Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku premtoi gjatë një inspektimi të punimeve për ujësjellësin e ri të Belshit, se kjo vepër do të përfundonte brenda vitit 2021. Nga verifikimet që Faktoje bëri në terren konstatoi se projekti është ende në fazën e shtrimit të tubacioneve nëpër qytet dhe fshatra, por furnizimi me ujë nga ujësjellësi i ri i Belshit nuk është realizuar ende.
“Fakti që ne do arrijmë brenda vitit 2021 të shërbejmë 33 mijë banorë, ujë të pijshëm 24 orë, është një arritje shumë e madhe, pasi kështu mbulojmë një nga zonat më interesante turistike, por nga ana tjetër plotësojmë dhe një nga pesë kolonat e strategjisë që qeveria ka, që është ajo e ujit, pra për t’i ofruar çdo qytetari rreth 150 litra në ditë”- u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku më 9 janar 2020, gjatë inspektimit.
Në fillim të dhjetorit 2021, Faktoje iu drejtua bashkisë Belsh me një kërkesë për informacion ku u interesua se në çfarë faze ishin punimet për projektin e ujësjellësit.
Kërkesa dërguar Bashkisë Belsh
Sipas përgjigjes nga Bashkia Belsh për Faktoje, konfirmohet se ujësjellësi i premtuar nuk ka përfunduar ende.
“Projekti i ujësjellësit është i ndarë në tri faza. Në masën 100% ka përfunduar faza e parë. Dy fazat e tjera janë në proces punimesh dhe respektivisht janë realizuar në masën mbi 50%. Me investimin e ujësjellësit të ri garantohet ujë 24 orë në të gjithë qytetin dhe fshatrat.” – thuhet në përgjigjen e bashkisë Belsh.
“Vlerat përkatëse të kontratës për secilën fazë janë: faza e parë 287.976.685 lekë pa TVSH, faza e dytë 399.849.224 lekë pa TVSH, faza e tretë 474.517.615 lekë pa TVSH.”
Pas marrjes së përgjigjes nga Bashkia e Belshit Faktoje u nis drejt fshatit Rrena, ku ndodhen depozitat e ujesjellësit, thuajse 2 orë larg nga qendra e qytetit të Belshit. Gjatë rrugës konstatuam se kishte nisur shtrimi i tubacioneve në disa zona të qytetit dhe fshtatra. Sipas punonjësve të bashkisë Belsh me të cilët kontaktuam, shtrimi i tubacioneve nëpër qytet ka nisur prej një viti.
“Ne kemi një vit që hapim gropat dhe vendosim tubacionet për ujin e pijshëm. Deri tani na kanë thënë vetëm t’i shtrojmë si rrjet tubacionesh, pastaj s’e dimë.”-shprehet një punonjës, i cili nuk pranoi të identifikohej.
Foto të ambienteve të brendshme të ujësjellësit
Sipas përgjigjes zyrtare të Bashkisë, zëvendësimi i linjave ka nisur në Belsh qendër, lagjen Zekth, Shkozë, Qafshkallë, pallati spitali, Kajan kooperativë, Cerragë, Grekan, Kajan- Gjolen, etj.
Ndërsa linjat e reja janë kryer në: Rrasë, lagjja Metallar, Cepe kolektori, Cestije lagjja Lekallarve, Qafshkallë, Deshiram lagjia Domit, Kajen Logalitet etj.
Përgjigja e bashkisë Belsh
Nga verifikimi në vendin ku janë ndërtuar depozitat e ujëjellësit të ri konstatuam se ende nuk ishte bërë lidhja e tyre me tubacionet.
Foto të tubacioneve të ujësjellësit të Belshit
Këtë e konfirmojnë dhe burime brenda Drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve.
“Në dijeninë tonë ka mbaruar faza e parë e ujësjellësit. Aktualisht është faza e dytë dhe e tretë. Ndërkohë depozitat janë ndërtuar, por ende nuk janë lidhur tubacionet për të dërguar ujin në Belsh.”- thanë për Faktoje burime brenda kësaj drejtorie.
Depozitat e ujësjellësit të ri
Nga verifikimi në terren dhe informacioni i siguruar në rrugë zyrtare, vendosëm që premtimin e ministres Balluku se ujësjellësi i ri i Belshit do të ishe gati brenda vitit 2021, ta konsiderojmë të Pambajtur.