EDIT NIKOLLI
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në seancën plenare të 9 korrikut deklaroi se qeveria Shqiptare nuk do të akordojë asnjë lek për segmentin rrugor Milot-Fier. Nga ana tjetër, qeveria ka vendosur në dispozicion 121 mln euro në formë garancie, shumë e cila sipas parashikimit të ekspertëve të ekonomisë, do përfitohet nga koncesionari.
Qeveria shqiptare merr vendimin për ta dhënë me koncesion. Por çfarë koncesioni është ky, sepse dilni aty (drejtuar deputetëve) dhe dezinfomoni popullin nga mëngjesi deri në darkë. Qeveria shqiptare nuk vendos asnjë qindarkë. I gjithë investimi prej 1,118,000,000 euro do të vijë nga investitori privat, i cili përmes një gare ndërkombëtare, duhet të garojë me të tjerët për të ardhur te investimi – deklaroi Balluku.
Por, në fakt Qeveria e Shqipërisë do garantojë 121 milionë euro për koncesionarin për 17 vitet e para, siç tregohet edhe në tabelën më poshtë.
Por çfarë do të thotë vendosja e garancisë prej 121 mln eurosh nga ana e shtetit, a mund të konsiderohet ajo si shpenzim i qeverisë dhe si qëndron e vërteta në raport me deklaratën e zonjës Balluku?
“Faktoje” pyeti ekspertin e ekonomisë Fatos Coçoli i cili shpjegon:
Autostrada Milot-Fier do të zhvillohet, sërish do të ketë shumë qytetarë që do të zgjedhin të kalojnë nga rrugët dytësore më të ngadalta, por pa pagesë, për të mos paguar 10 mije lekë të vjetra per 100 km. Kështuqë trafiku ditor mesatar prej 29.800 makina në ditë në ketë aks është i vwshtirë të arrihet çdo ditë. Prandaj dhe mundësia që Buxheti ynë i Shtetit të paguajë një pjesë të mirë të këtyre 121 ml eurove të garancisë për trafikun e munguar është e lartë.Me këtë kusht, investuesit e huaj që do të garojnë për të fituar koncesionin e rrugës me pagesë Milot-Fier, duan të garantohen që në rast se për 17 vitet e para të funksionimit, parashikimet e trafikut të makinave (biznesit) nuk do të dalin, qeveria dhe Shteti ynë do të sigurojnë mbulimin e një pjese të mirë të humbjeve.
Edhe për ekspertin e ekonomisë Zef Preçi, garancia prej 121 milionë eurosh, e vendosur nga qeveria në dispozicion për segmentin Milot-Fier do të thotë se ajo do të garantojë deri në 10% të trafikut të munguar. Kjo përqindje është e barabartë me 121 milionë euro për koncesionarin, fitues i tenderit për 17 vitet e para të operimit nga viti 2024 që parashikohet të jetë viti i parë, deri në vitin 2040.
Dr. inxhinier Faruk Kaba, në një intervistë për “Monitor” tha se tarifa e përdorimit të rrugës është shumë e lartë në raport me nivelin e jetesës në Shqipëri. Për më tepër, ai e argumentoi të fryrë pagesën, pasi disa segmente të aksit Milot-Fier, të tilla si Milot-Thumanë dhe Unaza e Tiranës nuk do të ndërtohen nga koncesionari.
Pjesa e parë e segmentit nga Miloti në Thumanë, rreth 13 kilometra, është e përfunduar. Koncesionari do të bëjë vetëm disa përshtatje të vogla, por autostrada aktuale është me katër kalime 2+2 dhe me shpejtësi 100 km në orë. Gjithashtu një pjesë e rëndësishme e këtij aksi, Unaza e Tiranës është një projekt që do të ndërtohet nga donatorët. Në hyrje të Fierit tashmë autostrada është e bërë dhe Bypass-i i Fierit gjithashtu – argumentoi Kaba.
Nga verifikimi i deklaratës së ministres Balluku dhe konsultimi me ekspertët, rezulton se shpenzimi ose jo i shumës 121 mln euro do të konstatohet pas vitit 2024 kur parashikohet të bëhet funksional aksi Milot-Fier. Ndaj vendosëm që këtë deklaratë ta vlerësojmë pa kategori.