BallinaFaktometerPa kategoriBasha: Votat e pavlefshme, dyfishi i diferencës mes palëve

Basha: Votat e pavlefshme, dyfishi i diferencës mes palëve

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, mbrëmjen e 27 prillit doli në deklaratë për shtyp pas qartësimit të rezultatit nga KQZ dhe fjalimit të fitores nga kryeministri Rama. Duke deklaruar se PD bëri një betejë për demokracinë kundër një regjimi, ai u ndal dhe tek numri i lartë i votave që rezultuan të pavlefshme, të cilat aktualisht numërohen mbi 80 mijë. Zoti Basha tha se ky ishte jo vetëm numri më i lartë ndonjëherë i votave të pavlefshme, por shtoi se ishte dy herë më i lartë se diferenca ndërmjet palëve.


Mbrëmjen e 27 prillit, pasi rezultati për subjektet politike kishte marrë trajtë të qartë duke i dhuruar mandatin e tretë radhazi Partisë Socialiste me 74 mandate, dhe pasi kryeministri Rama kishte mbajtur fjalimin e fitores në sheshin Skënderbej, kryeopozitari Lulzim Basha doli në një deklaratë për shtyp. Pasi akuzoi Partinë Socialiste se kishte thyer të gjitha rregullat, kishte ndryshuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, zoti Basha vuri në pah dhe numrin e lartë të votave të pavlefshme.

“Dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë, dy herë më shumë se diferenca mes palëve.” -u shpreh kreu i Partisë Demokratike.

Deri në ato çaste votat e pavlefshme numëronin diçka më shumë se 77 mijë fletë votimi, ndërsa në këtë moment e kanë tejkaluar numrin prej 80 mijë fletësh.

Faktoje kërkoi në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe rezultoi se nga zgjedhjet e vitit 2005 deri në zgjedhjet e vitit 2021 për të cilat ka informacion në këtë faqe, ky është vërtetë numri më i lartë ndonjëherë i votave të pavlefshme. *Numri i votave të pavlefshme për vitin 2009 është marrë nga një informacion i bërë publik nga Open Data Albania, për shkak se nuk mundëm ta gjejmë në faqen e KQZ.

Zgjedhjet 2005 – 21,973 vota të pavlefshme për partitë

*Zgjedhjet 2009 – 42,074 vota të pavlefshme

Zgjedhjet 2013 – 24,279 vota të pavlefshme

Zgjedhjet 2017 – 31,790 vota të pavlefshme

Zoti Basha në deklaratën e tij specifikoi edhe se numri i votave të pavlefshme është sa dyfishi i diferencës ndërmjet palëve në zgjedhjet e 25 prillit. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publike këto shifra për sa i përket numrit total të votave në rang vendi për partitë.

Partia Socialiste – 768,177 vota

Partia Demokratike – 622,234 vota

Lëvizja Socialiste për Integrim – 107,522 vota

Partia Social Demokrate – 35,477 vota

Nëse me palë do të përcaktojmë Partinë Socialiste nga njëri krah dhe koalicionin e përcaktuar si pas-zgjedhor mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nga krahu tjetër, rezulton që diferenca e votave mes dy palëve përllogaritet në rreth 40 mijë vota (saktësisht 38,421 vota). Duke marrë parasysh që votat e pavlefshme i kanë tejkaluar 80 mijë, ky pohim i zotit Basha rezulton i vërtetë, me diferenca minimale.

Nga ana tjetër, në deklaratën e tij kreu i Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar shtoi gjithashtu:

“Edi Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë hapur me përfaqësues të krimit si Tom Doshi që kanë gjithë botën demokratike kundër”.

Nëse në bazë të këtij pohimi, po të përllogarisnim edhe Partinë Social Demokratike si palë në bashkëpunim me Partinë Socialiste, panorama e diferencës në vota do të ndryshonte. Këtu vlen gjithashtu të përmendim se kreu i PSD, zoti Tom Doshi mëngjesin e datës 26 prill, një ditë pas zgjedhjeve, u shpreh i gatshëm që të bëjë koalicion me Partinë Socialiste dhe kryeministrin Rama, edhe pse ky i fundit deri në këto momente nuk ka konfirmuar diçka të tillë.

Pra, duke shtuar edhe 35,477 vota të PSD në diferencën mes votave të të dyja palëve, diferenca në këtë pikë thuajse dyfishohet (shkon saktësisht në 73,898 vota). Në këtë rast, diferenca mes dy palëve në numër votash do të ishte shumë e afërt me numrin e votave të pavlefshme, të deklaruara deri tani.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img