Ilda Hoxha & Ina Allkanjari
Banorët e 10 fshatrave në Librazhd po përballen me një problem jetik. Mulliri i vetëm që përdoret për bluarjen e grurit dhe misrit nuk po funksionon, sipas një deklarate të deputetit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi në Kuvend. Faktoje verifikoi situatën edhe në terren ku konstatoi se banorët e kishin të pamundur të përdornin mullirin për shkak të mungesës së furnizimit me ujë. Ata pohojnë se po detyrohen të hedhin misrin dhe grurin, nga i cili siguronin miellin për t’u ushyqyer, derisa mulliri ishte në funksion.
……………………………………………………………………..
“Do flas për një mulli, mullirin e Kuturmanit që mbulon 10 fshatra. Historia e tij është që njerëzit luftojnë me mullinjtë e erës të pushtetit, të qeverisë për të gjetur ujë për mullirin e tyre. Është mulli me ujë, por nuk i vjen uji, sepse e ka bllokuar HEC-i i ndërtuar atje dhe nuk zbaton kontratën koncencionare që e detyron të lerë kanalin e ndërtuar për furnizimin e tij, që dhjetë fshatra të mbajnë shpirtin gjallë me bukë”- deklaroi deputeti demokrat Luçiano Boçi gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend më 9 dhjetor.
Faktoje vendosi verifikojë këtë deklaratë dhe më 23 dhjetor udhëtoi drejt fshatit Marinaj të Librazhdit për të parë nga afër situatën.
Një prej banorëve të fshatit Marinaj, Nazmi Kurti tha për Faktoje se prej gati një viti uji nuk vjen në mulli dhe kjo prek mijëra banorë të 10 fshatrave Gurakuq, Orenjë, Floq, Zdrashë Katund, Zdrashe Vërri, Neshtë, Mexixë, Funarë, Kuturman, të cilët bluajnë grurin dhe misrin për t’u ushqyer.
“Në vitin 2006 në pellgun e lumit Shkumbin që bëhen rrjedhjet e Gurakuqit, janë bërë matjet për hidrocentrale. Në atë kohë unë u interesova dhe këto dy mullinj i bëra me letra, me vendim të këshillit të komunës dhe me vendim të prefekturës.
Në vitin 2019, pasi filluan punimet iu drejtova administratorit dhe i thashë që këtu ndodhet mulliri. M’u përgjigjën dhe më thanë që kanë dijeni për mullirin dhe ujin e tij nuk do ta cënojnë, do të vazhdojë siç ka qenë. Iu drejtova sërish për të bërë një marrëveshje, por koncensionari nuk e pranoi marrëveshjen. Mblodha kryetarët e fshatrave për të diskutuar situatën në fjalë. Iu drejtova institucioneve shtetërore, kryetarit të bashkisë, prefekturës, Ministrisë së Energjetikës, Agjencisë së Burimeve Natyrore dhe Ministrisë së Mjedisit. Erdhën dhe verifikuan, ndërkohë që më dëmtuan edhe kanalin e mullirit”- tregon Nazmi Kurti, banor i fshatit Marinaj.
Dokument i firmosur nga kryetarët e 10 fshatrave për për problemin e mungesës së ujit
Kanali ku duhet të kalojë uji për të furnizuar mullirin, Marinaj Librazhd, dhjetor 2021
“Në vitin 2020 vjen drejtori i energjetikës që kishte bërë projektin e hidrocentralit më tha që ky hidrocentral është llogaritur të punojë 6 muajt e dimrit, ndërsa 6 muajt e verës ky hidrocentral do të jetë pushim. Ndaj, sipas tij uji do të ishte në rrjedhje të lirë, nuk do të kishim probleme, ndërsa periudha e dimrit do të ishte 30%, ndaj supozohet të mos kishim probleme.
Ia kërkova këtë gjë me shkrim, por më tha që këtë gjë duhet të ma japë koncensionari, por ata nuk pranuan. Dhe prej një viti mulliri nuk furnizohet më me ujë”- bën të ditur banori Nazmi Kurti.
Banorët pranë mullirit, dhjetor 2021
Fatmir Lleshi, një tjetër banor që preket nga ky problem, ngre alarmin se familjet po pezullojnë mbjelljen, pasi nuk kanë ku të bëjnë bluarjen.
“Mulliri ndodhet në Marinaj. Mijëra familje vijnë nga këto fshatra dhe bluajnë të këto dy mullinj. Ky mulli është 200-vjeçar. Përpara se të ndodhte ndërpreja e furnizimit me ujë, ky mulli bluante ditë-natë.
Ky është mulliri i vetëm, familjet e këtyre fshatrave nuk kanë se ku ta bluajnë miellin, në 10 fshatra është problem. Më herët vinin rreth 30 persona në ditë për të bluar”, tregon Fatmir Lleshi.
Pamje brenda mullirit, Marinaj Librazhd, dhjetor 2021
Banorët sqarojnë se pas një viti misri dhe gruri prishen nëse nuk bluhen, ndaj janë detyruar që në disa raste ta hedhin.
“Unë përshembull kam misrin te shtëpia, ku ta bluaj? Nuk ka asnjë mulli tjetër. Misri, maksimumi qëndron një vit dhe prishet. E gjithë kjo vetëm se u ndërpre uji”- ngre shqetësimin banori Seit Leka.
Në lidhje me këtë shqetësim, banorët i janë drejtuar me një letër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku kërkojnë zgjidhje për problemin e furnizimit me ujë të mullirit.
“Pas verifikimeve të kryera nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, sikurse jeni në dijeni, nga ana juaj është kërkuar mosdëmtimi i kanalit të mullirit dhe furnizimi me ujë i këtij kanali. Në vijim, mbajtësi i miratimit është shprehur i gatshëm të bëjë ndërhyrjet e nevojshme lidhur me problemin e furnzimit me ujë të kanalit të mullirit”- thuhet ndër të tjera në përgjigjen e MIE për banorët.
Përgjigjia e MIE, 15 qershor 2021 pas shqetësimit të banorëve të fshatit Marinaj, Librazhd
Gjithashtu, ata i janë drejtuar zyrtarisht edhe Inspektoriatit për Mbrojtjen e Territorit, por nuk kanë marrë zgjidhje.
“Sa i takon pretendimit se HEC-i i ndërtuar nga subjekti ERDY ENERGY bëhet pengesë për mungesën e ujit në mulli si dhe për vaditje, grupi i inspektimit bazuar në kushtet e lejes së përdorimit të burimit ujor vendosi që subjekti ERDY ENERGY për asnjë motiv të mos cënojë furnizimin me ujë të popullatës dhe të industrisë, (në rastin tonë të mullirit të blojës) për nevojat e tanishme dhe të perspektivës”- thekson IKMT.
Përgjigjia e IKMT për banorët e fshatit Marinaj, Librazhd 13 korrik 2021
Mirëpo, pavarësisht shqetësimeve të ngritura pranë institucioneve përgjegjëse për mungesën e ujit, problemi nuk kishte marrë zgjidhje. Me anë të një shkresë zyrtare, IKMT njofton banorët më 13 tetor se në 4 gusht ka gjobitur subjektin.
Banorët njoftohen nga IKMT se subjekti është gjobitur, dokumenti mban datën 13 tetor 2021
Banorët e fshatrave tregojnë se i janë drejtuar sërish me një shkresë zyrtare Ministrisë së Energjetikës për t’i dhënë zgjidhje këtij problem jetik për ta, por sipas Nazmi Kurtit kanë marrë këtë përgjigje:
“Në vijim të korrespondencave për dëmtimin e kanalit të mullirit dhe ndërprerjen e ujit të mullirit për bluarjen e drithit, si pasojë e ndërtimit të hidrocentralit, shoqëria nëpërmjet shkresës ndër të tjera informon se menjëherë pas takimit ka kryer ndërhyrjet e nevojshme te kanali ku furnizohet mulliri me ujë, duke pastruar duke e sjellë në gjendjen e mëparshme”-thuhet në shkresën zyrtare.
Përgjigja e MIE, shkresa mban datën 14 dhjetor 2021
“Ku e ka gjendjen, ne nuk kemi pikë ujë!”-thotë i revoltuar Nazmi Kurti.
Faktoje, pas verifikimit në terren dhe komunikimit me banorët, të cilët disponojnë edhe përgjigjet zyrtare nga institucionet përgjegjëse, iu drejtua me një kërkesë Ministrisë së Energjetikës. Jemi ende në pritje të një përgjigjeje nga Ministria e Energjitikës.
Screenshot kërkesa dërguar Ministrisë së Energjitikës
Nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar vendosëm që deklaratën e deputetit Luçiano Boçi ta kategorizojmë të Vërtetë.