dervician -Vrisera që e zgjidh këtë shqetësim edhe për banorët e zonave të thella.

Përgjigjja e bashkisë Dropull, 26 nëntor 2021

“Këshilli Bashkiak në Dropull ka marrë vendimin për miratimin e linjës rrethqytetëse Vrisera-Dervician, ku përfshihen stacione qëndrimi edhe në fshatrat e Dr. të Sipërm. Në mbledhjen e datës 25.11.2021 të Këshillit Bashkiak është miratuar vendimi Për procedurat dhe kriteret e përzgjedhjes së operatorëve për linjat e transportit rrethqytetas të udhëtarëve si dhe rinovimin e licencave për kto linja. Me konfirmimin e ligjshmërisë së këtij vendimi nga institucioni i Prefektit të Qarkut Gjirokastër, në një kohë sa më të shpejtë do të fillojnë procedurat për përzgjedhjen e operatorit fitues.”-thuhet në përgjigjen e Bashkisë Dropull.

Raportimet e mediave kombëtare dhe vendore e kanë risjellë shpesh para drejtuesve vendorë të Dropullit dhe opinionit publik shqetësimin e banorëve dhe të protestave të tyre, më e fundit mbajtur në qershor të këtij viti.

Banorë të Dropullit të Sipërm, në protestë për mungesën e shërbimit të transportit urban, qershor 2020

Komunteti më i prekur në Dropullin e Sipërm nga mungesa e këtij shërbimi janë të moshuarit, me nevoja të mëdha për ushqime, ilaçe dhe trajtim mjekësor. Rreth 80% e banorëve në këto fshatra kanë nevoja emergjente për kujdes, pasi i përkasin moshës nga 60 deri në 80 vjeç dhe jetojnë të vetmuar për shkak të emigrimit të fëmijëve apo të familjarë të tjerë. Pandemia e “COVID 19”  e ka vështirësuar edhe më shumë jetën e tyre pasi të afërmit që u vinin nga Greqia e kanë gjithnjë e më të vështirë të kthehen në vendlindje prej kufizimeve të lëvizjes apo bllokimeve në shumë zona në Greqi.

Transporti ka kosto të lartë në shumë prej fshatave për shkak të infrastrukturës së keqe rrugore, sidomos gjatë dimrit prej situatës që krijohet nga përmbytjet e disa prej urave që lidhin fshatrat e thellë.

Fshati Sotirë (Dropull i Sipërm) i privuar nga shërbimi I transportit urban

Nisur nga informacioni i grumbulluar dhe verifikimet në terren, deklaratën e një viti më parë nga kryebashkiaku i Dropullit për një zgjidhje të shpejtë të transportit urban, do ta kategorizojmë, të pambajtur deri tani.

Hapja e dritës jeshile nga Këshilli Bashkiak i Dropullit, me miratimin e linjës,  është vetëm hapi i parë që nëse do të konfirmohet nga Prefektura e Gjirokastrës do të mundësojë nisjen e procedurave përzgjedhëse për kompaninë që do kryejë këtë shërbim të domosdoshëm për komunitetin në zonat e Dropullit të Sipërm.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img