Marrja e ushqimeve me listë, ose veresie siç njihet në zhargonin përditshëm, ka ekzistuar prej dekadash, por me rritjen e çmimeve dhe krizat, po kërcënon me varfëri ekstreme një pjesë domethënëse të shoqërisë. Sipas një deklarate të kryetarit të PD, Lulzim Basha, ka një numër shumë të madh njerëzish që po marrin ushqim me lista, duke e bërë situatën alarmante. Verifikimi i Faktoje në terren dhe raportet e institucioneve financiare dëshmojnë rritje të varfërisë dhe ulje të mundësive për mbijetesë.
…………………………………
“Tek dyqanet, kamerat tuaja do të fiksojnë një numër të jashtëzakonshëm njerëzish që blejnë me listë si asnjëherë më parë në 30 vite”- deklaroi kryetari i PD Basha më 11 tetor.
Basha ngriti shqetësimin edhe në lidhje me rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në vend, duke e kthyer marrjen e ushqimeve borxh, në një fenomen masiv.
Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim në terren. Ne shkuam në një prej marketeve në periferi të kryeqytetit, saktësisht në zonën e Treshit, pjesë e njësisë bashkiake numër 11.
Nga biseda me pronaren e këtij bizesi, mësuam se në dyqanin e saj janë rreth 120 familje që marrin ushqim me listë. Ajo na tregoi se produktet që ata marrin janë ushqimet bazë, si vaj, miell, oriz, sheqer, makarona.
Foto të listave të borxheve për ushqime, tetor 2021
“Nëse nuk jap me listë, unë falimentoj. Kam rreth 120 familje që marrin me listë dhe i paguajnë kryesisht kur marrin rrogat. Ka edhe nga ata që nuk kanë një punë të qëndrueshme dhe i paguajnë pas 2-3 muajsh.”-tha pronarja e marketit.
Foto të listave të borxheve për ushqime, tetor 2021
“Janë familjarë ata që marrin ushqimet bazë si miell, vaj, oriz, makarona, sheqer etj. Nuk ndodh të marrin produkte ‘luksi’, vetëm gjëra bazike për të jetuar.
Veç këtyre, mua më kanë borxh mbi 800 mijë lekë të reja, që nuk besoj se do i marr më, pasi janë njerëz që kanë emigruar drejt Gjermanisë”- i tha pronarja e biznesit Faktojes.
Foto të listave të borxheve për ushqime, tetor 2021
Ne pamë edhe listat e mbushura plot me emrat e familjarëve që kanë borxhe dnë shuma që varionin deri në disa qindra mijë lekë. Çdo muaj e njëjta situatë, fletore që mbushen plot me emra dhe shuma për t’u paguar.
Sipas pronares së marketit, gjasat që marrja e ushqimeve ‘veresie’ të marrrë fund, janë të pakta.
“Çdo ditë po bëhet edhe më e vështirë. Çmimet po rriten, rrogat janë të ulëta, sepse shumica janë njerëz që punojnë në fasoneri ose jetojnë me asistencë sociale. Edhe për mua është shumë e vështirë, sepse jam gjithmonë me minus.”-theksoi ajo.
Në një raport të shtatorit të këtij viti, INSTAT raportonte mbi rritjen e përgjithshme të çmimeve të ushqimeve dhe jo vetëm.
Sipas këtyre të dhënave, rritja e çmimeve në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë (kur pandemia kishte dhënë pasojat edhe në shtrenjtimin e produketve) nga 2020 deri në 2021, është në këto nivele:
Ushqimet dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar me 4.6%
Vetëm ushqimet janë shtrenjtuar me 4.9%
Frutat janë shtrenjtuar me 4.1%
Zarzavatet përfshirë pataten janë rritur me 13.6 %
Çmimi i bukës dhe drithërave është rritur me 4.7 %
Mishi është shtrenjtuar me 1.3%
Qumësht, djathë dhe vezë janë shtrenjtuar me 2.2 %
Vajra dhe yndyra janë rritur me 6.6 %
Screenshot nga të dhënat e publikuara nga INSTAT
Ndërkohë, revista Monitor raportonte në një artikull në qershor 2020:
‘Një anketë e Këshillit të Kooperimit Rajonal i nxori shqiptarët si popullin me pamundësitë më të mëdha për të paguar faturat mujore të dritave dhe ujit, për të paguar qiranë, për të siguruar ushqimet e nevojshme, ngrohjen e shtëpive dhe për të kaluar pushimet një javë jashtë vendit, ndër 5 vende të tjera të rajonit, si Serbia, Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi”.
Sipas këtij artikulli shqiptarët kishin përqindjen më të lartë në rajon për pamundësinë në sigurimin e ushqimeve dhe veshjeve të nevojshme për familjen. 19% e të anketuarve pohuan se nuk kishin mundësi të siguronin produktet bbazë për të jetuar.
Sipas vrojtimit të kryer nga Banka e Shqipërisë të publikuar në gusht të këtij viti, për gjendjen financiare dhe huamarrjen e familjeve thuhet se 6% e familjeve të intervistuara (nga 1210 intervista në total) kanë deklaruar se kanë marrë hua për konsum.
Screenshot nga vrojtimi i Bankës së Shqipërisë
Në një artikull të datës 6 tetor të revistës “Monitor” theksohej se sipas Bankës Botërore, këtë vit 30.8 % e popullsisë jeton në varfëri dhe fenomeni do të jetë i qëndrueshëm deri në vitin 2023, ku 29.3 % e popullsisë së vendit do të jetojë me më pak se 5 dollarë në ditë.
Sipas matjeve të Bankës Botërore, Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në Rajon. Kosova e cila renditet e dyta e ka varfërinë në nivelin 24.4 %, Serbia renditet e treta me 19.8%, Maqedonia me 17.9% dhe Mali i Zi me 16%.
Tabela e marrë nga Monitor, burimi i të dhënave Banka Botërore