Rasti “Balluku”, Kuvendi zvarrit kërkesën e SPAK

Kushtetuesja pret Kuvendin, Kuvendi pret Kushtetuesen, zvarritjet rrezikojnë afatet ligjore

33

Mazhoranca ka mbi 1 muaj e gjysmë që zvarrit kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, duke shtyrë pa afat mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Rregullorja e Kuvendit përcakton se nëse nuk ka vendim brenda 3 muajve, kërkesa konsiderohet e rrëzuar. Për Ballukun, afati skadon më 16 mars.

Esmeralda Topi

“Ne si Parti Socialsite dhe si grup parlamentar do të votojmë çdo kërkesë për heqje imuniteti, për autorizim të Kuvendit për çdo deputet qoftë krahut të majtë, qoftë krahut të djathtë, qoftë pa krahë,” deklaronte dy vite më parë Bledi Çuçi në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar socialist.

Sot, dy vite pas kësaj deklarate, realiteti është krejt tjetër.

Socialistët shtynë pa afat mbledhjen e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve, ku pritej të shqyrtohej kërkesa e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për arrestimin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Numri dy i qeverisë akuzohet për “paracaktim fituesish në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe shkelje në procedurat e Unazës së Madhe” me vlerë qindra milionë euro.

Megjithatë, mazhoranca ka 1 muaj e gjysmë që e zvarrit kërkesën e SPAK. Shtyrja e vendimit u bë me justifikimin e verdiktit të Gjykatës Kushtetuese.

“…shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ‘për dhënie e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit… të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese…”– shkruhet në urdhërin e firmosur këtë të mërkurë nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Ping – pong institucional

“Në rastin Balluku, Kuvendi po i largohet përgjegjësisë funksionale dhe përgjegjësive kushtetuese.” – thotë për Faktoje.al studiuesi Afrim Krasniqi.

Zvarritja prej javësh e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve shkon në të njëjtën linjë me qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama, që në krye të herës deklaroi se mazhoranca do të priste të shprehej Gjykata Kushtetuese, përpara se të mbante qëndrim për heqjen e imunitetit parlamentar të zëvendëses së tij.

Në fakt, vendimi i gjyqtarëve kushtetues lidhet me një tjëtër masë të marrë më herët nga Gjykata e Posaçme ndaj Ballukut.

“Kuvendi nuk ka pse pret Gjykatën Kushtetuese në interpretimin e një vendimi që nuk lidhje direkte me mandatin dhe kërkesën e SPAK-ut.”- thekson Krasniqi.

Mirëpo, një ditë më parë edhe Kushtetuesja shtyu pa afat vendimin e saj për Ballukun. Me pak fjalë, Gjykata Kushtetuese pret Kuvendin e Shqipërisë, Kuvendi pret Kushtetuesen. Në këtë ping-pong institucional, Belinda Balluku është fituesja e përkohshme, duke ruajtur postin e saj në qeveri si zv.kryeministre dhe ministre, si edhe në parlament si deputete.

Rast i paprecedentë

Kjo është hera e parë që Kuvendi i Shqipërisë zvarrit shqyrtimin e një kërkese për heqje imuniteti ndaj një deputeti.

Të dhënat e Institutit të Studimeve Politike tregojnë se nga viti 2015 deri më 2025, Kuvendi ka marrë vendim për kërkesat e prokurorisë brenda pak ditësh, nga 2 deri në 9 ditë në shumicën e rasteve.

“Kjo përbën një zhvillim të ri kundër frymës së reformës në drejtësi dhe kundër retorikës antikorrupsion në Shqipëri.”- ngre si shqetësim studiuesi Afrim Krasniqi.

“Është paradoks se kjo ndodh në kohën kur Shqipëria është një vend që po i afrohet gjithnjë e mëshumë BE-së.”- shton më tej ai.

Për Tom Doshin, Mark Frrokun, Armando Prengën, Arben Ahmetajn dhe Sali Berishën, Kuvendi ka vepruar me shpejtësi.

Ndërsa për Belinda Ballukun, kërkesa e SPAK është depozituar më 16 dhjetor 2025 dhe ende nuk ka asnjë vendim, duke shënuar një zvarritje të paprecedentë.

“Çdo sjellje tjetër, përfshi edhe alibi të tilla për shtyrje proceduriale janë akte politike që synojnë të mbrojnë zv.kryeministren dhe synojnë të shmangin përballjen e saj me drejtësinë duke i dhënë një mbrojtje të madhe politike që nuk e kanë pasur pjesa më e madhe e zyrtareve gjatë viteve të fundit.”- argumenton Afrim Krasniqi nga ISP.

Ku fle lepuri?

Zvarritja institucionale ka një kufi të qartë. Rregullorja e Kuvendit përcakton tre muaj kohë për të dalë me një vendim, në të kundërt kërkesa e SPAK bëhet nul.

“Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.”- përcakton neni 118, pika 5, e Rregullores së Kuvendit.

Ky nen është çelësi i lojës.

“Afati mund të konsumohet nëse parlamenti vazhdon të djeg etapat me procedura të tilla, siç po ndodh,” – argumenton Krasniqi. 

Më 16 mars, procedurat ligjore për heqjen e imunitetit digjen. Nëse Kuvendi nuk merr vendim brenda afatit, kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut bie automatikisht, duke e lënë pa efekt.

“Zyrtarja më e lartë e qeverisë, numri dy i saj është akuzuar dhe duhet të përballet me drejtësinë. Çdo formë tjetër, procedurë apo akt që pamundëson këtë gjë thjesht bëhet pengesë për drejtësinë.”- përfundon Afrim Krasniqi.

“Mos e mbroni korrupsionin”

Përballë kryesisë së Kuvendit, një grup qytetarësh dhe aktivistësh protesuan kundër shtyrjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve, duke kërkuar që Parlamenti të mos dorëzojë imunitetin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Protestuesit i bënë thirrje pesë deputetëve të mazhorancës, që të mbajnë përgjegjësi ndaj votuesve të tyre dhe të mos bëhen palë me korrupsionin.

Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, në fjalën e tij, u kërkoi deputetëve të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe jo, siç u shpreh ai, “ministrat hajdutë që vjedhin qytetarët”.

 “Nuk mundet me urdhër partie të mbrohen ata që bëjnë rrugë me 220 milionë euro që prishen. Deputetët janë mandatuar nga qytetarët për të mbrojtur interesat e tyre dhe jo hajdutët,” u shpreh ai.

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi i kryer, deklaratën e deputetit socialist Bledi Çuçi se ‘Partia Socialsite do të votojë çdo kërkesë për heqje imuniteti’, e kategorizojmë të pavërtetë.

Shënim i redaksisë: Titulli i këtij artikulli është ndryshuar. Versioni i mëparshëm ishte “Balluku, si ‘lule mos më prek’ për socialistët”.

Përditësuar më 28 janar 2026.