Një artikull që pretendon se ministrja e Energjisë Belinda Balluku ka deklaruar më 5 tetor se deputetët duhet të lahen dy herë në javë, si dhe të fikin televizorët është i pavërtetë. Nga verifikimi i Faktoje rezulton se lajmi ka një titull abuzues dhe nuk ka lidhje me vendimin e qeverisë që dikton uljen e konsumit të energjisë me 15% për institucionet publike.
Më 5 tetor portali daily-albania.com ka publikuar një lajm mbi masat e kursimit të energjisë të diktuara së fundmi nga qeveria për institucionet publike në kuadër të krizës energjitike.
Screenshot nga lajmi i portalit daily-albania.com
Por, mesa duket, lajmi është sjellë me një titull abuziv që nuk ka lidhje me vendimin e ekzekutivit.
Përmes titullit “Lahuni 2 herë në javë dhe fikni televizorin, ministrja Balluku tani zbardh masat e reja për deputetet! A ju pëlqejnë?”, artikulli ofron një informacion të gabuar për lexuesit në përpjekje për të shtuar klikimet mbi lajmin. Ndërkohë, në brendësi artikulli sqaron deklaratën e bërë nga ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
“Kemi vendosur që institucionet shtetërore duhet të reduktojnë 15% të energjisë të konsumuar në krahasim me një vit më parë, një pagesë e barazvlefshme me 3.4 miliardë lekë”, tha Balluku.” – shkruan ndër të tjera portali daily-albania.com.
Sipas verifikimit të bërë nga “Faktoje”, kjo pjesë e artikullit është e vërtetë dhe bazohet në deklaratën publike të bërë më 5 tetor nga ministrja Balluku, në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, mbi vendimet e marra në kuadër të fushatës së kursimit të energjisë, në kushtet e krizës.
Ministrja e energjisë Belinda Balluku pas mbledhjes së qeverisë, 5 tetor
“Në mbledhjen e kësaj jave të Këshillit të Ministrave materializuam vendimin që detyron çdo institucion publik në vend të ulë me 15% konsumin mujor të energjisë. Çdo institucion do të ngarkojë një punonjës me detyrën e administratorit të energjisë për t’u kujdesur për kursimin e energjisë dhe do të ketë ndëshkime për çdo drejtues institucioni që nuk arrijë këtë target.” – deklaroi ndër të tjera Balluku menjëherë pas mbledhjes së qeverisë.
Vendimi i qeverisë u drejtohet të gjitha institucioneve publike ku mund të përfshihet edhe Kuvendi i Shqipërisë. Megjithatë, nga verifikimi nuk rezulton që të ketë masa të dedikuara për Kuvendin apo deputetët, ashtu sic prezantohet në titullin e artikullit.
Përsa i përket këshillës për t’u “larë 2 herë në javë”, autorët e titullit abuziv të shkrimit, duhet të jenë “frymëzuar” nga memet që shoqëruan fushatën ndërgjegjësuse të ndërmarrë nga Ministria e Energjisë në kuadër të vendosjes së fashës 800 Kw/h për konsumatorët.
Në një videoprezantim të paketës, u publikua edhe një tabelë ku tregoheshin aktivitetetet familjare, për të cilat një abonent duhet të konsumojë sasinë e përcaktuar. E përkthyer në shifra konkrete, tabela parashikonte që një familje shqiptare duke nisur nga tetori, duhet të vendoste në punë lavatriçen deri 8 herë në muaj për të mos tejkaluar fashën e çmimit të mbrojtur.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin