BARDHA NERGJONI
Emergjenca për specialistë në shëndetësi i përngjan asaj të pastërmetit të 26 nëntorit, kur qeverisë iu desh të thërrasë “në armë” brezin e vjetër të inxhinierëve për t’i bërë ballë situatës. Spitali i Gramshit, që mbulon nevojat e 43 mijë banorëve, është ilustrimi më i qartë i kësaj situate, ku 8 nga 11 mjekët e specialiteteve edhe pse në moshë pensioni, janë rikthyer në detyrë, duke marrë parasysh edhe rrezikimin e shëndetit nga Covid-19.
Zamira Bezati është mjeke hematologe dhe e sëmundjeve të brendshme në spitalin e Gramshit. Edhe pse ka mbushur moshën e pensionit, 65 vjeç, shërbimi i saj në spitalin bashkiak është i domosdoshëm, pasi mungojnë specialistët e rinj.
Mjekët pensionistë në Gramsh
Zamira është më e reja ndër mjekët 8 mjekët pensionistë që vazhdojnë të shërbejnë me të njëjtin përkushtim në spitalin e Gramshit, nga 11 mjekë gjithsej. Edhe pse janë shpallur vendet e lira për specialitetet në këtë spital, ende askush nuk ka shprehur interesin për të punuar aty.
Situata duket më e vështirë në kushtet e pandemisë së COVID-19, ndërsa mjekët në detyrë, për shkak të moshës, ndihen edhe më të rrezikuar.
Mjekja Bezati thotë se veçanërisht, kufizimet e specializimeve nga 2005-a, por edhe arsye të tjera, bënë që sot të ketë mungesa të mjekëve në spital. Ajo parashikon situatë problematike në vazhdim, nëse nuk ka një politikë stimuluese nga shteti për t’i favorizuar ata që vijnë si mjekë në spitalin e Gramshit.
“E njoh mirë situatën në spitalin e Gramshit edhe për shkak të detyrave të mëparshme që kam mbajtur. Me kufizimet e specializimeve, pritej kjo gjendje që ne të jemi me një ose dy mjekë, ndërsa pjesa tjetër të dalë në pension. Është e vërtetë që të gjithë janë në moshë pensioni, por të gjithë jemi në punë pasi duhet! Qyteti ka nevojë për ne! Sigurisht që ka edhe qytete të tjera që kanë këto mangësi. Por ne jemi në një situatë që duhet të them, është e vështirë. Kemi fshatra të thellë që duan dy orë të vijnë në qytet, si Lenia përshembull, por edhe fshatra të tjerë.”- pranon mjekja Bezati.
Kjo gjendje sipas saj, është jo vetëm në spital, pasi në Gramsh mungojnë shumë mjekë familjeje.
“Një mjek mbulon dy qendra shëndetësore me rreth 7 deri në 8 mijë banorë secila, gjë që krijon mjaft vështirësi në ofrimin e shërbimit në nivelin që kërkohet. Këtu kanë ndikuar shumë edhe largimi i mjekëve të rinj drejt Gjermanisë. Nga personeli mjekësor numërohen të paktën 6 mjekë të larguar në spitale rajonale si ai i Elbasanit, Tiranës dhe kryesisht në Gjermani. Ne kemi vetëm tre specializantë që kanë filluar së fundi dhe nuk jemi të sigurtë që ata do kthehen të punojnë në Gramsh”- thotë Bezati.
Ajo sugjeron si zgjidhje, favorizimin e atyre që zgjedhin Gramshin si dhe pak sakrificë nga mjekët e rinj.
“Është mjaft e vështirë për të sakrifikuar në kohët e sotme, por unë do t’u bëja thirrje mjekëve të rinj të sakrifikojnë si ne dikur. Edhe unë kam qenë mjeke e re. Kam ikur për vite të tëra, kam sakrifikuar dhe nuk jam penduar. Ndihem shumë e vlerësuar moralisht nga komuniteti im! Ndërkohë Gramshi duke qenë një ‘xhep’ i tillë, kërkon dhe një lloj favorizimi nga shteti, si rritje page apo edhe dyfishim të saj, që të rinjtë të vijnë e spitali të rinovohet”.
Greta Lena, drejtoreshë e spitalit të Gramshit thotë:
“Mjekëve në pension i është rinovuar kontrata dhe janë në punë. Ne kemi njoftuar dhe i kemi shpallur vendet e lira. Presim interesim.”.
Lidhur me politika të tjera favorizuese, Lena thotë se zbatimi i tyre është në dorë të institucioneve qendrore.
Kushtet e spitalit mund të jenë një tjetër arsye përse mjekët e rinj refuzojnë të punojnë. Pajisjet janë të vjetëruara. Investimi më i “ri” në aparatura, është ai për radiologjinë dhe është bërë para 15 vitesh. EKO abdominale dhe gjinekologjike, që u vendosën në spital në 2006-n, aktualisht nuk funksionojnë. Ndërkohë në laborator punohet me aparatura të vitit 1998.
Mjediset e maternitetit të Gramshit
Dy ndërtesat, spitali dhe materniteti, kanë një kapacitet prej 120 shtretërish. Ndërhyrje raportohet të ketë patur sidomos në pavionin e urgjencës, por ndërtesat e vjetra kërkojnë investim rrënjësor. Edhe pse stafi dhe mjekët thonë se kanë kontribuar në mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore dhe mjediseve të punës, nevoja për ndërhyrje është e dukshme.
Brenda spitalit të Gramshit
Aparaturat e vjetëruara dhe kushtet janë dy prej faktorëve që i bëjnë banorët t’i drejtohen spitaleve rajonale apo Tiranës. Ndërsa ata që nuk kanë mundësi ekonomike, këtë spital e kanë të vetmin shpëtim.
Brenda spitalit të Gramshit
Aneta është nënë e një fëmijë dy vjeç. Ajo thotë se u beson pediatërve të vjetër, por detyrohet të udhëtojë drejt një pediatri privat, pasi në spitalin e Gramshit mungojnë kushtet.
“Në këtë kohë nuk lëvizim dot, pasi në Tiranë është shumë keq nga covid-i dhe kemi frikë se marrim ndonjë sëmundje.”- thotë ajo.
I vetmi kirurg i spitalit që ka dalë në pension, kryen ndërhyrjet kirurgjikale që sa vijnë e po rrallohen në spitalin bashkiak të Gramshit, për shkak të mungesës së specialistëve. Ndërkohë udhëtimet e pacientëve drejt Elbasanit apo kryeqytetit, bashkë me kostot, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.
Kontributi i mjekëve në pension në spitalin e Gramshit vlerësohet nga të gjithë banorët. Ata i quajnë heronj dhe luten për shëndetin e tyre. Hyqmet Hoxha është pensionist. Atij i është dashur të shkojë shpesh te kardiologu i spitalit, për shkak të sëmundjeve.
“E vërtetë që i kemi mjekët me pikatore. Tashmë edhe ata janë pensionistë si ne dhe lusim Zotin që të jenë sa më mirë me shëndet që të mund të na shërbejnë ende. Presim mjekë të rinj që t’i zëvëndësojnë, pasi një ditë ata do të duan të pushojnë dhe të shijojnë pensionin e tyre. Sidmos tani në kohë covid-i ku nuk mund të lëvizim edhe mjekët ndjehen më të rrezikuar”- thotë Hoxha.
Spitalet më të afërta ku pacientët që nuk gjejnë shërbim në Gramsh, mund të marrin, janë Peqini, Librazhdi, Elbasani. Por nga verifikimi që bëmë në spitalet e këtyre bashkive situata nuk është më e mirë.
Në spitalin e Peqinit mungojnë dy specialitete të domosdoshme, mjeku i urgjencës dhe një gjinekolog. Ndërkohë drejtuesit pohojnë se po bëjnë një analizë të situatës për të përcaktuar specialitetet e tjera të domosdoshme, që siç raportohet janë në mungesë të theksuar.
Spitali i Peqinit
Xhulia Çela, drejtuese e spitalit thekson se aktualisht në këtë spital është vetëm shefi i shërbimit të urgjencës.
“Kemi bërë një kërkesë dhe jemi në pritje të shpalljes së një vendi për këtë specialitet. Është i domosdoshëm pasi kemi një fluks të urgjencave, sidomos gjatë kohës së pandemisë.”- thotë ajo.
Në këtë spital mungon prej 4 muajsh edhe mjeku gjinekolog. Drejtues të spitalit kanë kërkuar të kontraktohet mjekja në pension, por kjo gjë nuk ka ndodhur. E pyetur për “Faktoje”, drejtoresha Çela deklaroi se do të bëjnë procedurën për ta shpallur vendin vakant për gjinekolog, por nuk sqaroi pse janë dashur 4 muaj që të nisë kjo procedurë.
Ndërkohë për spitalin e Librazhdit, në njoftimet e faqes online të Ministrisë së Shëndetësisë “Mjekë për Shqipërinë” figurojnë mungesa në specialitetet otorino-laringolog, radiolog, ndërsa Prrenjasi njofton mungesën e një radiologu.
Njoftimet për vende vakante në faqen e ministrisë
Spitali rajonal Elbasan ka shpallur 8 vende të lira me specialitete që mungojnë ose janë të pamjaftueshme për të mbuluar kërkesat e pacientëve. Në maj të këtij viti,ose dy muaj pas shpalljes së pandemisë nga Covid-19, spitali i Elbasanit ka kërkuar një pneumolog dhe një mjek anestezist reanimator, pasi mjeku i këtij specialiteti doli në pension. Vendet vakante janë shpallur në faqen “Mjekë për Shqipërinë”. Aktualisht në vendet vakante të shpallura nga spitali rajonal janë një neonatolog, një kirurg, ortoped, urolog, infeksionist dhe një obstetër-gjinekolog.
Njoftimet për vende vakante në spitalin e Elbasanit
Megjithatë, e kontaktuar për “Faktoje”, drejtuesja e spitalit rajonal të Elbasanit Desantila Tahiraj tha se nuk ka mungesa, ndërkohë që konfirmoi interesin e mjekëve të rinj specialistë për të punuar në spitalin rajonal.
Largimi i mjekëve vihet re edhe në pjesën më të madhe të qendrave shëndetësore në qytetin e Elbasanit. Kështu me mjekë të rinj janë zëvendësuar thuajse 80% e vendeve në qendrat shëndetësore, por pas specializimit rezulton se edhe të rinjtë largohen duke i lënë pacientët në mëshirën e fatit ose të mjekëve që janë tashmë në pension.