.

.

BallinaPertejBanorët e prekur nga tërmeti në “Kombinat”, gjumë me turne në shtëpitë e dëmtuara

Banorët e prekur nga tërmeti në “Kombinat”, gjumë me turne në shtëpitë e dëmtuara

FJORI SINORUKA

Tërmeti i 26 nëntorit shënoi goditjen e dytë për shumë shtëpi të lagjes “Kombinat” në Tiranë, pas dëmeve të pësuara nga lëkundja sizmike e 21 shtatorit. “Faktoje” pa nga afër situatën në këtë zonë ku nga 1600 banesa të dëmtuara gjithsej, 55 janë shpallur të pabanueshme. Banorë të prekur tregojnë se flenë me frikë në shtëpitë e dëmtuara, në pritje që inspektimi i radhës të tregojë nëse janë të banueshme ose jo.


 

Në Njësinë Bashkiake numër 6 të lagjes Kombinat, me një popullsi prej rreth 77.000 banorësh, gjen shumë banorë që e kanë bërë këtë vend si shtëpinë e dyte, pasi aty shkojnë prej gati 3 javësh, që kur ndodhi tërmeti i 26 nëntorit. Ata interersohen se çfarë do bëhet me banesat e tyre të dëmtuara për të cilat nuk ka një përgjigje të prerë nëse janë apo jo të banueshme.

“Faktoje” pyeti kryetarin e kësaj Njësie Bashkiake, Adriatik Merkon i cili konfirmon kryerjen e fazës së parë për evidentimin e dëmtimeve.

“Numri total i objekteve të dëmtuara është 1600 ku përfshihen edhe dëmtimet e lehta, nga këto, 55 janë të pabanueshme”, tha ai për Faktoje.

I pyetur nga “Faktoje” se si po administrohet situata për banorët të cilët nuk kanë ende një përgjigjë se çfarë do të ndodhë me banesat e tyre që janë të dëmtuara, ai tha: “Në fazën e dytë do të ngrihet një komision i ri që do të vlerësojë që këto pallate janë të qëndrueshme. Ato që janë të qëndrueshme dhe kanë nevojë për riparime, do të bëhen riparime, ato që janë të paqëndrueshme do të hyjnë në lojë edhe banorët”. Duke nënkuptuar se banorët do të fillojnë procesin e rregullimit të dëmtimeve. Në këto kushte, banorëve do t’u duhet të presin derisa të fillojë procesi i dytë  i vlerësimit përfundimtar, por për disa prej tyre kjo pritje që nuk dihet sa do zgjasë po u vështirëson jetën e përditshme. Jani Lena, banor i kësaj lagjeje tregoi për “Faktoje” se nga tërmeti i datës 26 nëntor i janë shembur muret  dhe kanë ngelur vetëm kolonat.

Prej dy javësh Jani bën ecejake në njësinë bashkiake për të filluar procedurën e aplikimit të lejes së ndërtimit për ta ndërtuar vetë banesën, por thotë se has në vonesa dhe burokraci.

“Erdhën inspektuan dy inxhinierë dhe më thanë ditën e enjte shko në bashki. Erdha të enjten e parë, më thanë që nuk kanë ardhur dosjet. Erdha sot, po të njëjtën gjë, thonë bëj një kërkesë prapë nga e para, bjer fototgrafi e bëj dosje prapë nga e para”, tha ai për Faktoje.

Edhe Agim Shemshiri, një tjetër banor në Kombinat i tregoi “Faktoje “se prej ditësh pret një përgjigje nga njësia administrative. Banesa e tij në katin e parë të një pallati, në dukje nuk ka dëmtime serioze, por ai ndihet i rrezikuar nga katet e mësipërme, të cilat janë më të dëmtuar dhe përbëjnë kërcënim.

“Ne po rrimë në shtëpi se nuk e kanë shpallur akoma si pallat i pabanueshëm, se dy grupe inspektimi kanë thënë që banohet, dy të tjerë kanë thënë që nuk banohet”, tha ai për Faktoje.

Për Agim Shemshirin, tërmeti i datës 26 nëntor, ishte goditje e dytë, pasi asaj të 21 shtatorit kur banesa e tij pati dëmtimet fillestare.

“Frikë kemi si s’kemi, me frikë po rrimë, po e bëjmë gjumin me radhë. Do flej unë, do rrijë gruaja zgjuar, do flejë gruaja do rri unë zgjuar”, thotë Shemshiri për “Faktoje”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img